Mbështetja e presidentit Obama për Hillary Clintonin
Presidenti amerikan Barack Obama I dha dje përkrahjen e tij të shumëpritur kandidates së pritshme demokrate Hillary Clinton, pak pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me rivalin e saj, senatorin e Vermontit Bernie Sanders. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone thotë se mbështetja e zotit Obama është hapi i fundit drejt përpjekjeve për ta bashkuar partinë demokrate pas një fushate të gjatë dhe disa herë të hidhur në zgjedhjet paraprake:
Presidenti Obama nuk humbi kohë t’i jepte mbështetjen e tij Hillary Clintonit. Ajo u bë përmes një videoje të hartuar nga fushata e zonjës Clinton.
“E di se sa e vështirë mund të jetë kjo detyrë, por kjo është pikërisht arsyeja që e di se Hillary do ta bëj atë shumë mirë. Ajo ka kurajon, përkushtimin dhe pasionin për ta bërë punën, ” – tha Presidenti.
Videoja u publikua pak pasi zoti Obama pati një takim të gjatë me rivalin e zonjës Clinton, Bernie Sanders në Shtëpinë e Bardhë.
Sanders u tha gazetarëve se ai ka në plan të takohet me zonjën Clinton në të ardhmen e afërt, dhe dha një tonë optimisht për bashkimin e demokratëve për t’u përballur me kandidatin e pritshëm republikan Donald Trump:
“Unë do të bëj çdo gjë dhe do të punojë shumë për të siguruar se Donald Trump nuk bëhet president i Shteteve të Bashkuara,”- tha zoti Sanders.
Trump reagoi përmes Twitterit, issued his reaction on Twitter, duke përmendur përshkrimin e tij të zonjës Clinton si “mashtruesja Hillary.”
Mbështetja Obama vjen disa ditë pasi zonja Clinton siguroi kandidaturën e partisë demokrate pas një beteje në zgjedhjet paraprake që ishte e gjatë dhe më shumë ndarëse nga sa pritej.
Clinton falenderoi përkrahësit e saj të martën pasi fitoi katër nga gjashtë zgjedhjet paraprake, përfshi Californinë:
“Ne u detyrohemi kaq shumë atyre që erdhën para nesh, dhe nata sonte ju takon ju.”
Clinton mori një mbështetje tjetër të fuqishme dje nga senatorja e Masaçjusets Elizabeth Warren. Warren ishte senatorja e vetme demokrate që nuk kishte dhënë mbështetjen e saj për Clintonin por e bërë këtë në një intervistë për rrjetin televiziv “MSNBC”:
“Jam gati, jam gati të hyj në këtë betejë dhe të punoj me gjithë zemër për Hillary Clintonin për t’u bërë presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara dhe për të siguruar që Donald Trump të mos arrijë as pranë Shtëpisë së Bardhë. “
Megjithë zgjedhjet paraprake të hidhura demokrate, Sanders do të jetë bashkuesi përfundimtar i partisë thotë analisti Bill Galston:
“Zoti Sanders, në se vërtetë mendon atë që thotë dhe e thotë shpesh se dallimi mes tij dhe sekretares Clinton zbehet dhe bëhet i parëndësishëm në krahasim me dallimin mes tij dhe Donald Trumpit, atëherë ai ka të gjithë pushtetin ta bashkojë partinë.”
Clinton dhe Obama do të bëjnë daljen e parë bashkë në fushatë javën e ardhshme në Uiskonsën.