Albspirit

Media/News/Publishing

Skraparlinjtë e Myzeqesë

Demir Korita

 

Kodrat e Ardenicës dhe Manastirit duken si një vapor gjigand në mes të fushës së Myzeqesë, duke ndarë atë në dy pjesë. Jo më kot ndërtuesit e shekullit 14-të ngritën aty manastirin, si një pikë strategjike pelegrinazhi, nga ku ngopesh së pari pejsazhin e bukur që të shpaloset nga të dyja krahët e fushës së pafundme të Myzeqesë. Vizitori që në lashtësi e në të gjitha kohërat, mahnitet me konfiguracionin e bukur që i ka dhënë natyra kësaj treve. Relievi i butë, fushat e pasura e pjellore, që përshkohen mespërmes nga lumi Seman, blerimi i harlisur i bimësisë, klima e përshtatshme për prodhimet e shumta bujqësore dhe blektorale, janë disa nga tiparet e saj më tërheqëse.

Dikur kjo krahinë është banuar nga fisi i taulantëve, të cilët njihen për njerëz me karakter të fortë, punëtorë, të urtë e tolerantë. Duke qënë se në një pozicion të tillë gjeografik kjo trevë njihet për kulturën dhe zhvillimin e saj në lashtësi, siç është Apollonia (Pojani i sotëm), Porti i Pirgut (Seman), ai i Divjakës, me të cilin vendasit lidheshin me vendet perëndimore e përtej detit ku bënin tregëti.

Myzeqeja me bujqësinë e saj i ngjan një sofre të madhe, ku ka hapur dyert dhe ka pritur me qindra e mijra familje nga vise të ndryshme të vendit, duke bashkëjetuar me ta në vite e shekuj, me dashuri e vëllazëri të plotë. Duke qënë një trevë e begatë, aty nga gjysma e shekullit 17-të, fillojnë vërshimet e para të voskopojarëve e grabovarëve, drejt ultësirës perëndimore të Shqipërisë, d.m.th.të Myzeqesë e kryesisht në zonat kodrinore të Fierit, Lushnjes e Vlorës. Një pjesë e tyre, aty nga viti 1864-1866, vendosen në qytetin e Fierit, që atëherë ishte në fazën e parë të zhvillimit, kryesisht të zejtarisë e tregëtisë.

Në fillim të shekullit 19-të, shohim që banorët e Nahijes së Beratit, Shpiragut dhe pjesërisht nga qyteti, të vendosen në qytetin e Fierit, pjesërisht në Lushnje, të cilët prireshin nga artizanatet dhe tregtia, siç janë të njohura xhokaxhinjtë, samarxhinjtë, nallbanët, etj. Mbas vitit 1925 nga viset e Kosovës vijnë shumë familje kosovare, por dhe një pakicë boshnjake në zonën e Fierit, të Lushnjes, si në Rreth-Libofshë, Hamil, Pojan, Petovë, Vanaj, Gurzë të Lushnjes, etj.

Më pas, në vitet 30-të, në Fier e Lushnje, shohim të vijnë dibranët, të njohur si ndërtues të mrekullueshëm. Disa nga ndërtimet e tyre janë edhe sot.

Po kështu nisën vërshimet e para të disa blegtorëve nga Skrapari të cilët u vendosën në Libofshë, Roskovec, Kosovë të madhe të Lushnjes e Karbunarë, pa përjashtuar disa nëpunës e oficerë që ishin në administratën shtetërore të këtyre vendeve. Po kështu edhe shumë familje nga Kurveleshi, Labëria e Mallakastra vendosen në Frakull, Levan, etj.

Ndërsa në muajt gusht-shtator të vitit 1944, mbrijnë refugjatët e parë çamë të shpërngulur me forcë, gjatë genocidit grek ndaj popullsisë çame, të cilët vendosen në qytetin e Fierit, në fshatrat, Ferras,Petovë, Kolonjë të Lushnjes, Lushnje, Çermë, pa folur këtu për Vlorën, Tiranën, Sarandën, Durrësin, Shkodrën, etj.

Kështu që popullsia vendase e Myzeqesë bëri gjithçka për t’i pritur e sistemuar në tokat e tyre, duke ndarë gjithçka midis tyre deri edhe kafshatën e bukës.

Por ajo që bën të fokusohem në këto pak rreshta është tendeca migruese e skraparllinjve drejt tokave të Myzeqesë dhe integrimi i tyre me popullsinë vendase.

Skrapari është një nga njësitë gjeografiko-administrative më skajore të vendit. Ai kufizohet nga Korça, Kolonja, Berati e Përmeti dhe i përket një lartësie mesatare mbi 980 m mbi nivelin e detit. Klima është relativisht e ftohtë, kryesisht gjatë dimrit, i cili sjell edhe reshjet më të mëdha të dëborës. Vera është e nxehtë dhe me reshje të kursyera.

Ekonomia është më tepër e karakterit rural, e bazuar kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Para çlirimit ky sektor ishte tepër i prapambetur, aq sa fshatrat mezi mundnin të siguronin tre muaj bukën e gojës në vit. Prodhimet blektorale siguroheshin nga kullotat e bollshme natyrore, por për tregëtimin e tyre skraparlinjtë shkonin deri në kasabatë e Korçës e të Beratit. Transporti i mallrave bëhej me kafshë pune dhe udhëtimi kryhej me rrugët këmbësore tradicionale. Kushtet e një varfërie të tillë të skajshme dhe mundësia e kufizuar e shfrytëzimit të resurseve natyrore të kësaj treve, i bënë banorët e saj të kërkonin rrugë të reja jetese duke u larguar nga trojet e veta të vendlindjes. Në fillim ata bënin migrim sezonal duke zbritur fushave me bagëti vetëm në stinët e ftohta të vitit, pastaj dalngadalë filluan të blinin toka e të vendoseshin me banim të përhershëm në krahinën e Myzeqesë.

Zhvendosjet e para të skraparllinjve drejt Myzeqesë janë bërë pas vitit 1821. Kjo periudhë përkon me masat e shpronësimit të disa spahijve e bejlerëve të kësaj zone nga qeveria osmane. Rënia nga “vakti” e kësaj shtrese, ndikoi që një pjesë e fshatarëve të dobësohej dhe rrënohej plotësisht. Ngulimet e tyre jnë bërë në Roskovec, Velmish, Belinë, etj. Familje të tilla ruajnë mbiemrin Velmishi, Goduni dhe tashmë këto fise janë zgjeruar e përhapur edhe në zona të tjera të vendit.

Aty nga viti 1910, një numër i madh i të rinjve të Skraparit morën udhët e kurbetit drejt Amerikës, Turqisë dhe Italisë. Kjo periudhë ishte për të vazhduar lëvizjen emigruese të hershme të skrapallinjve të cilët vazhduan edhe në periudhat e mëvonshme të historisë.

Rreth vitit 1917, është përsëri një lëvizje e brendshme migruese e popullsisë të Skraparit. Familje të njohura nga Koprëncka,Vlusha (Sanxhakët) u vendosën në Portëz, Roskovec e Libofshë. Po kështu nga Zaloshnja zbritën pjesëtarë të fisit të patriotit Servet Zaloshnja e u vendosën në Verbas. Në fshatin Kraps u vendosën familjet nga Staravecka, ndërsa fisi Buba u vendos në Ngurrëz të Lushnjes.

Mbas viteve ‘30 Hysen Zaloshnja (patriot) dhe Alush Grepcka (dëshmor) punojnë si nënprefekt për zonën e Roskovecit dhe sekretar komune. Në kryengritjen antizogiste të Fierit, gusht 1935, ishin angazhuar shumë ushtarakë skraparlinj, në krye të së cilës ishte Riza Cerova, por në Fier, Xhevahir Arapi (Spathara), në atë kohë xhandar, qëlloi për vdekje general Gjilardin. Mbas vitit 1940 migrimi i skraparlinjve filloi të rritej ndjeshëm. Mbi 10 familje u vendosën në fshatin Petovë, të tjera u vendosën në fshatrat: Drizë, Vajkan, Libofshë, Xhepaj, Portëz, Levan, Kolonjë të Lushnjes, Eskaj, Bitaj, Ngurrëz, Kosovë, Mbrostar, Karbunarë, etj.

Është për t’u theksuar se skraparlinjtë e ardhur në Myzeqe gjetën këtu, midis banorëve të saj një ambjent të ngrohtë e miqësor. Fisnikëria karakteristike e shpirtit myzeqar, dashuria për shokun e mikun, ndihma e pakursyer që u jepnin ata të ardhurve dhe veçanërisht urtësia e tyre e paçmueshme, bënë që shumë shpejt ata të integroheshin midis tyre.

Është fakt i pakundërshtueshëm se të gjithë skraparlinjtë e ardhur në Myzeqe, me fillimin e Lëvizjes Antifashiste Nac.Çl. u rreshtuan në radhët e saj, përkrah vëllezërve të tyre myzeqarë. Kështu p.sh.në celulën e parë komuniste të Libofshës, krijuar më Nëntor 1942, bënin pjesë edhe skraparlinj: Sadik Koprencka, Hysen Sanxhaku dhe Sefer Shahini, krahas shokëve të tjerë vendas si: Jovan Sema, Mihal Jano, Llaqi Jano, Nikoll Kulja e Joti Dhamo. Ndërsa çeta partizane “Ismail Qemali” e cila u formua më 16 mars 1943 në Kraps të Fierit kishte si komandant e komisar dy skrapalinj; Beqir Zaloshnja dhe Xhelal Staravecka. Gjithashtu disa nga figurat kryesore të LANÇl, të qarkut Berat –Skrapar, si Kahreman Ylli, Sekretar Politik Zylyftar Veleshnja (Hero i Popullit), Neshat Hysi, Skënder Malindi, etj, në mars të vitit 1943 në krye të çetës së Skraparit, vijnë në Myzeqe e luftojnë krahas partizanëve myzeqarë, kundër pushtuesit fashist e kriminelit famëkeq Isa Toska. Në njërin nga këto luftime bie dëshmor edhe skraparliu Tefik Lapani. Në çetën partizane të Myzeqesë, u radhitën tre pjesëtarë të familjes Buba, Nasipi, Aliu e Xhaferri. Nasipi është plagosur dy herë gjatë përpjekjeve me armikun. Më pas ai është angazhuar me Komandën e Vendit, ku u zgjodh edhe kryetar i KANÇ-it për fshatin Bitaj.

Më pas, do të ishte Skrapari ai që do të priste luftëtarët e Myzeqesë në territoret e veta, të cilët mbushën radhët e Brigadës 7 S, dhe së bashku me skraparlinjtë e shumtë, krah për krah në llogoret e frontit luftarak.

Në luftimet për çlirimin e Fierit të zhvilluara në mesin e tetorit 1944 bie heroikisht Zv.Komandanti i Batalionit të Dytë të Brigadës 16, Sadush Myftari dhe plagoset rëndë Izet Zaçe. Në territorin e Myzeqesë dhanë jetën 16 bij të Skraparit – sot dëshmorë të atdheut. Po kështu bijtë e Myzeqesë të inkuadruar në Grupin e Parë të Myzeqesë luftuan në malet e Skraparit kundër forcave nazi fashiste në Operacionin e Dimrit ku dhanë jetën 18 prej tyre, sot dëshmorë të atdheut.

Ky unitet i siguruar në marrëdhëniet korrekte ndërmjet vendasve dhe komuniteteve të ardhur, vazhdoi të merrte jetë edhe më shumë pas LANÇl e deri në ditën e sotme.

Mbas çlirimit, me zhvillimet e vrullshme ekonomike, kryesisht në zonat naftëmbajtëse të Patos – Marinzës, nga Skrapari erdhën shumë djem. Ata u futën në ndërmarrje të ndryshme të naftës dhe punuan me pëkushtim duke arritur të bëheshin specialistë dhe mjeshtra të zotë të kësaj fushe si: Jake Caka, Kamber Breshani, Adem Ibro, Kapllan Hajdari (Hero i Punës Socialiste), Myrteza Hysenbelliu (Hero i Punës Socialiste), Hysni Ajasllari (Hero i Punës Socialiste),etj. Disa më të rinj si inxhinjerët: Agron Çuedari, Meleq Koçibelliu, Myftar Korita, Tajar Hysi, Ylli Molla, Shkëlqim Zaloshnja, Adem Sanxhaku, u bënë kuadro drejtues të zotë, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës e ndërmarrjeve të tjera të nxjerrjes e prodhimit të naftës e të gazit.

Lëvizja tjetër më masive e skraparlinjve është bërë në periudhën e bonifikimit të kënetës së Tërbufit, të Mbrostarit, Sheqit e Semanit, si dhe në momentet e krijimit të ndërmarrjeve bujqësore. Shumë familje në këtë kohë, janë vendosur në fermat e Çermës, Dushkut, Savrës, Mizë të Divjakës, NB Çlirim Fier, Mbrostar Ura, Seman, Levan, Portëz, Roskovec,etj. Edhe në këto vende, skraparlinjtë u shquan për respektimin e raporteve humane me vendasit. Ata lidhën me ta miqësira të reja dhe forcuan ato më të vjetrat.

Një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve kanë luajtur edhe kuadrot e reja të fushave të ndryshme të aktivitetit social, të cilët kanë drejtuar në zonën e Myzeqesë. Të tillë janë: në Fier, mjeku i talentuar Qazim Cerga, Mehdi Mollasi, Ilmi Bejko, Zija Shahini, Zako Caka (Osoja), nëpunës, Sadik Koprëncka, Hysni e Qazim Sanxhaku, Nasibi Zyka, Besim Bega, Xhemal Dingu (Rogu), Njazi Hysi, Neki Hysi, Nazif Myftari, të gjithë ushtarakë madhorë e deri te prokurorja e rrethit Marjeta Zaimi, Nebi Shkëmbi, mjeku kirug Berti Meta, farmacisti Vladimir Sanxhaku, poeti Përparim Hysi, skulptori Haxhi Kalluci, Heroi i Punës Socialiste Myslym Zyka, arkitekti Lavdosh Celibashi, botuesi Agim Celibashi, Nuredin e Gurie Qato, Gani Bendo, Irfan Hajdari, Donika Alushani, etj. Në Lushnje poeti Visar Zhiti, Xhemal Dauti, Ramadan Hysi e Muhamet Sanxhaku në Kolonjë. Një lëvizje tjetër që konsiderohet më masive e të gjitha periudhave të deritanishme, është ajo e ndodhur mbas ngjarjeve dramatike të vitit 1997, ku gati 40% e popullsisë së Skraparit është larguar drejt zonave fushore të Vlorës, Fierit, Lushnjes, Durrësit, Tiranës. Por për jetën dhe veprimtarinë e tyre në zonën e Myzeqesë, flasin jo vetëm puna dhe arritjet e tyre të suksesshme, por edhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta me vendasit. E për më tepër vetë vendasit të cilët i kanë etikuar ata vëllezërit e tyre të pandarë.

Please follow and like us: