Ftesa e Metës për Bashën/ Tabaku: LSI ka vetëm 20 deputetë
Deputetja e Parisë Demokratike Jorida Tabaku ka folur lidhur me ftesën e Kryeparlamentarit Ilir Meta për Kryetarin e PD-së Lulzim Basha në kuadër të Reformës në Drejtësi. Duke folur në emisionin ’45 minuta’ nga Denis Minga në Report Tv, Tabaku tha se qëndrimi i LSI-së ka qënë dytësor në lidhje me reformën dhe se kjo forcë politike ka vetëm 20 deputetë që mund të votojnë draftin e ndryshimeve kushtetuese. Tabaku thekoi se PD është e interesuar për reformën në drejtësi ndërsa këmbënguli edhe një herë se vendet e rezervuara përbëjnë ngërçin ku ndahen palët. “Unë u njoha para disa minutash me ftesën e Metës, roli i LSI gjithmonë ka qënë dytësor. Meta ka në fund të ditës gjithsesi 20 deputetë pavarësisht se deputetët e LSI nuk kanë mbajtur ndonjë qëndrim të fortë. Unë nuk kam edhe sot ndonjë ide të qartë se çfarë qëndrimi mbajnë ata ndaj përmbajtjes së draftit të reformës”, është shprehur Tabaku. Lidhur me kushtin e afatit kohor të vënë nga Meta, Tabaku tha se ky problem është ëhtë i zgjidhshëm. “Basha do të flasë për këtë çështje sapo të informohet për ftesën.” vijoi më tej deputetja demokrate. Lidhur me mendimin e saj për këtë takim, Tabaku tha “Nuk dua të flas konkretisht, pasi është akoma një takim hipotetik. Por në parim më mirë është të takohen edhe të diskutojnë sesa mos të takohen. Unë shpresoj ne të gjithë në këtë proces t’i përmbahemi Komisionit të Venecias. Ne jemi pro reformës në drejtësi”.