Ambasadori Graf: Shqipëri-Zvicër, fituesi më i madh është miqësia mes nesh
Unë jam tifoz futbolli dhe mbështes një skuadër zvicerane nga Berna e cila quhet Young Boys. Deri dy vite më parë shkoja rregullisht në stadium me djalin tim.
Që kur keni qenë ambasador i Zvicrës në Shqipëri, a i keni parë ndeshjet e skuadrës kombëtare të Shqipërisë?
Që kur kam ardhur në Shqipëri shumë ngjarje futbolli kanë ndodhur që do të thoja janë historike. Për shembull dy ndeshjet kundër Serbisë. Në Elbasan unë isha në stadium. Ishin ndeshje të tensionuara por edhe të nevojshme, në mënyrë që të dy vendet të tejkalojnë armiqësitë. Dhe pastaj ndodhi kualifikimi i Shqipërisë për në kampionatin Europian dhe rastësisht në të njëjtin grup me Zvicrën!
Cili ishte reagimi juaj kur mësuat se Zvicra është në të njëjtin grup me Shqipërinë?
Unë u habita dhe njëkohësisht u gëzova. Ky është një rast i madh për të vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Zvicrës dhe për të krijuar lidhje të reja midis popujve të dy vendeve tona. Unë gjithashtu fillova menjëherë të planifikoj një aktivitet për shfaqjen e ndeshjes tek Ambasada jonë në Tiranë për ta shijuar ndeshjen me miqtë shqiptarë dhe zviceranë.
Mediat e huaja e kanë konsideruar këtë ndeshje si një ‘’derby’’, për shkak se janë të paktën 6 lojtarë me origjinë shqiptare që luajnë për Zvicrën. Ndërkohë ka lojtarë të kombëtares tonë të cilët kanë shtetësi zvicerane? Cila është pikëpamja juaj mbi këtë, duke patur parasysh edhe statusin tuaj diplomatik?
Është natyrisht shumë interesante që ekipi zviceran ka një pjesë të madhe të lojtarëve me rrënjë shqiptare, dhe anasjelltas, shumë anëtarë të ekipit shqiptar janë rritur në vendin tim – kjo natyrisht krijon tituj gazetash dhe kthehet në temë diskutimi si në Zvicër edhe në Shqipëri. Unë e shoh këtë si një lidhje të madhe midis dy vendeve tona: ne ndihemi më të afërt për shkak të pranisë së tyre. Këta lojtarë të talentuar janë profesionistë dhe kanë të drejtën dhe privilegjin për të vendosur në se duan të përfaqësojnë Zvicrën apo Shqipërinë.
Me Kosovën që iu bashkua UEFA-s dhe FIFA-s, është përhapur një debat mbi lojtarët me origjinë shqiptare, nëse ata do të luajnë për Zvicrën apo për Kosovën. Çfarë mendoni në lidhje me këtë?
Unë besoj se ka mjaftueshëm lojtarë të mirë në Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë. Përse të mos e shohim këtë si mundësi më të zgjeruara për më shumë futbollistë të talentuar shqiptarë, qoftë këtu apo në Zvicër?
Si i vlerësoni marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Shqipërisë?
Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera siç e tregojnë edhe rritja e vizitave te nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve tona, dhe mbështetja zvicerane për përpjekjet e Shqipërisë për integrim drejt Evropës. Ne po kalojmë nëpër një fazë pozitive të bashkëpunimit dypalësh. Unë do të isha akoma më i kënaqur po të kishim një rritje më të madhe të ndërveprimeve tregëtare dhe ekonomike.
Ambasador, ekipi kombëtar i Shqipërisë do të luajë me Zvicrën këtë të shtunë, datë 11 Qershor në Lens për finalet e Euro 2016. A keni ndonjë parashikim?
Parashikimi im i vetëm është se do të jetë një lojë tepër emocionale dhe për t’u shijuar. Preferoj ta shoh si një shans për të festuar partneritetin midis dy vendeve. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes, mendoj se të dy palët mund të quhen fitues, dhe fituesi më i madh do të jetë miqësia midis dy vendeve tona e cila do të forcohet edhe më shumë.
Ambasador, falemnderit për intervistën dhe shpresojmë që pavarësisht rezultatit të ndeshjes në datë 11 qershor, marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.
Unë jam i bindur se si miqtë tanë shqiptarë ashtu edhe ne qytetarët zviceranë, do ta shijojmë ndeshjen dhe marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë. Unë përgëzoj Federatën Shqiptare te Futbollit për arritjen e madhe të kualifikimit për Euro 2016 dhe pres të shoh më shumë suksese të ekipit kombëtar në të ardhmen!
www.fshf.org