NATO: Dislokim i njësive në nivel batalioni në Lindje të Europës, si kundërpërgjigje ndaj Rusisë
NATO do të dërgojë trupa në nivelin e batalionit për të përforcuar sigurinë e anëtarëve të saj në Europën Lindore. Këtë ide e ka rikonfirmuar sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg, gjatë një interviste për revistën gjermane “Der Spiegel”. Stoltenberg e cilëson NATO-n, si aleancën më të suksesshme në histori, e cila ia ka dalë sipas tij të parandalojë disa luftëra. Edhe stërvitjet e fundit të zhvilluar në Lindje të Europës kanë përcjellë një sinjal të qartë ndaj “një Rusie përherë e me më shumë besim në vete”. Nga ana tjetër, Stoltenberg shton se do të jetë samiti i korrikut që do të zhvillohet në Varshavë, ai që do të përcaktojë “sesi do të mbrohemi në të ardhmen”. “Shtabi ynë i planifikimit ka propozuar që të dërgojmë njësi në nivelin e batalionit në vende të ndryshme në pjesën lindore të Aleancës, të cilat mund të përforcohen shpejt në ndonjë emergjencë të mundshme”, shprehet Stoltenberg. I pyetur mbi dobësitë në vendimmarrje të NATO-s, përballë një Rusie ku vendos një njeri, Vladimir Putin, sekretari i Përgjithshëm përgjigjet se “demokracitë kanë krijuar aleancën më të madhe ushtarake që ka ekzistuar ndonjëherë”.
Një shqetësim i madh që pranohet është lufta informative që buron nga Moska. Kësaj zyrtari i NATO-s mendon se nuk i duhet dhënë përgjigje me të njëjtin mjet, pra me propagandë, por duke thënë të vërtetën, pasi siç tha Stoltenberg “NATO bazohet mbi vlera të përbashkëta”. Por ai nuk ka ditur të përgjigjet nëse këto vlera të demokracisë e të të drejtave të njeriut i përmbush edhe Turqia e presidentit Erdogan.
http://www.spiegel.de/international/world/interview-with-nato-secretary-…