Albspirit

Media/News/Publishing

Skandali përgjimeve/ Basha: Rama e Tahiri janë në panik, prandaj po bëjnë presion mafioz mbi drejtësinë

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar sot pas sulmeve të një ditë më parë që kryeministri Rama dhe ministri Tahiri bënë ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili pezulloi drejtorin e Policisë, Haki Cako, për llogari të hetimeve që kryen prokuroria në skandalin e përgjimeve. Sipas Bashës, Rama e Tahiri po ushtrojnë presion mafioz mbi drejtësinë.

“Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para cdokujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit. Fillimisht Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë kur liroi babain e Tahirit. Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin te perdorin këtë gjuhe të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi degjuar as Ramen e as Tahirin ti quajnë vrasës me pagese Shullazin, Habilajt apo Balilin. Tani jane hedhur perpjete sikur i ka pickuar gjarpri. Jane hedhur përpjetë jo per drejtesi por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre qe po bie me yrysh ne llucen e megaskandalit te pergjimeve. Ketij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë”, tha Basha.

Sipas tij Rama e Tahiri janë në panik nga ato që mund të zbulojnë hetimet, prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë.

“Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe te pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin”, shtoi Basha.

Please follow and like us: