SHBA e BE ofruan plan kompromisi
Reforma në Drejtësi, burime ndërkombëtare i thanë Zërit të Amerikës se para takimit Rama-Basha, palëve iu paraqit një variant i ri ku kërkohej që secili të përshtaste pozicionet: “Qeveria e pranoi 100 për qind. Opozita këmbënguli te vendet e rezervuara”
Zëri i Amerikës ka mësuar arsyen se përse ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi dje se ndërsa “Qeveria shfaqi fleksibilitet, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”, në takimin e realizuar të hënën mes kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë demokratike. Burime ndërkombëtare shpjeguan se SHBA-të dhe BE-ja i paraqitën qeverisë dhe opozitës, javën e shkuar një plan kompromisi për reformën në drejtësi. Plani, i cili i paraprinte takimit mes dy udhëheqësve politik shqiptarë, iu kërkonte të dy palëve të përshtasnin pozicionet e tyre. Burimet saktësuan se “Qeveria e pranoi planin e kompromisit 100%. Opozita pranoi shumë nga aspektet e propozimit por këmbënguli për metodën e vendeve të rezervuara për përzgjedhjen e këshillave të ndryshme”. Pikërisht kjo këmbëngulje nga ana e PD është motivi pse Ambasada e SHBA-ve u shpreh se opozita nuk dëshmoi fleksibilitet.