Mjekësia, arti i bukur i shërimit
Nga Mimoza Manxhari Pedagoge ne UT
Nga një eksperiencë që pata së fundmi në QSUT, do të doja shumë të më buronin edhe mua, shprehje falenderimi dhe mirënjohje, siç bëri dikur Anita Take me këngën që i dedikoi mjekut, që luftoi fitueshëm mbi vdekjen, por jo, realiteteti që fatkeqësisht personalisht e përjetova, më pamundëson të artikuloj diçka të përafërt.
Në ato pak ditë qëndrimi në spital, pashë shumë pak nga madhështia e njerëzores dhe shumë nga mjerimi që sjell mungesa e saj!
I kërkova privatisht personit që është caktuar të mirëdrejtojë QSUT, të mundësonte një takim, nëpërmjet të cilit, shumë miqësisht t’i bëja prezent konsideratat e mia meqë rethanat e sollën të jem pacient i atij institucioni, nga mometi i operimit e deri ne daljen nga pavioni.
Zonja në fjalë vendosi të mos më dëgjojë!!!
Nuk di në fakt nëse ajo e teston e nëse po, si apo në përgjithësi e konsideron apo jo zërin e pacientit?!
Do doja të më ishte dhënë mundësia që sot t’i thurrja lavde, suksesit të një femre në një pozicion të rëndësishëm drejtimi.
Drejtimi i një qendre spitalore, padyshim është punë me shumë përgjegjësi dhe treguesit me të cilët matet performanca e drejtimit janë të shumtë, por nuk ka dyshim se në qëndër të çdo politike apo program menaxherial do duhet të jetë pacienti.
Jam shumë pro nxitjes së moshave të reja në pozicione drejtuese, por me sa duket, eksperienca që ju mungon i bën ata të gabojnë nga mungesa e mësimit të jetës,
Fatkeqësisht, më duhet pubikisht të denoncojë atë paradoks antinjerëzor në institucionin që më shumë se çdo gjë, duhet të ketë pikërisht elementin human.
Nuk e di dhe as nuk jam e interesuar për formimin akademik të drejtoreshës së QSUT. Ajo që më goditi, ishte mungesa e përgjegjshmërisë për detyrën që ushtron dhe niveli zero i ndjeshmërisë njërëzore.
Nuk kam asgjë negative për të thënë për ekipin që realizoi operacionin tim, përkundrazi u përpoqën maksimalisht për të krijuar një atmosferë shumë mbështetëse dhe inkurajuese.
Por vazhdimi ishte shokues.
Në vitin 2o16, nuk mundet thjesht t’i gëzohemi e konsiderojmë si sukses një farë pastërtie të përmirësuar që konstatohej aty, krahasuar me pak vite më pare!.
Akoma jam e tronditur kur sjell në kujtesë ato 500 metra!!!! rrugë nga dalja prej sallës së operacionit deri në pavionin Nr. 2, ku akomodohen të sapo operuarit. Përfytyroni një të sapo operuar që lëviz me krevatin me rrota goxha rrugë nëpër korridore pavionesh, por dhe në rrugë kalimtarësh[ pacientë apo njerëz të ndryshëm] që halli i sjellë në spital!!
Si ka mundësi që akoma vazhdohet kështu?? Si nuk mendohet për ta riorganizuar hapsirën e brendshme të urgjencës që i operuari të përfundojë menjëherë në pavion e jo të bëjë atë udhëtim grotesk nëpër tërë atë rrugë të gjatë e të pashtruar që agravon dhe ngacmon në vazhdimësi plagën e sapo operuar??!!
Në pavionin post operacional pashë gjithçka, por vetëm standarte të pranuara shërbimi shëndetësor dhe sensibilitet njerëzor jo.
E kam të vështirë të hamëndësoj, me se zihet dita e një punonjësi të shërbimit spitalor, se përveç vendosjes rrufe e në mënyrë robotike të serumit nuk i pashë të vivnin e ashtu si kalimthi të gjendeshin pranë apo pyesnin për gjëndjen e të shtruarit!
Aty kishte sanitare të cilave duhej t’u kërkoje si favor pastrimin, por dhe nëse e bënin, i jepnin plot bezdi një leckë në mënyrë diagonale dhomës. Kishte kryeinfermiere të cilës kur i kërkoje të ndalojë komunikimin me zë vetëm të lartë të infermiereve nga një cep i korridorit në tjetrin, të përgjigjet – jam e pamundur vetë!!
Pavioni ishte i ambjenti më i garantuar i shitjeve për ambulantët e ujit, karrikuesve të batërive të telefonit, i çërçafëve dhe pizhameve duke filluar nga ora o5.[ e mëngesit](!!) e të mendosh që në hyrje të pavionit paguhej një roje pikërisht për të disiplinuar dhe kontrolluar personat që duheshin lejuar të futen në pavion.
Ju kërkua doktorit të turnit të largonte ambulantët e ai, edhe pse i mërzitur pohonte se kish studjuar jashtë e nuk pranonte një realitet të tillë, në vend që t’i largonte menjëherë shitësit ju kërkonte të mbaronin shpejt kalimin në dhomat e mbetura!
Një tjetër shqetësim, ishte statusi shëndetësor i familjarit që lejohet të qëndrojë pranë të sëmurit. Kaluam një natë të tërë në zhurmën dhe pasigurinë e kollës së frikshme të një bashkëshorti që as vetë nuk po gjente rehat e asnjë i personelit nuk gjykoi ta largonte atë nga pavioni!!
Sjellja e kujtdo në atë pavion të bënte të ndiheshe fajtor!!!
Aty nuk ishe aspak pacient- që duhej trajtuar me kompetencë, përkujdesje e mirësi.
Ndjesia që m’u krijua ishte që për ata, ti ishe vërtet fajtori[pa faj] që po merje kohën e tyre!
Kërkova tia përcjell gjithë këtë pështjellim shefit të pavionit, që më vonë mora vesh se ishte kirurg!!. Nuk di çfarë mrekullish mund të bëjnë duart e atij individi, por me sytë e mi, pashë personin e vetëkënaqur, pa zemër e shpirt, që me një arrogancë e mospërfillje të pashpjegueshme demonstroi mungesën e interesimit për mirëqënien e pacientit.
Keqardhje akoma më e madhe për mua, ishte eskorta e doktorucëve, që shoqëronin shefin e tyre e që me plot lajkatosje e servilizëm përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen e shefit, por aspak të asistonin pacientin.
E të mendosh ata do jenë shëruesit e nesërm!!!
Kam frikë të them por në një nesër të afër do kemi vërtet Qëndra Spitalore që nuk të shërojnë!
Kirurgu/mjeku që nuk është në gjendje të vendos një raport me pacientin, do të ishte më mirë të zgjidhte një profesion tjetër, sesa të masakrojë njerëzit.
Drejtuesja e institucionit me siguri nuk e di se në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor nëpër botë, ankesat e pacientëve konsiderohen një burim i vyer informacioni për të garantuar cilësinë e funksionimit të tyre.
Në këndvështrimin tim, cilësia në kujdesin shëndetësor nënkupton të bërit e gjësë së duhur, në kohën e duhur, në mënyrën e duhur, për të arritur rezultatet më të mira të mundshme në shërbim të jetës.
Në atë institucion, krahas shumë të tjerave, duhet krijuar një etikë tjetër profesionale, që nuk përcakton vetëm rregullat për marëdhëniet mes mjekëve, por dhe rregullat për raportet të drejta mes mjekëve dhe popullit.
Por, a ka njerëz që do donin të garantohej diçka e tillë në atë vend?