Mazhoranca ndryshon negociatorin, nën kujdesin e SHBA
Një votim i njëanshëm i reformës në drejtësi nuk do të linte të kënaqur ndërkombëtarët dhe as nuk do ishte garanci për stabilitetin politik të vendit. Takimi mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha dështoi dhe tashmë do të lipset një raund i dytë negociatash, ku ndryshimi është zëvendësimi i negociatorit. Në vend të kryeministrit Rama është ofruar si palë kryetari i kuvendit Ilir Meta dhe kjo pas takimit që ai pati me ambasadorët Lu e Vllahutin.
“Dua tu bëj të ditur se si kryetar i Kuvendit i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kreut të PD, Lulzim Basha për t’u takuar me të në cdo kohë që ai e cmon të arsyeshme, në cdo vend që ai e cmon të arsyeshme dhe në cfarëdolloj formati, por mundësisht deri ditën e hënë, pasi jam I bindur se jemi tashmë të vonuar për reformën në drejtësi, që nuk është përfshirë deri tani për arsye të mosarritjes së kompromisit përfundimtar në komisionin eposacëm të reformës por jemi në krizë me kohën dhe duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky process të zhvillohet me cilësinë e duhur”- tha Meta.
Pyetur nëse takimi do jetë kokë më kokë, apo me delegacion Meta u përgjigj: “Takimi mes meje dhe Bashës është kërkuar nga unë si takim zyrtar, që do thotë nuk është informal, jam shumë fleksibël për gjithcka që ka të bëjë me vendin, formatin, dhe me cdo element tjetër, por nuk jam fleksibël te koha, në mes të natës, pa u gdhirë mirë, por mundësisht deri të hënën”- deklaroi kreu i kuvendit.