Rita Loloçi: Procesi zgjedhor, koha për dekriminalizim
Qysh nga zgjedhjet e para demokratike, 22 mars 1991 e der më sot, Shqipëria ka zhvilluar një sërë raundesh elektrorale për pushtetin qendror dhe qeverisjen vendore dhe, përjashtuar ndonjë rasti të vetëm, të gjitha ato kanë qenë jo të ndershme, aspak të lira, të manipuluara, të papranuara nga pala humbëse dhe të shoqëruar me mjaft problem të tjera, deri me humbjen e jetëve njerëzore.
Ky ritual është përsëritur kohë pas kohe dhe kryepërgjegjës të kësaj situate kanë qenë dy forcat kryesore politike, pra Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që herë bëjnë maxhorancën dhe herë opozitën.
Nga ana tjetër, shtimi i problemeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet çdo katër vjet, i ka bërë shqiptarët edhe më të painteresuar si për partitë politike ashtu edhe për procesin zgjedhor.
Fillimisht duhet thënë se një proces i mbrapsht zgjedhor shoqërohet me një varg fenomenesh të tjera që në fund të fundit dëmtojnë rëndë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Thënë më qartë një raund i kontestuar i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare krijon më së pari pushtete të tjera që janë tërësisht të varuara nga maxhoranca e radhës ose institucione kushtetuese “të ngritura mbi rërë”, që zhbëhen në çastin më të parë kur ndryshon kjo maxhorancë.
Pa pretenduar se mund të zgjidhen të gjitha problematikat që kanë zgjedhjet në Shqipëri, në zgjedhjet e pritshme parlamentare ka mundësi që disa prej tyre të zgjidhen, referuar edhe vërejtjeve më të fundit OSBE/ODHIR:
- Akuza për vjedhje të votës nga partitë e mëdha duke shpërndarë certifikata. Ky fenomen lypset të fiksohet në Kodin Zgjedhor që 6 muaj para zgjedhjeve të mos lejohen ceremoni përuruese për veprat publike, të cilat nuk janë meritë e partisë qeverisëse, por thjesht të taksapaguesve.
- Akuza të drejtpërdrejta për financimin e partive. Ky është një nga problemet më gangrenë, që duhet të marrë një zgjidhje shteruese.
- Presion mbi zgjedhësit për të votuar lirisht. Prania e përfaqësuesve të partive prane qendrave të votimit me lista në duar duke skontuar të punësuarit dhe familjarët e tyre ëshët një fenomen i shëmtuar që ka brenda edhe frikën, edhe presionin, por që cenon edhe lirinë e votës.
- Lidhjet e mediave me partitë politike, si rezultat i interesave për biznes të pronarëve të medias duke manipuluar me editorialet e fushatës së partive. Edhe për këto raste duhet shprehur në Kodin Zgjedhor dhe mediave që u vërtetohen ngjarje të tilla duhet të penalizohen me gjoba mjaft të mëdha.
- Komisionet zgjedhore me përfaqësues politikë janë gjithmonë të njëanshëm. Në këtë rast duhet të propozohet formula që komisionet të kenë në përbërje persona të trajnuar, pa parti dhe me numër të vogël prej 5 vetash, për t’i lënë mundësi shoqërisë civile të jetë vëzhguese dhe më e pranishme në procesin zgjedhor.
- Depolitizimi i administrimit të zgjedhjeve. Ky process do të zgjidhte shumë probleme të vërejtura dhe të përsëritura çdo katër vjet si blerja e komisionerëve, vonesa në emërimin e tyre, akreditimin në KQZ dhe shumë fenomene të tjera që ajnë tipike shqiptare.
- Listat e zgjedhësve përjashtojnë një pjesë të mirë të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Natyrisht që edhe kjo duhet të marrë fund. Afishimi i listave në mure, dyqane, në një format gati të palexueshëm dhe të padeshifrueshëm lypset të zëvendësohet me afishimin e tyre në çdo pallat si dhe të ketë kohë të mjaftueshme që secili të verifikojë emrin e vet dhe të ketë kohën e domodoshme për verifikim, ankim dhe për të shkuar në votim.
- Meqënëse kemi akuza për inkriminim dhe rezultojnë deputetë jashtë të gjitha kritereve të përfaqësimit, ka mundësi që Kodi Zgjedhor duhet të zgjerojë kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, që duhet të vijë si një garë brenda partisë dhe më pas është kryetari i partisë që duhet të mbajë përgjegjësi ligjore.
- Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndëshkohen ligjërisht nëse provohet se ata bëjnë presion ndaj punonjësve të sektorit publik. Është e udhës që të përcaktohet në udhëzimet e KQZ që, nëse konstatohet se në mitingje e partive gjenden punonjës me statusin e nëpunësit civil, atëhere atyre automatikisht u ndërpritet kontrata e punës.
- Fleta e votimit dhe rregullat e numërimit janë shumë të ngarkuara dhe të komplikuara. Nuk ka sens që të flitet për fletë votimi të hedhura në kutinë e gabuar. Kutitë me materiale zgjedhore janë të ndara dhe janë krijuar për të lehtësuar administrimin e shpejt të numërimit dhe kjo gjë nuk duhet të prevalojë në të drejtën për ta numëruar çdo fletë votimi, kudo që jo të hidhet.
- Duhet të sigurohet sekreti i votës dhe integriteti i procesit zgjedhor. Shpesh ka pasur numër serial të fletës së votimit që e identifikonte atë me një person konkret.