Albspirit

Media/News/Publishing

“Fshihen” pamjet e kamerave të sigurisë së Repartit të Forcës së Posaçme operacionale në Policinë e Shtetit

Serveri qendor i këtyre kamerave është sekuestruar nga prokurorët e çështjes
Prokurorët sekuestrojnë serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të policisë së shtetit, drejtuesi i të cilës është arrestuar dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

ABC News ka mësuar se pavarësisht pretendimit të drejtuesve të këtij reparti, se kamerat e sigurisë nuk punojnë, hetuesit e prokurorisë kanë sekuestruar serverin pasi dyshohet se është ndërhyrë për fshirjen e tyre. Ky repart, është nga më të monitoruarit pasi agjentët e tyre, merren me vëzhgimin, ndjekjen, arrestimin e personave të kërkuar dhe që janë trajnuar sipas policisë me aparaturën e përgjimit IMSI catcher. Por pavarësisht pretendimeve se kamerat nuk punonin, hetuesit e prokurorisë kanë sekuestruar serverin duke dërguar pranë laboratorit të policisë shkencore për të ekzaminuar. Sipas prokurorisë, janë librat e regjistrit të hyrje-daljeve në repart, ato që provojnë se Brenda këtij institucioni që ndodhet në zonën e njohur si “21 dhjetori” makina ku ndodhet e instaluar pajsija e përgjimit IMSI catcher figuron që ka hyrë në të paktën dy raste. Nga kaqyrja e këtyre librave, rezulton se mjeti ku ndodhet pajisja është drejtuar nga shefi i IT-së së këtij reparti, tashmë i arrestuar dhe izoluar me masnë e sigurisë “arrest shtëpie” Ention Xhelilaj. Si provë mbështetëse e këtyre librave të hyrje-daljeve, prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Bashkisë së Tiranës, ku është identifikuar makinan që kalon në rrugën ku ndodhet reparti i Forcave të Posaçme Operacionale. Këto pamje, janë fiksuar pikërisht me datën 13 maj rreth orës 12:00, kur oficerët e policisë kanë shkuar për të sekeustruar makinën ku ndodhet pajisja e përgjimit. Por, ajo është larguar nga ambientet 10 minuta pasi hetuesit kanë shkuar në ndërtesë dhe ishin në pritje të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako që të firmoste sekuestrimin.
Nga ana tjetër, ajo që për hetuesit hedh posht pretendimet e policisë se ekspertët Italian gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në momentin e trajnimit, hidhet posht nga sistemi TIMS I policisë së shtetit. Burimet thonë se nga verifikimet e kryera, rezulton se nga marsi, kur pajisja ka hyrë në Shqipëri e deri në momentin që ajo është bërë publike në media, ka rezultuar se në disa raste eskpertët Italian janë kthyer në Itali duke lënë pajisjen në ambientet e repartit të forcave të posaçme të operacionales.
Sipas Prokurorisë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje, se kjo pajisje është përdorur për përgjime të paligjshme, është fakti se sa herë ka hyrë në territorin shqiptar kjo pajisje, ajo është deklaruar në dogana, policia e shtetit ka njoftuar prokurorin e përgjithshëm dhe më pas prokurorëve konkret për veprime hetimore. Rasti i fundit ishte gjatë periudhës së vitit 2013-2014 kur në Shqipëri kishte çdo ditë shpërthime eksplozivi.
Please follow and like us: