Albspirit

Media/News/Publishing

Mao Ce Dun, dobësi për specin e kuq djegës

Kuzhina politike: Mao Ce Dun, dobësi të madhe për specin e kuq djegës

Kuzhina politike: Pjatat e preferuar të udhëheqësve historik

Mao Ce Dun, dobësi të madhe për specin e kuq djegës

Kuzhina kineze me meritë të plotë gëzon namin e një prej më të mirave në botë. Ndërsa kinezi më i famshëm është, sigurisht, themeluesi i Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun.

“Prijësi i Madh” ia thekte mirë jo vetëm në politikë, por ia njihte edhe ushqimet e mira gjithashtu, pavarësisht se parapëlqente të hiqej si njeri jo nazeli në të ngrënë, si i tillë që mjaftohej me pak. Por në fund të fundit ai ishte revolucionar. “Revolucioni nuk është drekë me të ftuar”, – konfirmonte në vitin 1927 Mao Ce Duni.

Në librin e vet “Kujtime të së kaluarës” shkrimtari kinez Zhou Erfu tregon se Mao pëlqente jashtë mase specin e kuq djegës. Gjellët jo pikante nuk ishin aspak për shijen e tij. Bile edhe kur në jetë mjaftonte mprehtësia, për shembull, në vitet e rënda të luftës, Mao nuk mund të bënte dot kurrsesi pa specin e kuq djegës. Vetë Mao u mësonte të tjerëve artin e të ngrënit të specit të kuq: sipas tij, speci nuk vihet mbi gjuhë por shumë më thellë në grykë dhe më pas gëlltitet.

Autori i librit gjerësisht të njohur “Rajoni i veçantë i Kinës” Pjotër Vladimirov, i cili në vitet e Luftës së Dytë Botërore pati punuar në Kinë, kujton: “Mao Ceduni gëlltiste specin e kuq djegës dhe duke u shtriqur në shezlong përpiqej të merrte vesh duke më pyetur mua në mënyrë disi provokuese: “Stalini është revolucionar? Po specin e kuq djegës a e pëlqen? Sepse revolucionari i vërtetë duhet ta hajë medoemos atë…”.

Gjella më e preferuar e Mao Ce Dunit ka qenë mishi i kuq i derrit i zier me pak zjarr: mishi i prerë kuba-kuba me sheqer të karamelizuar dhe aromën e verës së Shaoxing-ut…

Sipas dëshmive të is-truprojës personale të Maos, i cili në kohërat e marshimeve revolucionare detyrohej ngandonjëherë të bënte edhe punën e kuzhinierit të Prijësit, ndër ushqimet më të preferuara të Mao Cedunit ishin mishi i viçit, specat dhe gjizë soje e skuqur-tofu. Por, në përgjithësi, Mao nuk ishte nazeli në të ngrënë.

Mjaftohej me gjellë jo të sofistikuara, për shembull, me gjokse pule të gatuara në avull, peshk të tymosur me chilli, me gjizë soje të skuqur-tofu me lakër dhe çorbë prej kokrrash drithi të parrahura. Në përgjithësi, shumë persona nga rrethi i afërt i tij vinin në dukje, se Mao demonstronte një shije primitive në të ngrënë.

Atij i pëlqenin gjellët e thjeshta, për shembull, kallinjtë e pjekur të misrit, mishi i derrit i gatuar si në fshat.

Autorja e librave të kuzhinës kineze Fuchsia Dunlop shkruan: “Duke gjykuar nga preferencat e gjellëve mund të thuhet me plot gojën se Mao Ce Duni deri në ditët e fundit të jetës së vet mbeti fshatar pikant. Ai vdiste për gatime pikante.

Njihet fort mirë reagimi i tij i ashpër ndaj doktorit, i cili kur Mao ishte tashmë në moshë shumë të thyer, i rekomandoi atij të reduktojë përdorimin e gjellëve pikante: “Në qoftë se ke frikë bile edhe specin e kuq djegës në stomakun tënd, nga do ta marrësh atëherë guximin për të luftuar me armiqtë?”.

Please follow and like us: