Klinton, në paradhomën e presidencës amerikane
Nga Zenel ÇELIKU Për miliona e miliona amerikanë dhe për mbarë opinionin botëror, u bë publik lajmi shumë I gëzuar që Madam Hillary Klinton, ka siguruar mbështetjen e nevojshme brenda Partisë Demokratike Amerikane, për të garuar për postin e presidentit amerikan në fillim të këtij Nëntori. Muajin e ardhshëm mbetet kuvendi i demokratëve që ta zyrtarizojë kandidimin e Zj. Klinton për demokratët amerikanë. Është hera e parë në historinë e Amerikës, që një femër fiton të drejtën për të garuar, por pse jo, edhe për të fituar këtë garë që nesër dej, Madam Klinton të jetë e preferuara e amerikanëve për të qenë shefja e parë femër në Shtëpinë e Bardhë. Ja pra, deri dje ishte tabu që në krye të Shtetit Amerikan të ishte një njeri me ngjyrë, por ja që ndodhi, por ndodhi edhe për dy mandate të suksesshme. Tashmë ne Amerikë nuk do të jetë tabu për të qenë një femër presidente e saj, ku ka shumë gjasa që kjo tabu të thyhet përfundimisht për popullin amerikan të civilizuar. Kështu, në Nëntor 2016 ka shumë mundësi që të kemi një Zonjë të madhe presidente të SHBA-ve, dhe kjo do të jetë Hillary Klinton.
Gara presidenciale në SHBA është bërë dhe po përfundon shumë e fortë, me shumë përpjekje nga të dyja kampet. Tani pothuajse kemi të certifikuar edhe kandidatin republikan Donald Trump, i cili po ashtu ka fituar mbështetjen e nevojshme brenda Partisë Republikane Amerikane, për të garuar për postin e presidentit amerikan.
Në të dyja kampet, gara brenda tyre ka qenë shumë e fortë, por aty këtu ka qenë edhe e ashpër. E megjithatë, Zj. Klinton dhe Z. Trump ja dolën me sukses në partitë respektive, dhe tashmë ata do të jenë përballë njëri-tjetrit, dhe deri në Nëntor 2016, amerikanët do të kenë të gjitha hapësirat dhe kohën e duhur që të kristalizojnë se cilin prej tyre do të zgjedhin që të udhëheqë Shtetin më të fortë të Globit. Amerika është ajo që po lufton për demokraci, për të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve kudo në botë, Amerika po përpiqet shumë për vlera njerëzore kudo në botë. Thuhet se Amerika është krijuar për të mirën e kësaj bote, Amerika po lufton për të ngritur lart figurën e femrës, por edhe për të treguar se në Amerikë, tashmë po ndodh ajo që nuk ka ndodhur më parë, që në krye të Shtëpisë të Bardhë, mundet të kemi një femër lider. Personalisht unë “kam një ëndërr”, që në krye të shtetit më të madh dhe më demokratik në botë, të atij shteti që me të drejtë mundet ta quajmë lokomotiva ekonomike botërore, të zgjidhët Hillary Klinton-Presidentja e Amerikës-e para femër presidente në historinë e SHBA-ve.
Unë si shumë e shumë shqiptarë kudo që janë, mendoj se Madam Klinton është ajo që e meriton postin e presidentit në SHBA për meritat dhe provën që ka dhënë si Sekretare e Shtetit, si ish Zonja e Parë e SHBA-ve, por në fund të fundit ne kemi aq të drejtë, sa vetëm dhe vetëm mundet të shprehim një mendim dhe asgjë më shumë, duke u larguar nga ironizimet dhe fyerjet për figurat që po kandidojnë. Hillary ka një CV shumë të suksesshme, ajo ka begraund të shkëlqyer ku spikat përvoja, angazhimi dhe serioziteti i saj, i cili është kurorëzuar me mjaft suksese. Respekti dhe vlerësimi i amerikanëve dhe i mbarë botës së përparuar për Hillary Klinton, është i dukshëm, i prekshëm dhe i pakontestuar. Në qeverisjen e Presidentit Obama, zj. Klinton ka qenë figura qendrore në politikën e jashtme të SHBA-ve. Ajo ka qenë dhe mbetet një figurë shumë e besuar për amerikanët, ajo me modestinë e saj që e karakterizon, me formimin dhe me përkushtimin maksimal për ti shërbyer kombit dhe vendit të saj, ka treguar dhe provuar se ka të gjitha mundësitë, kapacitetet, energjitë dhe vullnetin që si Presidente e tyre, ti shërbejë me devotshmëri e sukses bashkëkombësve të saj. Kush ka shkuar në Amerikë kohët e fundit, dallon qartë se Hillary ka fituar vlerësimin, besimin dhe dashurinë e pjesës më të madhe të amerikanëve, por edhe mbarë botës së qytetëruar progresive. Në Amerikë, kudo shikon entuziazëm, ovacione dhe besim se Hillary Klinton do të jetë Presidentja e tyre, këtë unë e pashë dhe e ndjeva personalisht. Tashmë që gara është në përfundim, tashmë që amerikanët për pak kohë do të jenë para kutive të votimeve të zgjedhjeve presidenciale, unë mendoj, besoj dhe uroj që Amerika për të parën herë në historikun e saj, do të zgjedhë në krye të Shtëpisë së Bardhë Zonjën e madhe dhe shumë të preferuar, Hillary Klinton.
Nga ana tjetër, përballë Znj. Klinton është një kandidat i fortë, miliarderi Donald Trump, i cili ka treguar se është shumë i aftë në fushën e biznesit. Miliarderi Trump ka udhëhequr një garë të gjatë dhe të fortë, diku aty-këtu i kontestuar për deklaratat e tija disi radikale dhe deri diku të papranueshme për shoqërinë amerikane. Trump është një figurë e fortë, e mirëpritur dhe e përkrahur nga shumë amerikanë edhe pse ka patur mjaft momente me deklarata të ashpra. Z. Trump në sfidën për Shtëpinë e Bardhë mundet të rrezikojë Madamën Klinton në përzgjedhjen e afërt të amerikanëve. Unë jam shumë i vëmendshëm ndaj garës presidenciale në Amerikë dhe më vjen shumë keq kur dëgjoj dhe lexoj që figura të fushave të ndryshme, që shprehen ashpër kundër republikanit Trump. Në shqiptarët duke përjashtuar kohën e errët të diktaturës komuniste, në demokraci kemi 25 vjet që po vuajmë pikërisht nga liderët që kanë drejtuar keq e më keq këtë vend, prej qeverisjes së papërgjegjshme të deritanishme, për pasojë në Shqipëri është mbjellë krimi i organizuar, trafiqet e çdo lloji akoma janë mjaft aktive, ka shumë kontrabandë, korrupsion dhe baltosje të paprecedentë ndaj njëri-tjetrit nga një politikë mediokër, ku spikatin interesa personale dhe partiake, pa pyetur fare se interesat dhe politika e tyre, po dëmtojnë maksimalisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Kësisoj, ne shqiptaret nuk kemi as luksin dhe as të drejtën morale që të ulim, të ironizojmë dhe të ofendojmë figurat e larta të Amerikës cilëtdo qofshin ata, sepse sot e 100 vite, Shqipëria ekziston falë ndihmës dhe përkrahjes së pakufishme të amerikanëve. Që të jemi hapur dhe i sinqertë, dëshira ime e pakufishme është që Madam Klinton të zgjidhet Presidente e SHBA-ve, duke qenë e para femër presidente në historinë e SHBA. Nëse kjo realizohet, për pjesën më të madhe të amerikanëve do të jetë diçka fantastike dhe do të ketë festë kudo ku Hilari ka qenë prezente në këto disa muaj fushatë shumë të fortë dhe agresive. Por, edhe nëqoftëse ndodh e kundërta, që do të thotë se amerikanët do të votojnë dhe do të preferojnë më shumë Z. Trump, ne duhet me patjetër ta respektojmë verdiktin e popullit amerikan, njëlloj sikur të ishte Zj. Klinton, sepse kështu tregojmë respekt për Amerikën dhe për amerikanët. Për ne shqiptarët dhe për mua personalisht, çdo president të SHBA-ve duhet ta respektojmë maksimalisht. Në gjykimin tim, të gjithë shqiptarët duhet të respektojnë çdo president të SHBA-ve, në mënyrë të veçantë, të mos hedhim shashka kundër njërit apo tjetrit kandidat, ne jemi të vegjël ndaj na takon të jemi fisnikë në marrëdhënie me SHBA-te. Në fund të fundit kjo është një shenjë respekti dhe mirënjohje për atë që Amerika ka bërë dhe po bën për Shqipërinë dhe për Kosovën.