Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti slloven apel për njohjen e Kosovës, Serbia notë proteste

Një deklaratë e Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, i cili apeloi për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, gjatë vizitës së Presidentit Hashim Thaci në Lubjanë, është bërë shkaku që Ministria e Jashtëme e Serbisë të dorëzojë një notë proteste në ambasadën sllovene, ku dënon ligjëratën e Kreut të Shtetit. Në këtë notë, theksohet se prononcime të tilla rrezikojnë marrëdhëniet dypalëshe si dhe cënojnë interesat kombëtare të Serbisë.

Deklarata e Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, i cili apeloi për njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë vizitës së Presidentit Hashim Thaci në Lubjanë, nuk është pritur mirë nga qeveria e Serbisë. Ministria e Jashtëme serbe, ka dorëzuar një notë proteste pranë ambasadorit të Sllovenisë në Beograd, Vladimir Gasparic, ku kritikohet ashpër deklarata e Presidentit. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu apelin e Pahor për mbështetjen e Kosovës sa i përket integrimit të mëtejshëm të vendit në organizmat ndërkombëtarë. Zyrtarët e Beogradit kanë nënvizuar se prononcime të tilla rrezikojnë marrëdhëniet dypalëshe si dhe cënojnë interesat kombëtare të Serbisë.

Presidenti Thaci zhvilloi ditën e hënë vizitën e parë bilaterale në Slloveni në cilësinë e Presidentit të Kosovës. Ai mbajti takime me homologun Borut Pahor si dhe me Kryeministrin Miro Cerar. Gjatë vizitës, Thaci diskutoi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Sllovenia e ka njohur pavarësinë e Kosovës që prej datës 5 Mars të vitit 2008.

Please follow and like us: