Në Panairin e Prishtinës, libri i ri i Mehmet Krajës
Në Panairin e librit në Prishtinë, në stendën e Shtëpisë botuese “Onufri” mund të gjeni romanin më të ri të Mehmet Krajës “E zeza dhe e kuqja”. Kritika ështe shprehur se romani “E zeza dhe e kuqja” është një rrëfim vërshues për historinë dhe aktualitetin, për “Shqipërinë e brendshme” dhe “Shqipërinë e jashtme”, për të zezën dhe të kuqen nga të dy anët, për solemnen dhe tragjiken, për kufirin që i ndan dhe absurdin në mes. Janë përfshirë njëqind vjet “Shqipëri të matanshme”, tri gjenerata që e pësojnë nga një atdhe që është fat dhe mallkim njëkohësisht. Karaktere dhe heronj të paharrueshëm, realitet sureal, jetë njerëzore që rri pezull mbi të gjithë kufijtë ndarës. Një roman plot aromë letërsie, i shkruar me dorë te rëndë, tekst me sfidën autoriale ndaj rregullave që ngurosin stilin dhe me pasuri të shprehjes deri në pamundësitë e gjuhës.