Mamo: Çamëria zgjidhet si Kosova, nga afrimi i Shqipërisë me aleatët
Mamo: Çamëria zgjidhet si Kosova, nga afrimi i Shqipërisë me aleatët (zë)
Ndonëse me një mori lavdesh ndaj qeverisë, deputeti Omet Mamo nga PDIU, kujtoi se çështja çame është e rëndësisë jetësore për kombin shqiptar
Denion Ndrenika
Deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Omer Mamo tha se nën shembullin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës me renditjen e Shqipërisë krah aleatëve, Shqipëria duhet të jetë e vëmendshme edhe për Çamërinë, shqiptarët në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe shtetin maqedonas.
Mamo, i të njohurës si “Partia e Çamëve” foli në seancën plenare të Kuvendit në Tiranë paradreken e së enjtes duke shtuar se miratimi i reformës në drejtësi dhe reformave të tjera, pamundëson kushtëzimet dhe pengesat e Greqisë për eurointegrimin e Shqipërisë.
Ai tha se me zgjidhjen e çështjes çame “Shqipëria është shumë mbrapa” dhe se “është e paparnueshme që fjala “Çamëri” të përdoret vetëm për qëllime të brendshme politike në Shqipëri apo në Greqi”.
Ndonëse me një mori lavdesh ndaj qeverisë, zoti Mamo kujtoi se çështja çame është e rëndësisë jetësore për kombin shqiptar.
Sipas deputetit Mamo, “Shqipëria ka shumë nevojë për fqinjin jugor Greqi”, por theksoi se “duhet të jemi të bindur se edhe Greqia e ka shumë të nevojshme bashkëpunimin e mirë me fqinjën e saj veriore, Shqipërinë”.
Ai tërhoqi vërejtjen ndërkaq që ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Kocias (Nikos Kotzias) deklaroi në Tiranë se çamët paskërkan bashkëpunuar me nazi-fashizmin:
“Nuk duhet të heshtim kur diplomatët grekë na tregojnë në Tiranë se ka vendime gjyakate në Greqi kundër një pjese të popullit shqiptar që jetonte në Greqi. Ata na thonë se prindërit dhe gjyëshirit tanë ishin bashkëpunëtorë me nazizmin. Ata pleq e gra me fëmijët akoma në gji nuk ishin bashkëpunëtorë dhe nuk mund të akuzohen se bashkëpunuan me nazizmin”.
“Historianët e guximshëm grekë kanë pranuar se në Çamëri u krye genocid”-shtoi zoti Mamo.
PDIU ka deputetë Shpëtim Idrizin (kryetar, Fier, lista e Partisë Demokratike), Dashamir Tahirin (Vlorë), Aqif Rakipin (Elbasan), Omer Mamon (Fier) dhe Tahir Muhedinin (Tiranë).
Çamëria është krahina më e madhe e Shqipërisë së Jugut, që Greqia e mban të pushtuar që kur trupat e saj hynë në kryeqendrën Artë në 1876 dhe që e aneksoi pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër në 1913, shoqëruar parreshtur me masakra, genocid, dëbime, shpronësime të shqiptarëe etnikë çamë.