Artistët e TOB, apel Kumbaros: Teatrot në botë janë shembull luksi, teatri ynë mezi siguron ngrohjen
Sezoni artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit po shkon drejt fundit, për të rinisur sërish në vjeshtë. Me dhjetëra aktivitete, koncerte të ndryshme, shfaqje baleti apo dhe opere kanë qenë pjesë e këtij sezoni artistik, por bashkë me artistët e këtij teatri këtyre aktiviteteve i janë bashkuar edhe artistë të njohur, që aktivitetin e tyre e zhvillojnë larg Shqipërisë. Një punë e madhe e bërë nga artistët për të qenë në skenë me këto produksione, por dhe publiku nuk ka munguar që herë pas here i ka dhuruar duartrokitje. Por kur jemi drejt fundit të këtij sezoni artistik në TOB, ajo që mund të thuhet për kushtet në të cilat kanë punuar artistët është shumë problematike. Herë pas here kanë qenë vetë artistët ata që kanë folur mbi kushtet ku ata duhet të zhvillojnë provat apo të interpretojnë në skenën e TOB, ku shpresat janë vetëm nga Ministria e Kulturës. Por kur flitet për rikonstruksionin të gjithë janë në pritje, megjithëse ende asgjë nuk është zyrtare se kur do të fillojë apo dhe kur do të zhvendosen artistët siç është pohuar deri më tani. Në këtë pritje të rikonstruksionit për të cilin është folur shumë deri më tani, janë artistët të cilët edhe këtë dimër e kaluan mes problemeve, të cilat e bëjnë TOB për të qenë larg të një teatri evropian, ku i ftohti shoqëroi artistët në godinën me infrastrukturë të vjetruar. Për dirigjentin e njohur Edmond Doko, i cili prej vitesh e zhvillon aktivitetin artistik në teatër, edhe sezoni artistik që po mbyllet ka qenë i pasur nga ana artistike, por kur flitet mbi kushtet në të cilat vazhdojnë të punojnë artistët, dirigjenti ripërsërit kërkesën e tij që duhet në mënyrë emergjente rikonstruksioni i Teatrit të Operës dhe Baletit. “Jemi në pritje kur të vijë radha e rikonstruksionit të TOB, dhe nuk është hera e parë që flitet për probleme. Asgjë nuk ka ndryshuar. Punohet siç ka qenë dhe më parë. Kushtet janë ato që janë, dhe problemet vazhdojnë. Ka pasur raste që gjatë dimrit salla ku janë dhënë shfaqjet ka pasur edhe ngrohje, por jo gjithmonë. Por rikonstruksioni i TOB duhet të jetë sa më shpejt, pasi punohet më shumë vështirësi. Për atë gjendje që ka sot TOB nuk mund të hidhen investime kot, ndaj duhet menduar mirë projekti”, tregon dirigjenti Edmond Doko, një nga emrat e vlerësuar të teatrit. TOB përballë dhe teatrove të tjerë që janë në Europë, sipas dirigjentit institucione të tilla jashtë Shqipërisë janë në gjendje luksi, ndërsa e kundërta është ajo me të cilën përballet teatri te ne. “Teatrot në botë janë shembull i luksit dhe cilësisë. Teatri ynë është larg me këto kushte që ka sot”, pohon dirigjenti Edmond Doko.
Pritja e rikonstruksionit
Baritoni Ylber Gjini është një tjetër emër i vlerësuar i skenës operistike shqiptare. Me role që kanë marrë vlerësimin e publikut në shfaqje të ndryshme operistike, baritoni Gjini i takon artistëve që gjithashtu ka shumë vite eksperiencë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Por ashtu si dhe shumë artistë të tjerë, edhe baritoni Gjini kur do dhe disa javë që TOB të mbyllë sezonin artistik, shprehet se artistët punojnë, por i takon Ministrisë së Kulturës që të mbajë premtimin për TOB, pasi kushtet lënë për të dëshiruar në punën që bëjnë artistët. “Vetëm presim. Ka thënë Ministria e Kulturës që do të bëhet rikonstruksioni i Teatrit të Operës dhe Baletit, por të shohim. Ne bëjmë punën tonë, por dihet që kushtet nuk janë ato që duhet të ketë teatri. Ka një infrastrukturë të vjetruar të teatrit, ana teknike, po ashtu si dhe shumë probleme të tjera që janë në teatër. Ne deri tani nuk dimë asgjë, vetëm presim. Nuk ka asgjë zyrtare as se kur do të lëvizim për të nisur rregullimi i TOB. Jemi vetëm në pritje”, pohon baritoni Ylber Gjini. Ajo që të ofron sot TOB jo vetëm për artistët që punojnë çdo ditë në këtë institucion, por dhe emra të njohur të artit që vijnë nga jashtë, kushtet e teatrit lënë për të dëshiruar.Nga Julia Vrapi