“Vrasësi me pagesë”që liroi babanë e Tahirit dhe “vrasësit me pagese” Shullazi, Habilaj apo Balili…
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka denoncuar sulmin e radhës,q ë sot, sërish kryeministri Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë bërë prokurorisë e gjykatës.
Sipas Bashës, Rama e Tahiri etiketojnë “vrasës me pagesë” gjyqtarin që liroi babanë e ministrit të Brendshëm dhe nuk thonë asgjë për “vrasësit me pagesë”, Shullazin, Habilajn apo Balilin.
Kreu i PD i bën apel më tej prokurorisë e gjyqësorit të mos stepen por të çojnë deri në fund zbardhjen e megaskandalit të përgjimit të jashtëligjshëm.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës
Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para çdokujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit.
Fillimisht Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë kur liroi babanë e Tahirit.
Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin te përdorin këtë gjuhe të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi dëgjuar as Ramën e as Tahirin ti quajnë vrasës me pagese Shullazin, Habilajt apo Balilin.
Tani janë hedhur përpjetë sikur i ka pickuar gjarpri. Janë hedhur përpjetë jo për drejtësi por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre që po bie me yrysh ne llucën e megaskandalit të përgjimeve.
Këtij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë.
Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë te tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe përgjegjësit e tyre në megaskandalin e përgjimit.
Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat. Kane nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla ne brez për të shantazhuar gjykatësit e për të sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë.
Prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë këtë megaafere duhet ta dine se kanë ne dore fatin e një demokracie te tere. Se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracisë dhe agimi i tiranisë se shtetit mafioz. Ata kane mbështetjen e çdo shqiptari te ndershëm dhe duhet ta çojnë deri ne fund këtë hetim, te bëjnë transparence, te vendosin ligjin.
Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe te pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin.