Anti-Zvicra, pak dilema për De Biasin
Pavarësisht skema të provuara në këto ditë grumbullimi në Austri, Italia dhe së fundmi në Perros Guirec, duket se trajneri Xhani De Biasi do t’i kthehet formacionit të vjetër në sfidën me Zvicrën, atij që na solli deri në Francë 2016.
Në sfidën e parë europiane, porta do të mbrohet nga Ertrit Berisha, i cili vazhdon të mbetet numri 1 i Kombëtares tonë. Në mbrojtje do të jetë të përhershmit Hysaj, Cana, Mavraj dhe Agolli, ndërkohë që në mesfushë pritet të ketë një ndryshim nga formacioni që zbriti në fushë ndaj Ukrainës.
Burim Kukeli, i cili për shkak të dëmtimit ishte në dyshim për të qenë në 23-she, ka arritur këto ditët e fundit t’ia mbushë mendjen trajnerit italian ta aktivizojë atë që nga minuta e parë në sfidën përballë Helvetikëve.
Përkrah tij në këtë repart pritet të jenë Xhaka dhe Abrashi, ndërkohë që Lenjani dhe Roshi do të furnizojnë nga krahët Sadikun, autorin e golit të vetëm ndaj Ukrainës.
2 gola të shënuar në 2 ndeshje miqësore kanë bërë që elbasanasi ta fitojë vendin e titullarit në sfidën e 11 qershorit.