Tradhtia shqiptare e agjentit të dyfishtë britanik, Kim Philby
BBC ka transmetuar për herë të parë pamjet filmike të një fjalimi të ish-spiunit famëkeq Kim Philby, një nga agjentët më të rëndësishëm të shërbimit sekret britanik, që më pas u arratis në Moskë ku dhe vdiq.
Videoja është gjetur në arkivat e ish-shërbimit sekret gjermano-lindor Stasi dhe në to ai flet për jetën e tij si agjent i dyfishtë. Në të ai shfaqet duke folur në një seminar me agjentët gjermano-lindorë, të cilëve u mëson se si të jenë të suksesshëm në spiunazh.
Filmimet janë të parat që publikohen për të. Gjatë fjalimit, Philby përmend edhe një episod për të ilustruar kostot njerëzore të tradhëtisë së tij.
Në kohën kur ishte me detyrë në Uashington si ndërmjtës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Philby tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Philby tregon se informacionet për kohën dhe vendndodhjen e të ashtuquajturve diversantë ia kalonte KGB-së sovjetike dhe kjo e fundit më pas Sigurimit të Shtetit në Tiranë, i cili asgjësoi shumë prej tyre.
Në leksionin e tij, Philby pretendon se ka ndihmuar për parandalimin e luftës së tretë Botërore. Ai pretendon se, nëse nuk do të kishte kompromentuar operacionin dhe nëse ai do të kishte patur sukses, CIA dhe shërbimi sekret britanik do të tentonin sërish të njëjtën gjë në vende të tjera komuniste si Bullgaria. Sipas tij, kjo do të çonte në ndërhyrjen e ish-Bashkimit Sovjektik, duke çuar në një luftë të vërtetë.
Kim Philby arriti të shndërrohej në një nga drejtuesit më të lartë të shërbimit sekret britanik SIS, siç njihej gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje, ai ishte shumë pranë marrjes së postit të shefit të këtij shërbimi, para se të ndërronte kah e të dezertonte në Moskë./Top Channel