Albspirit

Media/News/Publishing

Kenedi e përfundonte drekën me puro të mirë kubane

Kuzhina politike: Kennedy e përfundonte drekën gjithnjë me një puro të mirë kubane

Në mëngjesin e 22 nëntorit të vitit 1963 Presidenti i SHBA John Fitzgerald Kennedy mbërriti me avion në Dallas, shteti Teksas. Gjatë rrugës ushtuan të shtënat fatale që morën jetën e Presidentit 35-vjeçar amerikan. Misteri i vrasjes së John Kennedy nuk është zbuluar akoma deri më sot e kësaj dite. Ndërkohë që duhet thënë se mbi preferencat gastronomike të John Kennedy dihen shumë më tepër gjëra.

Të premten, më 20 janar të vitit 1961 pas ceremonisë së inaugurimit të John Fitzgerald Kennedy në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në Kapitol u mbajt dreka e rastit. Në menunë e saj figuronin: supë-pure me domate dhe kokrra mistri të grira imët, mish pikant gaforre deti, lobster (karvidhe) nga New England i zierë dhe i mbushur, i servirur me gjalpë të tretur, brinjë viçi të gatuara sipas traditës së Teksasit në lëng të vet, bukë e sapo dalë nga furra me hudhër, loje të ndryshme ëmbëlsirash – pasta, kek dhe kafe.

Kennedy nuk mund të quhej kurrsesi hamës. Ai i jepte më tepër preferencë politikës se të ngrënit. Shpesh herë atij duhet ti kujtonin se erdhi koha e drekës apo e darkës.

Thonë se Presidentit Keneddy i pëlqente kuzhina franceze. Dhe kjo mund të jetë plotësisht e vërtetë, meqenëse pikërisht gjatë drejtimit të John Kennedy-t shef kuzhine i Shtëpisë së Bardhë u bë një francez. Ndërsa në qoftë se do të flasim për kuzhinën franceze, atëherë duhet pranuar se dominimit të saj në Shtëpinë e Bardhë i shërbeu në një masë të madhe Zonja e Parë e Amerikës Jacqueline Kennedy.

Në mëngjes John Kennedy preferonte lëng portokalli të freskët, vezë-pashot (vezë e zier pa lëvozhgë) në bukë të thekur, proshutë e skuqur mirë, marmelatë (xinxife), qumësht dhe kafe. Afërsisht i tillë ishte dhe mëngjesi i fundit i Presidentit amerikan në hotelin “Texas” në ditën e vrasjes së tij: Presidentit i sollën lëng portokalli të freskët, bukë të thekur, kafe dhe vezë rrufkë (surbull).

Për drekë Presidenti zakonisht preferonte të hante si pjatë të parë supë peshku të trashë të gatuar sipas traditës së New England. Dhe kjo nuk është aspak për tu habitur: me New England dhe kuzhinën e saj të mrekullueshme të peshkut është e lidhur ngushtë familja Kennedy. Presidenti vdiste për supën e Bostonit me molusqe dhe shpesh herë i lutej kuzhinierit të Shtëpisë së Bardhë t’ia gatuante atë. Gjithashtu ai pëlqente shumë frutat e detit dhe bathët e pjekura sipas traditës së Bostonit.

John Kennedy njihej për pasionin e vet ndaj guaskave të detit. Ai, po ashtu si dhe përfaqësuesit e tjerë të klanit Kennedy, ishte klient i përhershëm i lokalit të famshëm me histori 200 vjeçare të Bostonit “Union Oyster House”.

Për darkë Kennedy kishte qejf të hante biftek qengji, steak, pulë të pjekur apo gjel deti, pure patatesh. Gjatë darkës familjare pjata më e preferuar e John Kennedy-t ishte pula me estragón.

Siç dëshmojnë kuzhinierët që kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë, Presidentit Kennedy i pëlqenin edhe kekët-muffin. Në qoftë se servireshin në tryezë ëmbëlsira, ai preferonte ndër të gjitha ato çokollatën.

Edhe një diçka tjetër: kishte qejf ta përfundonte drekën Kennedy me një puro të mirë kubane. Tregojnë, se përpara se të nënshkruante dokumentin mbi vendosjen e embargos për tregtinë me Kubën revolucionare, Presidenti John Kennedy iu lut sekretarit të vet që ti blinte atij një sasi të madhe purosh kubane rezervë. Dhe e nënshkroi ai dokumentin vetëm pasi u blenë purot. Më vonë, siç flitet, rezervat e purove kubane për Presidentin amerikan John Kennedy plotësoheshin në mënyrë sekrete nëpërmjet ambasadës sovjetike.

Please follow and like us: