Albspirit

Media/News/Publishing

Gabimi skandaloz i Europës me shqiptarët

 

Nga Gazmend Shpuza

Midis miqve të mirënjohur të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që u janë gjendur atyre në kohë shumë të vështira dhe vendimtare për fatin e kombit, është edhe amerikani Xhorxh Fred Uiliams (George Fred Williams), korrik 1850-1932.

Pasqyrë konçize e pikëpamjeve të Xh.F. Uiliamsit për vendin tonë dhe banorët e tij është libri “Shqiptarët” (The Skypetars) i botuar më 1919, i cili përmbledh artikuj, që autori kishte botuar në shtypin amerikan qysh në vitet 1914-1915.

Libri është pasqyrë besnike e kontakteve të tij të drejtëpërdrejta me Shqipërinë dhe shqiptarët, i refleksioneve të tij mbi historinë dhe aktualitetin shqiptar të kohës së tij.

Ai e vizitoi Shqipërinë në ato vite, me sa dimë dy herë, në vjeshtë të vitit 1914 dhe në fillim të vitit pasardhës 1915, me sa duket në muajin janar. Në Shqipëri vijonte Kryengritja kundër Esad pashë Toptanit, e quajtur Kryengritja e H.Qamilit.

Njohja me mjedisin shqiptar e ndihmoi autorin të kapërcente paragjykimet që ekzistonin mbi këtë pjesë të globit dhe të banorëve të saj. Për shumicën e problemeve të cekura prej tij ai arriti në konkluzione sa realiste aq edhe interesante. Sigurisht që procesi i njohjes nuk ishte i lehtë, ai kaloi nëpër mjaft momente të turbullta, nëpër mjaft zigzake, se përveç rrethanave të tjera dhe vetë realiteti shqiptar po kalonte periudha të tilla. Në sajë të bindjeve të tij demokratike, të humanizmit të vet ai në përgjithësi u ngrit mbi këto vështirësi. Me bagazhin e tij kulturor dhe njerëzor të veçantë ai na ka lënë pas një vepër, e cila jo vetëm pasuron bibliotekën albanologjike të historisë, por ruan njëkohësisht dhe karakter aktual.

Vepra “Shqiptarët” të Xh.F.Uiliamsit dallohet nga mënyra e trajtimit të çëshjteve të shtruara në  të nga ana e autorit. Thelbin e trajtesës së tij përbën çështja kombëtare shqiptare dhe fati i kombit shqiptar.

Vepra e Xh.F.Uiliamsit tingëllon jo vetëm aktuale por edhe mësimdhënëse. Duke u ruajtur që të mos bihet në krahasime mekanike, mund të thuhet, se edhe periudha e sotme e tranzicionit të tejzgjatur për shqiptarët ka disa pika gjasimi me periudhën e përjetuar dhe të përshkruar nga autori ynë, përforcon dhe më tej theksin aktual të librit të tij.

Libri “Shqiptarët” i Xh.F.Uiliamsit është në të njëjtën kohë dhe pasqyrë e evoluimit të pikëpamjeve të tij të shprehur në momente, kur çështjet nuk ishin kristalizuar ende. Kjo flet për seriozitetin e autorit dhe sensin kritik bile autokritik të tij të trajtesës së tij.

Kemi parasysh mbështetjen që i dha tezës antishqiptare të përhapur aso kohe për qeverisjen e shtetit të ri shqiptar me anë kantonesh, të cilën e rishikoi brenda pak muajsh. Porse përsa i takonte vlerësimit të “Protokollit të Korfuzit” ai mbeti në pozitat e para.

Që në krye të punimit autori thekson motivet që e shtyn atë të ndërmerrte botimin e librit pikërisht në këtë kohë. Historia, siç shprehet ai, e dhimbshme e popullit shqiptar nuk i është bërë ende e njohur popullit të ShBA-së. Në vendin e Bajronit, vargjet e të cilit për shqiptarët ai i citon që në krye të kapitullit, shtetet e mëdha kanë vendosur t’a zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Fjala është për Konferencën e Londrës. “Në sallat e errëta të diplomacisë europiane për shekuj me rradhë, shkruan Uiliamsi, ka qënë mbyllë e mundue fati i Shqipërisë”.

Xh.F.Uiliams shkruan me besim në forcat e popullit shqiptar si një racë vitale: “Ky popull është shëmbëlla më e madhe për të mbajtunit e moralit dhe të meritave të trashigimive, për fisnikërinë dhe për kapasitetin e tij, që me gjithë se shekuj me rradhë qenë nën influencën tirane dhe degraduese, e mban prap kryet nalt nuk i hupë shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit, ata nuk janë një racë që shtrohen nga frika”.

Në shqyrtimin e zakoneve të shqiptarëve, autori patjetër do të ndalej tek zakoni i gjakmarrjes, duke vënë në pah shkaqet e kësaj dukurie aq të përhapur në vendin tonë në të kaluarën dhe të ringjallur, fatkeqësisht, nga zeroja këto 25 vjet. Me të drejtë këto shkaqe ai i gjen, veç të tjerash dhe te politika e sunduesve osmanë. “Ligjet turke në këto vende nuk jepshin ndonjë farë drejtësie, i inkurajoshin këto zakone që këto shkaktojnë përçarje grindje dhe armiqsina të brendshme në mes të shqiptarëve, gjana që i lehtësojshin barrën Turqisë për të imponue ma tepër tiraninë dhe robninë”. Duke pasur parasysh konkluzionet e para një shekulli të XH.F.Uiliamsit për drejtësinë osmane, nuk mund të mos bëhen përqasje të padëshirueshme me realitetin tonë të sotëm.

Autori konstaton, se në asnjë vend të botës nuk është më e sigurtë gruaja se në Shqipëri. Pa dashur të idealizojmë konstatimin jo vetëm të këtij autor të huaj, burrat shqiptarë nuk i lejonin vetes të shburrëroheshin duke vënë dorë mbi gruan dhe aq më pak t’i drejtonin armën.

Vitaliteti i racës shqiptare, sipas Uiliamsit, dëshmohet gjatë gjithë historisë së tyre dhe në kontributin e tyre në përpjekjet e popujve fqinjë për liri si p.sh. në Greqi, histori të cilën ai e ka njohur mirë.

Kapitullin sa interesant po aq dhe bindës të titulluar “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha” e fillon me një citat të një burri shteti suedez të shekullit të shtatëmbëdhjetë i cili thoshte: “Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”.

Fuqitë evropiane, duke dashur të pengonin daljen e Rusisë në Detin Mesdhe, (konstaton me të drejtë Uiliams) i zgjatën jetën sundimit osman në Shqipëri. Për këto arsye, në Kongresin e Berlinit, thekson ai ata nuk morën në shqyrtim të drejtat kombëtare dhe aspiratat e këtij populli të parashtruara me forcë dhe në mënyrë të përsëritur prej përfaqësuesve të tij. Shqipëria u bë viktima e politikës evropiane të ruajtjes së status quo-së. Mbi kurrizin e Shqipërisë vazhdon të vëjë në pah me të drejtë autori, peshonte dhe rivaliteti midis Austrisë dhe Italisë.

Le të përkujtojmë, se megjithëse Lidhja e Prizrenit ngriti në këmbë për më se tre vjet një lëvizje të fuqishme kombëtare, Fuqive të Mëdha nuk u voliste ta njihnin ekzistencën e çështjes shqiptare. Prandaj nuk u angazhuan për ta shqyrtuar atë, në kohën kur ju interesonte të merreshin me çështjen armene apo dhe atë maqedone kur askush nuk e quante veten maqedonas.

Pikërisht në një klimë të tillë europiane, Shqipëria u bë, siç shprehet Uiliams, viktima kryesore e diplomacisë së shastisur të Evropës: “Ata prenë copa me rëndësi nga toka e Shqipërisë dhe ia dhanë fqinjve në Veri dhe jug e në Lindje, tue shkaktue kështu ngatërresa dhe lufta të përditshme në mes të këtyne shteteve, copën që mbeti nga gërshana e tyne e quejtën shteti indipedent i Shqipërisë”. Autori konkludon, me të drejtë, se Evropa ishte fajtore dhe vuajtjet dhe fatkeqësitë e saj vinin nga ajo.

Konferenca e Londrës, e cila mori përsipër organizimin e shtetit të ri shqiptar, e la atë pa një administratë, pushtet legjislativ dhe gjyqësor të rregullt. Ndërsa pushteti ekzekutiv u copëzua midis Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, organizatorëve hollandezë të xhandërmarisë dhe princit. Ndërsa qeveria e tij, që përfaqësonte të vetmin element shqiptar, nuk llogaritej.

Çfarë fuqish e kompetencash i mbeteshin princit, kur administratat, financat dhe sigurimi publik u dhanë nëpër duar të tjera, pyet me të drejtë autori. Ky regjim, konkludon ai, qe vetëm “një sundim tiran dhe një despotizëm i deklaruar me urgjencë”. Gjithë këto parregullsi ligjore dhe administrative kishte krijuar një anarki, e cila kishte, siç shprehet Uiliamsi, për synim me “shkaktue revolucione”. Për të plotësuar këtë kuadër çorganizues, sipas Uiliamsit, Fuqitë e Mëdha zgjodhën për anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, përfaqësues në rang konsujsh, duke e lënë çështjen e formimit të shtetit të ri shqiptar në duar të papërshtatshme.

Duke iu referuar gjendjes së krijuar në vend, më 1913-1915, Uiliams shkruan:

 “Po të mos ngrihesh populli shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për shqiptarët nuk do të besohesh fare dhe do të thuhesh se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë”. Megjithë karakterin ksenokratik të regjimit të princ Vidit, karakterin feudal-çifligar të qeverisë së tij të dominuar nga E.Toptani dhe, sidomos, lëshimet që ai u bëri, qoftë dhe dashur pa dashur, shovinistëve grekë në të ashtuquajturën çështje të “Vorio-Epirit” me “Protokollin e Korfuzit”, konkluzioni i mësipërm nuk e përligj veten.

Përfundimi i mësipërm nuk qëndron kur bëjmë fjalë për kryengritjen kundër princ Vidit, e cila ishte pa diskutim, rebele antishqiptare. Ai vlen për kryengritjen kundër Esad pashë Toptanit. Në këtë fazë si udhëheqës i forcave më të vendosura antiesadiste u shqua Haxhi Qamili.

Sigurisht, Xh.F.Uiliamsi, si shumë të tjerë, nuk e pati të lehtë të orientohej në zhvillimet e ndërlikuara të Shqipërisë më 1914-1915, në kushtet kur rebelizmi antividist dhe kryengrtia antiesadiste zhvilloheshin me parulla fetare. Por një gjë ai e pati të qartë dhe e theksoi në kapitullin e librit të titulluar saktë: “Tue vu fenë shkak për lëvizje luftarake”, çka shumë autorë që pretendojnë të shkruajnë për këtë periudhë edhe sot nuk e kanë të qartë raportin real midis lëvizjeve politike dhe parullave fetare.

Pavarësisht nga ndonjë inkonsekuencë në trajtimin e zhvillimeve në Shqipërinë e Jugut Xh.F.Uiliams mbetet një vëzhgues, në përgjithësi, objektiv i rrjedhës së ngjarjeve në vendin tonë. Konkluzionet e tij për politikën e Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe fatit të tyre historik mbetën sa reale po aq dhe demaskuese dhe na çojnë edhe te rrënjët e ngjarjeve të sotshme në Ballkan, në ish Jugosllavi dhe më gjerë.

Në përfundim të gjithë analizës dhe konkluzioneve të tij Xh.F.Uiliams mori një vendim për ndërprejen e karrierës së vet diplomatike, duke shpjeguar arsyet: “E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyeta dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëni kundra krimit të madh të Evropes, dhe simpathi për popullin që iu desht me derdhë gjak për të mbajtë larg zgjedhën dhe për të mbajtë larg një nga gabimet më skandaloze në historinë e Evropës”. Ai sakrifikoi karrierën e vet diplomatike për shqiptarët, rreth njëqintvjet më parë. Përshkrimet e tij janë sa reale aq dhe rrënqethëse: “Mbrenda pallatit mbretnuer luheshin karagjoslliqet ma të mëdhaja: mbrapa maskave e buzëqeshjeve të diplomatëve të Evropës mëshifeshin fytyrat e errëta dhe kriminele, shkaktarë të vdekjes së këtyre njerëzve, jashtë në kënetë shtriheshin qindra shqiptarë, mbrojtës të vatrave të veta.”

Xh.F.Uilliams e konsideroi si detyrën e vet njerëzore “sheshazi me shkye maskën që mbulonte diplomacinë Evropiane dhe me ekspozue fytyrën e saj, të lyeme me gjak patriotësh dhe shëkimin e saj të dobët mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë”.

Duke folur për vendimin që kishte marrë ai vijon: “U ktheva në Athinë dhe mbasi qeshë i shtërnguem, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të Fuqive Evropiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi dhe në Mal të zi, sikurse pa tjetër qeshë i shtrënguem me ba. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë.” Kështu shprehet një diplomat karriere duke pasur parasysh Çështjen Shqiptare.

Xh.F.Uiliamsi bëri një punë shumë të madhe në opinionin e huaj dhe sidomos në atë amerikan për “me ngrejt perden që t’i jepsha dritë kësaj komedie e cila qe loja ma tragjike që ash vu në skenë prej duarve njerëzore”. Së fundit, ai i bën thirrje popullit të lirë amerikan që të ndihmojë shqiptarët në luftën e tyre për jetë a vdekje, për lirinë dhe indipedencën e tyre.”

Ai shpreh besimin se edhe Evropa pas asaj që pësoi gjatë Luftës Botërore prej së cilës doli e përgjakur, e mjerë, e çfarosur e falimentuar dhe e këputur për të hyrë në një fazë te re civilizimi, duke nxjerrë mësime nga vuajtjet dhe pësimet e veta “do të dinte tashmë të vlerësojë sakrificat dhe luftën e popullit shqiptar për liri dhe të mos e quaj humbjen e lirisë së një populli një sakrificë të zakonshme për qejfin e vet.”

Në orvatjet për të hyrë në shkaqet e prapambetjeje ekonomike e kulturore të Shqipërisë Uiliamsi përveçse te politika evropiane dhe sundimi i huaj i gjen ato te parësia e vendit. Këto qenë, sipas tij, “helmi më i fortë për të mbajtur çdo të keqe për të rënduar zgjedhën dhe për të penguar përparimin”.

Shqiptarët me lidhjet, kongreset dhe kryengritjet janë munduar të zhdukin robërinë e tyre sa që Perandoria Osmane, asnjëherë nuk arriti t’i nënështrojë plotësisht. Edhe Evropa asnjëherë nuk arriti t’a fshinte emrin e këtij populli me anë traktatesh dhe lidhjesh, aleancash, nga rradha e popujve. Shqipëria, thekson ai nuk e njohu Traktatin e Berlinit, dhe nuk po njihte aso kohe dhe po kundërshtonte dhe akordin e Londrës.

Pas vendimeve të Konferencës së Londrës për Shqipërinë, punët shkojshin mbrapsht, sepse akordi i Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën. Copëtimi i tokave shqiptare krijoi një plagë të helmatisur: “Kur qe thye zgjedha turke vet Evropa iu vu punës në këtë vend, qethi nga kjo tokë pjesë gati ma me rëndësi, dhe mbi copën që mbeti muer përsipër me krijue një qeveri aq despotike në karakterin e saj sa që as qeveria e Stambollit nuk e kish parapa kurrë. Në vend që m’u dhanë ndonjë farë sigurimi për liri e një statut shqiptarëvet, Evropa pruri një princ, një komision ndërkombëtar dhe një organizatë të huaj gjindarmërie për të sundue Shqipërinë pa mendue aspak si duhet që edhe ky popull duhet të ketë një za në qeverinë e tij. Kjo, – konkludon pas këtij arsyetimi autori, – qe sheshazi një tirani absolute.” Tiraninë dhe despotizmin autori e sheh, së parit, në copëtimin e Shqipërisë, e sheh në vendosjen e një regjimi të huaj, në lënien e tij dhe administrimin e saj në duart e të huajvet.

“Që Shqipnia asht përdorë shumë keq prej Evropës s’ka dyshim.- vijon Uiliamsi- Për t’u dhanë fund të gjithë padrejtësinave, mund të përdoret vetëm e drejta”. Ai e bën plotësisht të qartë që në krye, se shqiptarët nuk kërkonin bamirësi por vetëm drejtësi.

Uilliams kërkonte që Sh.B.A të qëndronin përkrah popullit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris dhe të bëheshin, siç shprehej ai, avokatë të një populli të vogël dhe pa fuqi që me plotë të drejtë dhe arsye kërkon lirinë e vet. Kemi bindjen se libri Xh.F. Uiliamsit duhet të kenë ushtruar mendim pozitiv në administraten e Presidentit Uilson dhe ne ma rrjen e prej tij të qendrimeve në të mire të çështjes shqiptare.

 “Asht larg mendjes që Evropa të mundi me ushtrue paqen tue humbë të drejtat e këtij kombi, ose tue e nda tokën e tyre… pa u sigurue liria e plotë e shqiptarëve, asht i pamundun ndalimi i luftës dhe parimi për ta nda tokën shqiptare, do të hapi një plagë të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit.” Thënë për shqiptarët ky parashikim mbetet i vërtetuar plotësisht në ditët tona, jo vetëm për ta, por edhe për popujt e tjerë të Ballkanit përderisa të drejtat e tyre kombëtare vazhdojnë të ndeshen me aspiratat shoviniste të qarqeve sunduese fqinje, ç’ka ndjehet endet sot në rajon.

Ato ditë Uiliams porosiste shqiptarët të siguronin bashkimin në mes të tyre dhe organizimin e vet kombëtar që të mund të delnin para Konferencës së Paqes në Paris me prova të sakta se kishin zotësi të vetqeveriseshin. Atëherë kërkesat e tyre për liri dhe për të bashkuar gjithë tokat që u përkasin në bazë të së drejtës do të ishin të pranueshme pa vonesë.

Autori i librit “Shqiptarët” ka bindjen e plotë se Shqipëria dhe qeveritarët e saj do të jenë i vetmi shtet i cili nuk do të jetë burim ngatërresash dhe konfliktesh në Evropë, dhe historia këtyre 100 viteve e ka provuar.

Miku i madh i shqiptarëve Xhorxh Fred Uiliamsi punoi shumë që thirrjet e shqiptarëve “Jo bamirësi po drejtësi” të mos binin në vesh të shurdhër, por të dëgjoheshin të mirëkuptoheshin që popullit shqiptar t’i jepej ndihma e nevojshme për kapërcimin e vështirësive dhe të prapambetjes.

Xhorxh Fred Uiliamsi jo vetëm shkroi në të mirë të shqiptarëve dhe të çështjes së tyre të drejtë, por dhe veproi energjikisht në drejtimin që ai e quajti të nevojshëm dhe të mundshëm për t’u realizuar. Qysh më 1915 ai u përpoq pranë qeverisë amerikane që të lehtësohej hyrja e emigrantëve shqiptarë në SHBA.

Xh.F.Uiliamsin e ndeshim në krye të Korporatës Shqiptaro-Amerikane së bashku me Anastas Pandelen, nga Reka e Dibrës, kryetar i organizatës “Vatra”. Ai është në ballë të mitingut të madh të organizuar në Amerikë në të cilin iu kërkua qeverisë amerikane njohja e shtetit shqiptar.

Jeta dhe vepra e Xhorxh Fred Uiliamsit, e këtij miku të vërtetë të popullit shqiptar, të Shqipërisë dhe të mbarë kombit shqiptar, përfaqëson, edhe pse fjala është për një person të vetëm, një faqe jo të zakonshmë në historinë e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-amerikane. Për të gjitha sa u përpoqëm të parashtronim shkurtimisht më sipër, kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë  shqiptarëve.

Presidenca e Republikës duhet ta ketë nderuar me një dekoratë të denjë Uiliamsin. Ai meriton që Bashkia e ku të vendosej dhe busti i tij. kryeqytetit t’i japë një rruge dhe jo ndonjë rrugice emrin e tij plotësisht të meritueshëm.

Në shenjë proteste kundër politikave të mbrapshta ndaj Shqpërisë së vogël ai dha dorëheqjen nga posti i ambasadorit të Uashingtonit në Greqi dhe në Mal të Zi dhe u angazhua në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ai u bë ambasadori, jo ambasador nderi, por përfaqësues efektiv i parë i Shqipërisë në SHBA. Në vijim të qëndrimit të vendosur filoshqiptar ai morri përsipër vullnetarisht detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA në momente vendimtare për fatet e vendit tonë.

Please follow and like us: