Google dhe Lenovo prezantojnë telefonin e Project Tango!
Pas më shumë se dy vitesh prej kohës kur Google kishte shfaqur konceptin se si duket një telefon i mençur modular me sens 3D, Lenovo ka prezantuar telefonin Phab2 Pro të Project Tango.
Telefoni i ri është gjigant, me ekran prej 6.4 inç dhe me peshë prej 230 gram.
Shumica e kësaj peshe vjen si pasojë e pjesëve shtesë që janë të domosdoshme për funksionimin e Project Tango.
Kamerat shtesë janë të vendosura nën kamerën kryesore prej 16MP që mbështet incizimin e videove në 4K.
Për shkak se Project Tango është projekt i cili do të punojë përmes realitetit të zmadhuar (apo të ndryshuar), funksionimi i tij varet shumë nga aplikacionet.
Kështu, Google dhe Lenovo janë kujdesur që tashmë të sjellin mbi 100 aplikacione të gatshme për lansim në Tango.
Si rezultat i përdorimit të realitetit të ndryshuar, lojërat janë ndër pjesët kryesore të këtij projekti.
Përmes Tango, ju mund të ndërtoni dominot në tavolinën pranë jush. Një tjetër shembull i funksionimit të Project Tango është edhe matja e distancës dhe vëllimit, që mund të shërbejë për të matur dimensionet e dhomës tuaj.
Fableti me realitet të ndryshuar do të lansohet për tregun global në shtator të këtij viti, me çmim fillestar prej 499 dollarëve.