Orë të vështira për ministrin e Brendshëm
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka kohë që nuk ka çehre të mirë në fytyrë. Dy ditët e fundit e kanë vënë atë para faktit të shkarkimit të arrestimit të dy vartësve, shkarkimit të drejtorit të Policisë, Haki Çako, që pranoi përgjimin në prokurori. Zhvillime që janë tjerrur edhe nga politika me gjithfarë spekullimesh: ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se kryeministri po i bën presion të madh ministrit të Drejtësisë për këtë çështje.
Tahiri nga ana e vet ka menduar të mbrohet me të pambrojtshmen: ai ka sulmuar vendimin e gjykatës për shkarkimin e Çakos, me pretendimin e mungesës së shortit për caktimin e gjyqtarit. Por dje në mbrëmje, Gjykata e Tiranës doli me njoftim zyrtar ku deklaroi se caktimi i gjykatësit Aliaj u bë pas tërheqjes së gjyqtarit Botaj për arsye familjare. Ministri ka vijuar edhe sot me këtë tezë, po tashmë ka një vendim gjykate i cili nuk zhbëhet përveçse me një vendim tjetër gjykate.
Në krah i ka dalë sot edhe kryeministri Edi Rama, që nga foltorja e parlamentit ku ka folur mbi një orë ka mohuar të ketë patur përgjime. Kjo është një çështje e hetimeve dhe askush nuk mund të bindet nga deklaratat e një njeriu që siç rezultoi dje, firmos për pranimin e 1900 muxhahedinëve në fshehtësi të qytetarëve të vet. Këtë e vendos hetimi dhe nuk mund të bindet kush, kur ende edhe sot, Interforce nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën e prokurorisë. E cila e ka Sajmir Tahirin subjekt të procedimit të saj. Nëse është e vërtetë ajo që deklaron ministri dhe kryeministri, nuk ka asnjë forcë dhe arsye që ta fajësojë ministrin të cilit nuk dihet pse i është prishur çehrja kaq keq.