Albspirit

Media/News/Publishing

Dilema e samitit të diasporës

Nga Rando Devole

Në prill të këtij viti, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se në nëntor do të zhvillohej samiti i parë i Diasporës. Lajmi u dha gjatë një aktiviteti të organizuar nga komuniteti shqiptar në New York. Për hir të së vërtetës, njoftimi për zhvillimin e samitit të Diasporës ishte lajmëruar nga qeveria e Tiranës në vjeshtën e vitit të kaluar, kur u “anunçua” se do të zhvillohej në mars 2016. Nuk po fosilizohemi në saktësime formaliste, fundja rëndësi ka thelbi dhe përmbajtja.

Sipas shtypit shqiptar, Kryeministri Rama tha shprehimisht:

Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë se në nëntor të këtij viti do të organizojmë Samitin e parë të Diasporës Shqiptare në Tiranë. Puna për organizimin e Samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë. [Mapo, 12 prill 2016]

Përveç lajmit të organizimit të samitit, siç mund të kuptohet nga radhët e mësipërme, Kryetari i qeverisë ofroi gjithashtu një gjykim për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe emigrantëve të saj. Sipas tij nuk do të përsëriten më disa gabime që janë bërë në të kaluarën. Fjalia që i përmbledh këto gabime, duket si e hedhur kalimthi, por nuk është ashtu. Përkundrazi, duket sikur janë ndarë me peshore farmacisti. Në vend të parë është “mungesa e komunikimit” që, për sa kohë nuk përcaktohet qartë, mund t’u faturohet si faj të dy “palëve”, nëse mund të shprehemi kështu, pra Shqipërisë dhe diasporës. Në vend të dytë “vrulli për të zbuluar botën”, që u takon pa diskutim emigrantëve; dhe në fund “vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë”, që ka të bëjë me qëndrimin e Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

Tri kategoritë e gabimeve janë të ndara në mënyrë të barabartë, një për secilën palë dhe një tjetër të dyja bashkë. Mjaftojnë vetëm këto tri pika për t’i imponuar panelin një konference të tërë dhe plot argumente studiuesve të migracionit. Por nuk mund t’i mëtohen një shkrimi, sikundër nuk mund t’i kërkohen Kryeministrit, analiza të hollësishme për të kaluarën dhe të tashmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me diasporën. Edhe për faktin se vetë termi diasporë është disi i mjegullt nga ana semantike, gjithsesi kërkon përkufizim e pranim nga të gjithë për çka shenjon si koncept.

Fjalët e Kryeministrit shpjeguan se samiti do të jetë një diskutim me përfaqësuesit e diasporës shqiptare të ardhur nga më shumë se pesëdhjetë vende, për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe emigrantëve, në veçanti duke krijuar “ura dijeje”…

Please follow and like us: