Albspirit

Media/News/Publishing

Jahjaga: Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë

 

Jahjaga: Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë së Serbia duhet t’i kërkojë Kosovës falje për krimet që ka bërë gjatë luftës, me theks të veçantë në abuzimet seksuale nga regjimi serb, të cilat i ka cilësuar si çnjerëzore.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë në hapjen zyrtare të Samitit Global të Gruas 2016, që organizohet në Varshavë të Polonisë, në të cilin trajtohen çështje të rolit të gruas në shoqëri dhe rëndësisë së fuqizimit ekonomik të saj. “Pres që përmes dialogut politik që kemi filluar me vendin tonë fqinj të Serbisë, të arrihet njohja e krimeve mizore të dhunës seksuale që është kryer mbi njerëz të pafajshëm për përfitime politike, të luftohet kultura e mosndëshkimit si dhe të dënohen kryerësit e këtij krimit që ende mbeten të lirë dhe të kërkohet falje për këtë krim lufte”.
Në këtë samit Jahjaga ka kërkuar nga institucionet e vendit edhe ato ndërkombëtare për drejtësi për gratë e përdhunuara nga forcat serbe gjatë luftës. Përveç kësaj, ish-presidentja e parë grua e Kosovës e ka shprehur haptazi përkrahjen e saj për Hillary Clinton, kandidaten e parë femër të Partisë së Demokratëve që synon Presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ne duhet të punojmë së bashku, edhe me burrat dhe t’i japim fund asaj që ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, e ka quajtur ‘punë të papërfunduar të shekullit 21’, një udhëheqëse grua që ka bërë histori gjatë tërë jetës së saj, e cila tash së fundmi u bë gruaja e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, kandidate e një partie të madhe për Presidente të Shteteve të Bashkuara. Besoj fuqishëm se ajo do t’i thyejë barrierat më të larta dhe do të bëhet presidentja e ardhshme e ShBA-së”, ka thënë Jahjaga.

 

Please follow and like us: