Albspirit

Media/News/Publishing

Pse kaq të heshtur me dekriminalizimin?!

Pse kaq të heshtur me dekriminalizimin?!

Nga Alban Daci

Sot, shqiptarët përballen me një fenomen të tmerrshëm, jo me kriminalizimin e shoqërisë, sepse që kur lindi njeriu, bashkë me të lindi dhe nevoja për të devijuar nga rregullat dhe normat e përgjithshme të shoqërisë e kjo lidhet me vetë natyrën e njeriut për të qenë i lirë dhe për ti imponuar rregullat dhe normat për të tjerët, por duke përjashtuar vetën in primis.
Shqiptarët përballën me kriminalizimine politikës dhe të institucioneve. Pra, sot në Parlament mund të ketë njerëz që janë dënuar për përdhunime dhe ato sot janë në pozicionin që duhet të prodhojnë legjislacion për të mbrojtur gruan nga çdo lloj forme dhune, fizike apo edhe seksuale e pse jo edhe psikologjike.
Ne sot mund të kemi njerëz në Parlament që janë dënuar për trafiqe të qenieve njerëzore e në pozicionin e deputetit, përfaqësuesit të sovranit, duhet të bëjnë norma e ligje për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore.
Ne, sot në Parlament mund kemi njerëz që janë të dënuar për trafik drogë, për përdorues droge e në pozicionin e deputetit apo të ministrit bëjnë fushatë kundër drogës, alkoolit dhe duhanit.
Ne, sot në Parlament mundtë kemi njerëz që janë dënuar për vrasje e këto sot në pozicionin e deputetit duhet të bëjnë norma dhe ligje që mbrojnë sigurinë e qytetarëve.
Pra, ajo që ndodh në Shqipëri është shumë e rëndë dhe është e pakuptueshme heshtja e qytetarëve, të cilët pranojnë pa kushte nënshtrimin dhe po ashtu pranojnë po pa kushte mungesën e të ardhmes.
Në çdo shoqëri ka të inkriminuar, ka të devijuar, por ka institucione, ligje e sistem drejtësie që i ndëshkon ata në proporcion me veprën e tyre që kanë bërë. Megjithatë, nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike perëndimore, që të inkriminuarit të jetë përfaqësues të shtetit (shtetbëres) dhe po ashtu përfaqësues të Shtetit të së Drejtës.
Pra, sot shqiptarët po përballen me një gjë të tmerrshme, shteti që përfaqësohet dhe kërkohet të mbahet nga anti-shteti. Procesi i dekriminalizimit po kërkohet të monopolizohet qëllimisht nga një pjesë të politikës duke e konsideruar vetëm si çështje politike dhe si çështje që i përket të së drejtës. Nuk është kështu, kjo është një çështje shumë e rëndësishme që prek jetën e çdo qytetar dhe të ardhmen e të gjithëve të përbashkët. Duke qenë që është kështu është e pafalshme, që masa (qytetarët) të jetë krejt indiferentë, sikur të ishte diçka e huaj dhe painteres.
Procesi i dekriminalizimit është proces gjithë përfshirës dhe ku qytetarët duhet të kenë rolin kryesor e parësor. Ndryshe, ky proces i mopolizuar nga një politikë e caktuar rrezikon të jetë një farsë. Dekriminalizimi është një sistem dhe si i tillë nuk lidhet me përjashtimin apo lënien e mandatit të disave, por ajo që është thelbësorë është që ai të mos jetë i përsëritshëm dhe i rekuperueshëm.
Po si mund të rikuperohet dhe të jetë i përsëritshëm dekriminalizimi? Politika shqiptare ka në dorë monopolin e propozimit të kandidatëve dhe të figurave në nivele të ndryshme përfaqësimi. Nëse, qytetarët nuk e pranojnë drejt rëndësinë e dekriminalizimit dhe nëse nuk i bëjnë presion politikës për ta përjashtuar e ç’rrënjosur, ato mund të jenë përsëri të pranishëm në listat e zgjedhjeve të 2017.
Po duket qartë se një pjesë e politikës jo vetëm që nuk po reflekton me të inkriminuarit në gjirin e saj, por po tenton hapur dhe pa frikë që t’i rikuperojë duke I rikthyer në postet që u detyruan të lënë. Madje, në këtë paradë të turpshme, disa qytetarë që kanë shitur shpirtin tek djalli, janë bërë pjesë duke kërkuar rikthimin e tyre. Një shoqëri me vlera të forta morali dhe njerëzore duhet tu thotë jo të inkriminuarve.

 

Please follow and like us: