Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtimet e Maliq Sadushit / Mehmet Shehu, e vërteta për eliminimin e tij

Kujtimet e Maliq Sadushit / Mehmet Shehu, e vërteta për eliminimin e tij

 

Nga Eqerem Osmënaj

Para se të filloj të tregoj kujtimet e ish-zv/ministrit të Mbrojtjes, Maliq Sadushi, unë Eqerem Osmënaj po tregoj lidhjet e mia me të dhe si e kemi njohur Mehmet Shehun dhe në ç’rrethana. Natyrisht nuk është e lehtë të flitet për figura të tilla të mëdha si Mehmet Shehu dhe unë, pavarësisht se kam qenë Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë, e kam njohur më pak se Maliqi Kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes e asaj kohe. Maliq Sadushi ka qenë një burrë me karakter dhe është mjaft i sinqertë në ato që më ka treguar për Mehmetin. Kam vite që i ruaj këto kujtime dhe po i tregoj sot për herë të parë për gazetën ‘DITA’.

***

Pas largimit të Mehmet Shehut si Ministër i Mbrojtjes, edhe unë u shkarkova si Drejtor i Zbulimit dhe u emërova Shef Shtabi i Brigadës së Këmbësorisë në Vlorë. Më kujtohet se në muajin tetor 1981, Komiteti i Partisë i Ministrisë së Mbrojtjes, i dërgoi një kërkesë Komitetit të Partisë të Divizionit “Selam Musai” Vlorë, mbi bazën e një informacioni që Drejtoria e Zbulimit dhe organizata bazë e drejtorisë kërkohej nga unë Eqerem Osmënaj, të sqaroja Partinë kryesisht për tri gjëra:

 

-Pse ishte përgatitur nga Drejtoria e Zbulimit, në kohën kur unë isha Drejtor i kësaj drejtorie, materiali: “Grushti i shtetit i kolonelëve të ushtrisë greke!”

– Me porosi të kujt??

-Kujt i ishte dhënë e ç’përgjigje ishte marrë nga udhëheqja e asaj kohe në Ministrinë e Mbrojtjes, qeveria e më lart në KQ?

Sipas porosisë që më dha Komisari i Divizionit, u njoha me materialin dhe fillova të përgatitem për të sqaruar organizatën bazë, Byronë, Komitetin dhe më lartë! Mbaj mend se në mbledhje ishin 27 anëtarë dhe dy të deleguar! Problemi ishte i një rëndësie të madhe, por për mua ishte shumë i qartë. Nuk përjashtohej mundësia edhe për ndonjë pasojë, pasi eksperienca e atyre viteve të zbulimit të grupeve armiqësore në ushtri kishte patur jo pak raste të hidhura që ishin bërë viktima! Unë e prisja edhe këtë…

Bëra sqarimin dhe shpreha keqardhje për shokët e drejtorisë së zbulimit me të cilët punova 6 vjet dhe kisha pak kohë që isha larguar nga kjo drejtori. Nuk e kuptoj, thashë, se këta shokë e njohin mirë rregullin, karakterin e punës, përgatitjen e materialit, rëndësinë e tij dhe kush kishte të drejtë të njihej me këto materiale dhe rruga që ndiqej për dërgimin e tyre sipas rëndësisë dhe të drejtës!

Megjithatë, me durim dhe me shumë kujdes i sqarova shokët se:

Si të gjitha shtetet e botës edhe Shqipëria e ka organizuar zbulimin që t’i jepte informacione ushtrisë për planet dhe qëllimet e ushtrive, vend-dislokimin e forcave ushtarake të ushtrive të armikut, aftësinë luftarake të tyre, mbi gjendjen moralo-politike, përgatitjen, armatimin, teknikën, planet që kishin, përgatitjen e terrenit, e të tjera…

Zbulimi është një instrument i politikës, por ai nuk bën politikë! Partia këtë e dinte por nuk dëgjonte, e nuk donte ta shikonte, bënte rolin e “qorrit” e të shurdhit dhe nuk na përgjigjej për… nevojat që ne kishim për teknologji të reja.

Më tej, i sqarova se materiali përgatitej nga grupe specialistësh të mirëfilltë dhe jo nga një njeri i vetëm! Po kështu i sqarova edhe se si procedohej për dërgimin e materialeve të tilla! Dhe në fund e garantova organizatën bazë dhe Partinë se materialet e përgatitura nga kjo Drejtori, kalonin nëpër rrugën zyrtare dhe sekretaritë sekrete u janë dërguar vetëm personave që mbanin funksione si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ministri i Mbrojtjes, Kryeministri, Komandanti i Përgjithshëm. Në material askush nuk ndërhynte, por bënte shënime dhe sqarime dhe jepnin vlerësime me shkresë përcjellëse!

E kuptova qëllimin ogurzi dhe ju përgjigja sipas rregullit. Me vonë ato u verifikuan dhe dolli se kisha deklaruar të vërtetën. Ndaj dhe shpëtova paq… Ishin kohë të vështira!

E tregova këtë histori time personale të tetorit të vitit 1981, për të sjellë një dëshmi autentike se procesi për eliminimin e Mehmet Shehut kishte nisur shumë kohë më përpara se ai të eliminohej realisht në mesin e dhjetorit të atij viti…

Eliminimi i Mehmet Shehut

Kur vrau veten Mehmet Shehu, kam qenë me shërbim në Vlorë. Dëgjova dhe mora vesh ato që u thanë zyrtarisht për të gjithë. Në atë kohë askujt nuk ia mbante të hapte gojën, pavarësisht se të gjithë i mbanin veshët hapur. Hollësitë e asaj ngjarjeje i kam marrë vesh më vonë, shumë më vonë, nga ato që më ka treguar Maliq Sadushi.

Shumë vite pasi kisha dalë në lirim, për të përballuar kushtet e jetesës mora me qera një lokal “Bar Kafe” pranë Stadiumit “Dinamo” rreth vitit 2003. Aty takoheshim herë pas here me shokët e vjetër, kryesisht ushtarakë e ish-ushtarakë të lartë. Por më shpesh rrija me shokun e mikun tim të vjetër Maliq Sadushi. Shpesh bisedonim për kohën që punuam në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe si ushtarakë në repartet e ushtrisë.

Një nga temat më të rëndësishme dhe më të shpeshta ishte edhe ajo e vetëvrasjes se Mehmet Shehut. Maliqi kishte lexuar edhe letrën që kishte lënë Mehmeti me dorën e tij në natën e 17-18 dhjetorit 1981. Në atë kohë nuk ishte botuar në shtyp letra që tashmë njihet nga të gjithë, por Maliqi e kishte lexuar atë në rrugë zyrtare, pak kohë pasi ndodhi ngjarja tragjike që tronditi gjithë jetën e vendit.

Maliq Sadushi më ka thënë shprehimisht:

Një gjë e vërtetë është tek unë (që unë nuk dua ta besoj) që Enveri nuk e donte Mehmetin ose e donte të tillë siç përfundoi… Fundi i Mehmet Shehut nuk ka shumë lavdi, ishte një fund tragjik që askush nuk mund ta merrte me mend. Por fundi i tij ka kurajo prej burri, prej luftëtari, prej shoku që kishte prerë në besë shokët dhe që u pre në besë nga shokët… Duke e thënë ndershmërisht, ne pranojmë edhe përgjegjësinë individuale, por edhe kolektive për lejimin e situatave të tilla.

Pastaj Maliqi kthehej në realitetin e pas vitit 1990 dhe më thoshte:

“Nëse heqim paralele mes këtij fakti të 17 dhjetorit 1981 me kohën e tanishme, do të kuptojmë të vërtetën e intrigave dhe kulisave kundër shtetit shqiptar dhe PPSH nga agjenturat e huaja, por ka edhe absurditete të tjera. Tani pas vdekjes së Mehmet Shehut, le të bëjmë një kthim në të kaluarën! Duhet pohojmë gjërat më të mira të kohëve të sotme dhe gjërat më të mira të kohës së kaluar, të bëjmë kombinimin mes tyre. “Jeta është shkollë” dhe gjithë bota është një klasë që mësojnë të gjithë!.

Kryeministrat e sotëm dallohen nga ai i periudhës moniste në një drejtim të padëshirueshëm siç është ai karshillëku ndaj Presidentit, ndaj Parlamentit, dhe institucioneve të pavarura, që është një arrogancë e padëgjuar dhe e paparë në vendet demokratike. Në këtë çështje ndryshojnë gjërat. Edhe pse ishte një parti në pushtet, asnjëherë nuk ndodhte që Kryeministri të tregonte muskujt ndaj organeve të tjera të shtetit si p.sh. organet gjyqësore, Kuvendit, se edhe po të donte, s’e lejonte kush!”

Vrasje apo vetëvrasje?

Maliq Sadushi tregonte:

Edhe njëzet vjet pas eliminimit të Mehmet Shehut njerëzit vazhdojnë të pyesin: Vrau veten apo e vranë. Ja ajo që di unë dhe që kam besim se i afrohet së vërtetës.

Ajo është enigma e ditë -natës së Mehmet Shehut, por edhe tragjedisë së tmerrshme që ndodhi tek ne, si u bënë udhëheqësit armiq, kur patën treguar me veprimet e tyre në çdo rast se ata  qenë njerëzit më besnikë të pushtetit popullor, të popullit të tyre e të PPSH.

Si u bë e mundur, si nuk menduan të gjithë shokët në Byro, Plenum që e dënuan aq rëndë Kryeministrin më të zotë që kishte nxjerrë Shqipëria?

Pasi një ndërprerjeje të gjatë dhe i vënë në mendime, Maliqi shprehej me dhimbje:

Sa turp, sa turp për të gjithë ne. Çdo gjë që u fol kundra Mehmet Shehut ishin sajesa, shpifje të ndyra. E vërteta absolute është së Mehmet Shehu ishte komunist. Veprat e mira atij ia përvetësuan dhe dështimet ia faturuan vetëm atij! Por gjithnjë pas vdekjes së tij. Megjithatë unë mendoj se historia do ta thotë të vërtetën dhe emri, dinjiteti dhe lavdia e Mehmet Shehut do të vihet në vendin që i takon.

Pse e them këtë? Sepse Mehmet Shehu ishte i vetmi që zbërthente idetë e Enver Hoxhës në çdo fushë dhe ishte ushtar besnik i Partisë! Enver Hoxha vazhdimisht fliste me vlerësime dhe tone të forta, kërkonte se duhej të mësonim nga metoda e Mehmet Shehut.

Enveri na porosiste se “Partia ka dërguar në ushtri shokun Mehmet Shehu, që është Kryeministër, e kemi shokun tonë të shquar, si i tillë edhe ushtarak me profesion e aftësi të rralla, ai po kontribuon shumë në forcimin e ushtrisë që është garante e mbrojtjes së Atdheut, ndaj përfitoni sa më shumë sa ta keni atje”.

Enveri nuk fliste në hava. Ai e kishte bindje këtë vlerësim që bënte për figurën dhe kontributin e krahut të tij të djathtë për 40 vjet me radhë.

Por revolucioni është gjë e vështirë. Enveri kaloi vite shumë të vështira, mbajti mbi vete shumë detyra të rënda e të vështira sa që vitet e fundit pesha e këtyre punëve, sëmundja e gjatë, bëri që të lëkundet, u bë dyshues dhe nën këshillat e këqija që i bëheshin dhe informatat e rreme që vinin nga dikush, arriti deri aty sa që gabimi më i vogël të shërbente si pretekst për të ngritur një Alibi të madhe!

Sigurisht që pa firmën e Enverit nuk bëhej gjë, por duke pasur rreth tij njerëz të paqëndrueshëm, patjetër që gabimet e mangësitë do të trasheshin e s’mund të ishte ndryshe. Kështu depërtuan armiqtë në udhëheqjen e PPSH dhe deri në organet e shërbimet e hetimit, survejimit, ndjekjes e ndëshkimit! Kishte defekte për arsye të mjeteve të asaj kohe; Partia asnjëherë nuk ka ushtruar një kontroll të mjaftueshëm mbi shërbimin e Sigurimit të Shtetit. Jo se nuk donte, nuk ishte në gjendje dhe nuk kishte as përvojën, as përgatitjen dhe as mundësinë! Sigurimi përgatiste listat, i studionte Partia, sipas nomenklaturës Byroja, Sekretariati, deri në hollësira dhe këto lista firmoseshin nga Enver Hoxha për Partinë dhe nga Haxhi Lleshi për Presidiumin e Kuvendit Popullor. Socializmin në Shqipëri e denigruan, por koha po vërteton se jo gjithçka ka qenë e zezë, madje ka pasur edhe gjëra shumë të mira. Natyrisht, ne jetuam e punuam në kushtet e partisë-shtet. Tek ne ishte në pushtet një parti e vetme, ajo fliste dhe asaj duhej t’i bindeshe, ajo tregonte rrugën që duhej ndjekur dhe ishte e palejueshme të shkoje kundër Partisë. Partia ishte forcë e madhe, por duhej administruar me kujdes. Megjithatë edhe ajo bën gabime! Sigurisht shumë e kanë pësuar! Kemi kaluar periudha të vështira, por mendoj se ato që do të vijnë do të jenë edhe më të vështira!

Tani le të kthehemi tek ajo pyetja e vranë apo vrau veten Mehmet Shehu…

 

*****

Maliq Sadushi

Lindi më 02.02.1928 në Vajzë të Vlorës. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike si nga babai edhe nga nëna. Babai i tij dhe gjyshi nga nëna kanë marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Në moshën 2 vjeç e lë nëna dhe në moshën 4 vjeç e lë edhe babai dhe u rrit jetim. Megjithë vështirësitë e mëdha kreu shkollën fillore në Vajzë. Më 1939 detyrohet të fillojë punë për të përballuar jetën. Në vitin 1942 organizohet me grupin e të rinjve komunistë të krahinës së Kudhësit. Rreshtohet partizan në çetën e Vajzës në moshën 16 vjeç, më pas në batalionin “Ismail Qemali”; në Nëntor 1943 rreshtohet në Brigadën e 5-të Sulmuese dhe në dhjetor 1943 pranohet anëtar i PKSH. Maliqi i rreshtuar në radhët e Brigadës së 5-të sulmuese e ndoqi armikun deri përtej kufijve shtetërorë, deri në Sanxhak të Jugosllavisë, duke kontribuar për çlirimin e popujve  jugosllavë. Pas çlirimit të vendit rreshtohet në forcat e ndjekjes për asgjësimin e bandave diversioniste deri në 5 dhjetor 1945. Më pas caktohet shef i seksionit të sigurimit të ushtrisë pranë Komandës së Përgjithshme. Pas një kursi një vjeçar caktohet komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Pastaj kryen kursin për filozofi dhe ekonomi politike prej vitit 1955-1956. Nga viti 1958-1961 kryen Studimet e Larta në Moskë në “Akademinë Ushtarake Frunxe”. Në Korrik 1962 emërohet komandant i Brigadës në Laç, e më pas Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Kukës. Prej 1968-1969 kryen Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Prej 1969-1973 caktohet shef shtabi Korpusi. Prej vitit 1973-1974 caktohet pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”.

Prej vitit 1974-1982 ka kryer detyrën e Zv/Ministrit të Mbrojtjes dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në tetor 1982 shkarkohet nga të gjitha detyrat shtetërore dhe nxirret në lirim për dyshime si pjesëtar i “Komplotit” të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Ka marrë shumë urdhra e  medalje për merita lufte e shërbimi ndaj Atdheut! Vdiq në vitin 2010.

 

Eqerem Osmënaj

Lindi më  03.07.1942 në Buz të Tepelenës. Krahina e Buzit ka qënë bastion kryesor i  rezistencës dhe e zhvillimit të veprimeve luftarake të banorëve me ushtritë pushtuese që nga koha e Turqisë e deri tek kohet moderne të ushtrive greke e me pas italiane e ato gjermane. Eqeremi rrjedh nga një familje  me tradita patriotike e atdhetare. Shkollën fillore dhe atë 7 vjeçare e kreu në Buz. Në 18 gusht 1957 regjistrohet në shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe pas përfundimit të kësaj shkolle fillon shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Më 01.08.1963 titullohet Oficer dhe ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura duke kryer detyra të rëndësishme që nga ajo e komandantit të batalionit të Zbulimit, shefit të shtabit të brigadës e deri tek Drejtori  i Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka kryer me rezultate të shkëlqyera Studimet e Larta në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” më 1971. Më 1974 përfundon kursin politik një vjeçar pranë Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Pas largimit të Mehmet Shehut si Ministër i Mbrojtjes në tetor 1981 shkarkohet nga detyra e Drejtorit të Zbulimit dhe caktohet shef shtabi brigade në Br 1 Vlorë. Më 1986 caktohet Komandant i Shkollës së kualifikimit të kuadrove në Vlorë. Më 01 korrik 1992 me një urdhër politik lirohet nga ushtria.

Please follow and like us: