Obama: Presidenca nuk është shfaqje televizive
Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se roli i tij në zgjedhjet e sivjetme për pasardhësin e tij, është që tu rikujtojë amerikanëve se të qenit president është një punë serioze.
“Kjo punë nuk është si ndonjë program televiziv argëtues”, tha ai gjatë një paraqitjeje në programin “Tonight Show” të NBC-së, që do të transmetohet të enjten.
“Kam parë se çfarë vendimesh duhet të merren, punën që duhet bërë dhe kam shumë besim se populli amerikan do të bëjë një zgjedhje të mirë nëse atij i bëhet me dije se për çfarë bëhet fjalë dhe çfarë vendimesh jashtëzakonisht te rëndësishme që duhet të merren”.
Obama ka qëndruar kryesisht larg procesit gjatë të cilit votuesit kanë zgjedhur të emëruarit nga Partia e tij Demokratike dhe rivalja e saj, Partia Republikane. Por tani, kur dihet se Hillary Clinton e Donald Trump do të përballen në garën për president në muajin nëntor, presidenti Obama pritet që të ndihmojë përpjekjet për mbajtjen e një demokrati në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të tretë.
Obama tha në “Tonight Show” të udhëhequr nga Jimmy Fallon se gjatë procesit paraprak zgjedhor, ai ka biseduar dhe u ka ofruar këshilla Clintonit dhe kundërshtarit të saj kryesor brenda kampit të demokratëve, Bernie Sanders. Ai tha, siç edhe është pritur, nuk ka pasur ndonjë bisedë të tillë me Trumpin.
Gjatë fushatës së tij, Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht presidencën e Obamës dhe ka thënë se nëse Hillary Clinton do të zgjidhej, do të vazhdonte politikat e tij.
Obama bëri shaka duke thënë se demokratët janë të lumtur që procesi në kampin e republikanëve ka nxjerrë Trumpin si të emëruarin e tyre, por shprehu gjithashtu shqetësim, duke theksuar se vendi do të funksiononte më së miri nëse të dy partitë janë “serioze dhe përpiqen të zgjidhin problemet”.
“Duam që i emëruari republikan të jetë dikush që mund ta bëjë punën, nëse ata fitojnë. Duam njerëz që i kuptojnë gjërat, me të cilët mund të ulesh përballë në një tryezë e mund të kesh një debat parimor dhe, në fund të fundit, ta çosh vendin përpara”.
Presidenti tha se shpreson që të dyja partitë do të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar, gjë që sipas tij do të jetë më e vështirë se sa që kishte pritur me marrjen e postit në 2009-ën.
“Kur e mora postin, ishim në mes të një krize. Dhe zakonisht shpresa është që të mund të luash lojëra politike, por kur gjërat bëhen serioze dhe ne po humbisnim 800 mijë vende pune në muaj, kur kishim 180 mijë trupa në Afganistan dhe Irak, pret që të kryhen detyrat për një kohë, të lihet anash politika dhe të kryhen punët. Dhe kjo nuk ndodhi”.
Paraardhësi i Obamës, George Bush, ishte në Tonight Show disa herë gjatë presidencës së tij, por paraqitjet e tij në media ishin zakonisht intervista të dhëna programeve të ndryshme.
Për dallim nga Bushi, Obama dhe gruaja e tij Michelle, kanë pasur paraqitje më të shumta në media përfshirë edhe programe komike e shkencore. Presidenca e Obamas përkoi me rritjen e madhe të mediave sociale dhe të dy bashkëshortët Obama kanë llogari në Twitter me postime të shpeshta nga ta ose personeli i tyre. Llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë mund të gjenden në platforma si Facebook, Instagram dhe Snapchat.
Mbetet të shihet se çfarë qasjeje do të kenë Hillary Clinton apo Donald Trump, por që të dy kanë tashmë përvojë në përdorimin e Twitterit për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të kontaktuar me mbështetësit. Ata e kanë përdorur këtë platformë gjithashtu për të sulmuar njëri-tjetrin, një gjë që do të vazhdojë sigurisht deri në ditën e zgjedhjeve në nëntor.