Albspirit

Media/News/Publishing

Lidhja e Prizrenit – 138 vjet nga vënia e themeleve të shtetit shqiptar

 

Sot bëhen 138 vjet që nga mbajtja e Lidhjes së Prizrenit, organizata e parë politike dhe ushtarake e mbarë kombit shqiptar.

Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.

Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative. Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili morri atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.

Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin Pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë. Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokoli të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.

Të gëzuar për fitoret e arritura, shqiptarët shprehën vendosmërinë që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit. Nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane dhe malazeze, komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe më 26 Nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve kundër Portës së lartë vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881 pas një numër arrestimesh të drejtuesve të saj dhe persekutimi të popullsisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit, u shtyp nga Porta e Lartë./k.s/

Please follow and like us: