Letra e policisë italiane: “IMSI Catcher” nuk përgjon audio, sms apo të dhëna
Policia italiane i dërgon letrën e dytë në pak kohë, Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të hetimeve për pajisjen “IMSI Catcher”, me të cilën organi i akuzës dyshon se policia ka kryer përgjime. Në letrën prej dy faqesh, të firmosur nga Gianpaolo Zambonini, Drejtor i Divizionit të Katërt të Policisë Shkencore Italiane, thuhet se, ajo është përdorur për trajnime në Policinë Shqiptare.
Ai shkruan se pajisja “është përdorur nga Shërbimi i Policisë Shkencore për të zhvilluar aktivitete formuese dhe stërvitore për Policinë Shqiptare, në sajë të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të qenieve njerëzore”.
Sipas Policisë Italiane, kjo pajisje është në gjendje që të bëjë regjistrimin dhe vendndodhjen e përdoruesve dhe telefonave celularë. Fillimisht, ajo zbulon antenat radiomobile të pranishme në zonën operative, duke përcaktuar për secilin nga përdoruesit telefonikë të pranishëm dhe për çdolloj teknologjie radio (2G, 3G, 4G).
Zyrtari italian citon se pajisja bën “regjistrimin dhe monitorimit, të shërbimit (IMSI) dhe të vetë telefonave (IMEI). Më pas ajo mund të gjurmojë vendndodhjen e tyre. Në letër thuhet se, pajisja nuk është në gjendje që të realizojë aktivitete të tjera teknike dhe në veçanti nuk është në gjendje që të kryejë asnjë lloj përgjimi audio, SMS apo të dhënash. Oficeri i lartë i Policisë Italiane shton se, personeli shqiptar është përfshirë si në aktivitetin e trajnimit teorik dhe atë praktik, në ambiente brenda dhe jashtë në terren.
Kjo letër vjen menjëherë pas deklaratës së Prokurorisë se, “IMSI Catcher” funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobile dhe duke marrë rolin e antenës së vërtetë. Sipas prokurorëve, antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve celularë me antenën e gënjeshtërt.
Letra e plotë:
Pajisja IMSI Catcher, modeli Vortex Air, e prodhuar nga shoqëria franceze Ercom e shpërndarë në Itali nga Italarms është përdorur nga Shërbimi i Policisë Shkencore për të zhvilluar aktivitete formuese dhe stërvitore për Policinë Shqiptare, në sajë të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të qënieve njerëzore.
Kjo pajisje është në gjendje që të bëjë regjistrimin dhe vendndodhjen e përdoruesëve dhe telefonave celularë nëpërmjet dy fazave të ndryshme të funksionimit.
Faza e parë: konsiston në zbulimin e antenave radiomobile të pranishme në zonën operative, duke përcaktuar për secilin nga përdoruesit telefonikë të pranishëm dhe për çdolloj teknologjie radio (2G, 3G, 4G). Ndër antenat e zbuluara do të seleksionohen ato që do të përdoren për fazën tjetër:
Faza e dytë: fillimisht pajisja konfigurohet për të simuluar antenat individuale të fazës së parë. Në këtë pikë është e mundur që të kryhen dy lloje tipologjie të aktivitetit teknik.
- Regjistrimi: Telefonat prezentë dhe të arritur nga antenat artificiale do t’i komunikojnë pajisjes identitetin e tij duke bërë të mundur kështu regjistrimin, edhe të monitorimit, të shërbimit (IMSI) dhe të vetë telefonave (IMEI).
- Vendndodhje: Pas regjistrimit të kodit IMSI dhe IMEI të caktuar, pajisja, në këtë fazë të dytë, mund të operojë edhe si lokalizues i vendndodhjes, që parashikon dhe njohjen e pajisjes telefonike të caktuar.
Në sajë të aktivitetit të bashkëpunimit në fjalë, personeli shqiptar është përfshirë si në aktivitetin e trajnimit teorik dhe atë praktik, (në ambiente brenda dhe jashtë në terren). Operatorët e përzgjedhur nga autoritetet lokale kanë mundur kështu që të marrin njohuri teorike të rrjeteve radiomarrëse të nevojshme për fazën tjetër dhe konfigurimin optimal të pajisjes. Janë trajnuar për të realizuar të dyja fazat teknike dhe dy tipologjitë e aktivitetit.
Sistemi nuk është në gjendje që të realizojë aktivitete të tjera teknike nga sa përshkruhet më lart. Në veçanti nuk është në gjendje që të kryejë asnjëlloj përgjimi audio, SMS apo bazë të dhënash.
Kjo është shkresa e dytë zyrtare që i dërgohet autoriteteve shqiptare në lidhje me pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher”. Më 19 Maj, Shefi i Policisë Italiane, Alessandro Pansa i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla një letër, ku theksonte se pajisja nuk ishte e aftë teknikisht të kryente asnjë lloj përgjimi telefonik apo komunikime në internet dhe se është përdorur vetëm për qëllime trajnimi, sipas marrëveshjes se nënshkruar në vitin 2007 nga qeveria shqiptare dhe ajo italiane.