Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri Bushati në Romë: Shqipëria na përket të gjithëve, është koha për bashkëpunim të ri me diasporën

 

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në takimin “Jam shqiptar: “Komuniteti juaj është ndër gurët më të çmuar të kurorës së Diasporës sonë, ku ndërthuren kultura e kontributi i pazëvendësueshëm arbëresh në mbrojtjen e vlerave, emancipimit dhe zhvillimit të identitetit arbëror, me dinamizmin e energjinë e komunitetit shqiptar që jeton, punon e studion në Italisë”

Takimi “Jam shqiptar” i organizuar nga ministria e Jashtme e IOM Tirana, i Ministrit Bushati me Diasporën shqiptare mblodhi në Romë në Vilën Celimontana mbi njëqind shqiptarë e arbëreshë.

Fjala e shumëpritur ishte ajo e ministrit nga i cili prisnim çfarë donte të na thonte e çarë kërkon prej komunitetit qeveria shqiptare. Së shpejti do të sjellim një intervistë me ministrin e të tjerë artikuj mbi takimin, ndërsa këtu gjeni fjalën e plotë të ministrit Ditmir Bushati drejtuar komunitetit shqiptar në Itali

Të nderuar bashkatdhetarë
Të dashur miq,
Zonja dhe Zotërinj,

Ndihem i privilegjuar që gjendem sot mes jush, në këtë takim, qëndërthur jehonën e ruajtjes së traditës më të vyer historike,(gjuhësore e kulturore) arbëreshe, me risitë e komunitetit të ri shqiptar në Itali – të dy një pasuri e veçantë dhe urë miqësie mesItalisë e Shqipërisë.

Komuniteti juaj është ndër gurët më të çmuar të kurorës së Diasporës sonë, ku ndërthuren kultura e kontributi i pazëvendësueshëm arbëresh në mbrojtjen e vlerave, emancipimit dhe zhvillimit të identitetit arbëror, me dinamizmin e energjinë e komunitetit shqiptar që jeton, punon e studion në Itali.

Dhjetorin e kaluar, ne festuam një çerek shekulli të ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Rrugëtimi ka qenë i vështirë por kemi bërë më shumë se asnjëherë në të gjitha kohërat dhe roli e kontributi i diasporës ka qenë i pazëvendësueshëm në të gjitha fushat e jetës.

Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, në një kohë kur jetojmë në njëbotë me aktorë të ndërvarur dhe të ndërlidhur. Kjo botë e globalizuar po përcjell edhe një cilësi të re të “diasporave”, duke i dhënë atyre një rol të ri, më të rëndësishëm dhe jetik. (Natyrisht, nga ana tjetër, 25 vjet më parë flitej për fund lufte të ftohtë, ndërsa sot flitet për fillim lufte të nxehtë.)

Tashmë, komunitetet tona jashtë atdheut janë bashkësi transkombëtare të vetë-organizuara, përcjellëse të traditave, zakoneve, vizioneve dhe vendimmarrëse në politika të vendeve ku banojnë.

Ju jeni dëshmitarë të këtij procesi.

Historia e diasporës sonë është shekullore, me një ndikim të konsiderueshëm jo vetëm në ruajtjen e identitetit por edhe në zhvillimin e vendeve ku ata gjenden.

Mjafton të përmendim këtu sa i njohur dhe i vlerësuar është roli i arbëreshëve në Bashkimin e Italisë e në të njëjtën kohë në Rilindjen shqiptare.

E duke pasur parasysh vlerat, energjinë dhe kontributin e komunitetit tuaj, jemi këtu sot për të hapur ciklin e tre takimeve në vendet me përqendrim më të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë, në Itali, Greqi e SHBA. Këto takime kanë si qëllim përfshirjen e plotë dhe efikase të Diasporës shqiptare në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë.

Të dashur miq e bashkatdhetarë,

Shqipëria na përket të gjithëve. Ajo ka nevojë për kontributin e çdonjërit prej nesh. Në këtë kontekst MPJ është e ndërgjegjshme se ka ardhur koha që tëridimensionojmë bashkëpunimin me diasporën. Po punojmë dy linja kryesore.

E para, dëshirojmë të krijojmë një marrëdhënie të strukturuar me ju, nëpërmjet mekanizmave të përbashkët për të ndërtuar dhe konsoliduar një partneritet të qëndrueshëm mes jush dhe nesh.

Një komunitet gjithnjë e më i suksesshëm shqiptar duhet gjithashtu të mbajë dhe zhvillojë identitetin dhe lidhjen e tij me atdheun dhe për këtë duhet të punojmë së bashku për ta lehtësuar këtë proces. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe, përbën në këtë aspekt një ndër proceset më të rëndësishme, që ecën krahas arsimimit dhe integrimit.

Projekti që Ministria e Punëve të Jashtme po realizon në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Migracionit, e me të cilin do të keni rastin të njiheni më në detaj pak më vonë, është vetëm një pjesë e strategjisë dhe punës që kemi ndërmarrë për Diasporën shqiptare.

Linja e dytë ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve konsulloredhe asistencën që ofrojnë përfaqësitë e MPJ në ndihmë të qytetarëve.

Në këtë kuadër MPJ ka venë në jetë një reformë radikale që konsiston në përmirësimin rrënjësor të shërbimeve konsullore për qytetarët.

Qasja jonë ndaj shërbimeve konsullore është e dyanshme. Nga njëra anë kemi rritur aksesin e publikut për informacion dhe nga ana tjetër jemi duke përmirësuar brendinë e vetë shërbimeve. Synimi ynë është që shërbimet e ofruara nga MPJ, të rrezatojnë profesionalizëm, cilësi, transparencë dhe përgjegjshmëri.

Për të krijuar një ide më të mirë lidhur me volumin e punës që bëhet në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në botë dhe më konkretisht këtu në Itali, po ju jap disa shifra:
Vetëm brenda vitit 2015, Ministria e Punëve të Jashtme ka ofruar asistencë për afro 200 mijë qytetarë, 100 mijë më shumë po të krahasohet me vitin 2014. Si rezultat, për vitin 2015 kërkesa për shërbime pranë sporteleve të përfaqësive diplomatike është rritur me 49% krahasuar me 2014. Pjesa më e madhe e asistencës dhe e shërbimeve pikërisht në Itali dhe Greqi.
Duke u ndalur më konkretisht tek Italia, ku shifra zyrtare për shqiptarët që jetojnë, punojnë dhe studiojnë këtu, është rreth 509.000, për vitin 2015, nga Ambasada dhe konsullatat tona janë shërbyer 60.642 shtetas (përkatësisht në Milano 47.245, në Romë 9.515 dhe në Bari 3.882), një shifër në rritje në krahasim me një vit më parë.

Por krahas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët marrin shërbimet tona, ajo që ne kemi synuar, ka qenë rritja e gamës së shërbimeve.

Më konkretisht, nëpërmjet një projekti pilot të mbyllur me sukses, vitin e kaluar, kemi arritur që, pikërisht këtu në Itali, për herë të parë në histori, të mund të lëshojmë edhe certifikata.

Ky projekt i ka shndërruar përfaqësitë tona këtu në Zyra të Gjendjes Civile që mundësojnë marrjen e të gjitha shërbimevethelbësore, duke evituar kalvarin e marrjes së certifikatës familjare.

Por jo vetëm kaq, kemi arritur të rishikojmë politikat tarifore të cilat ishin të paprekura që prej vitit 1998, duke arritur që:

–       Të zerojmë tarifat për dokumente në rast humbje jete;

–       Të ulim me 30% çmimin për certifikatat (nga 30 në 20 €);

–       Të përgjysmojmë tarifën e duplikimit të çertifikatave (nga 20 në 10 €);

–       Të ulim me 25% tarifat e legalizimeve (nga 20 në 15 €).

Megjithatë, mbetet ende për t’u bërë për të mbajtur hapin me kohën.

MPJ është e ndërgjegjshme që teknologjia aktuale nuk është vënë ende në funksion të garantimit të cilësisë së shërbimit që meritojnë qytetarët tanë.

Projekti i konsullatës dixhitale, nënkupton dixhitalizimin (ose hedhjen online) e shërbimeve konsullore, jo vetëm për të përmirësuar shërbimet por edhe për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën.
Projekti “konsullatës dixhitale” ka filluar në muajin shtator dhe pritet të përfundojë gjatë verës.

Në përfundim të këtij projekti do të kemi:

  • Automatizim të procesit të ofrimit të shërbimevekonsullore (aplikimi për shërbimet konsullore do të bëhet online);
  • Monitorim të çdo kërkese të qytetarëve mundëson përfundimin e saj brenda afateve ligjore (gjurmshmëria);
  • Ndërlidhje me portalin e-albania, nga ku qytetari mund të aksesojë shërbimet online të MPJ-së (integrimi me platformat e ndryshme të qeverisë);

E kjo përkthehet në:

  • Uljen e kostos dhe kohës së shërbimeve për qytetarët dhe vetë shërbimin,
  • Rritjen e cilësisë së shërbimeve publike,
  • Uljen e korrupsionit,
  • Monitorimin e punës së punonjësve të shërbimit konsullor duke rritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien.

Ky projekt do të mundësojë që qytetari nëpërmjet portalit e-albania të arrijë të kryejë në internet të gjitha hapat e nevojshëm për marrjen e shërbimit.

Për mua kjo është dicka vërtet në shërbim të qytetarëve dhe kërkojmë edhe bashkëpunimin tuaj që të informoni bashkatdhetarët tuaj dhe ta përdorni sapo të jetë i gatshëm. MPJ nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit do t’ju informojë për kohën e publikimit të këtij shërbimi.

Zonja e zotërinj,

Në përfundim të fjalës, më lejoni të ndaj me ju nismën historike që Kryeministri shqiptar, Edia Rama,ka ndërmarrë për mbajtjen e Samitit të Parë të Diasporës shqiptare, në muajin nëntor të këtij viti. Puna për organizmin e Samitit në bashkëpunim me MPJ ka filluar dhe së shpejti detajet mbi pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të publikohen.

Samiti i Diasporës do të jetë një ngjarje e madhe për të nisur një marrëdhënie të re, më të fortë e gjithëpërfshirëse mes qeverisë shqiptare, institucioneve të saj dhe Diasporës. MPJ është e lumtur që jep kontributin e saj në organizimin e këtij aktiviteti.

Samiti i parë do të mbledhë në Tiranë për herë të parë shoqatat shqiptare, personalitete të shquara, por edhe anëtarë të thjeshtë bashkëkombas nga të gjitha vendet ku shqiptarët punojnë e jetojnë.

Synimi i tij do të jetë krijimi i një ure bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes bashkëkombasve me vatrat e tyre në Shqipëri, por edhe mes komuniteteve të veçanta, në vende e kontinente të ndryshme.

Ky samit është një moment i vyer për të gjetur e forcuar bashkësinë tonë rreth gjuhës, kulturës, traditës, vlerave dhe identitetit tonë unik shqiptar.

Ju falemnderit!

 

Please follow and like us: