Francë, përgatitjet për Euro 2016
Ish qyteti i minierave Lans në veri të Francës po përgatitet për turneun e futbollit Euro 2016 i cili fillon më 10 qershor. Qyteti do të jetë mikpritës i tre ndeshjeve gjatë fazës së grupeve, duke përfshirë atë mes Shqipërisë dhe Zvicrës të shtunën.
Në Lans, një qytet i varfër me rreth 35,000 banorë, futbolli historikisht ka patur mjaft popullaritet dhe vendasit mezi presin fillimin e Evropianit.
Muriel Beaurepaire, e cila kryeson klubin e tifozëve të ekipit vendas, thotë se stadiumi “është një kujtesë e lidhjes së ngushtë që qyteti ka me industrinë e tij të minierave.”
“Në Lans, stadiumi është kisha jonë. Çdo dy javë ne mblidhemi atje. Kjo na kujton gjyshërit dhe prindërit tanë, të cilët punonin dikur në minierë. Ata e krijuan këtë stadium, ata krijuan këtë ekip. Për mua, kjo është e veçantë, është krejt jeta ime.”
Stadiumi i Lansit mban rreth 35,000 shikues. Ai është ndërtuar ndërmjet viteve 1931 dhe 1933 nga disa qindra minatorë të papunë.
Lucien Dalle, metalurg në pension nga qyteti fqinj Sallaumines, thotë se trashëgimia e stadiumit si krijim i minatorëve mbetet e fortë:
“Ky stadium u ndërtua nga minatorët. Ky vend mbetet një vend minatorësh, prandaj ata shihen me mjaft respekt. Për të rinjtë, futbolli përfaqëson të ardhmen dhe kjo është e mrekullueshme”, thotë zoti Dalle.
Pak metra nga zona e tifozëve, banori Taha Abdechafiq bisedon me një mik në tarracën e një kafeneje ku janë flamurët e vendeve që do të luajnë në Lans: Shqipëria, Zvicra, Anglia, Uellsi, Republika Çeke dhe Turqia.
Ai thotë se tifozët e ekipit lokal RC Lans do të mbështesin kombëtaren e Francës:
“Banorët e Lansit janë mjaft këmbëngulës në mbështetje të ekipit të qytetit të tyre. Besoj se të gjithë banorët do të mbëstesin Francën, gjatë turneut,” thotë Abdechafiq, i cili punon për një kompani telekomunikacionesh.
Ndeshja e parë që do të luhet në Lans do të jetë ajo mes Shqipërisë dhe Zvicrës, më 11 qershor.