Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i Myftarajt për Maqedoninë

Kastriot Myftaraj – Shqiptarët e Maqedonisë duhet të ngulitin në mendje këto të vërteta të thjeshta politike dhe gjeopolitike:
1)Kur Maqedonia u krijua si shtet, SHBA dhe Bashkimi Europian e morën nën mbrojtje të posaçme duke mos e lejuar të pësonte fatin e Bosnjë-Herzegovinës, sepse shtetin e ri e shikonin si buffer-state (shtet tampon) mes shteteve fqinje që kishin luftuar historikisht për territorin e saj: Bullgarisë, Serbisë, Greqisë, Shqipërisë.
2)Që Maqedonia të ekzistonte si shtet duhej që popullsia shumicë, ajo me emrin e së cilës është i lidhur emri i shtetit, në këtë rast sllavët, ta kontrollojnë shtetin. Duke e ditur këtë, maqedonët e mbrojnë fort emrin e shtetit si “Maqedoni”
3)Që sllavo-maqedonët të cilët e kontrollojnë shtetin të frenohen dhe të mos afrohen tej masës së lejuar, me Rusinë, Bullgarinë dhe Serbinë, atyre do t’ u mbahet ngritur dajaku shqiptar. Shqiptarët në shtetin e ri kanë rolin gjeopolitik të dajakut.
4)Shqiptarët mund ta ushtrojnë rolin gjeopolitik vetëm kur këtë e dëshirojnë SHBA dhe BE, jo sipas dëshirës së vetë shqiptarëve. Kur shqiptarët e ushtrojnë rolin gjeopolitike të dajakut, sipas dëshirës së tyre, e pësojnë si në Kumanovë, vitin e kaluar.
5)Shqiptarët do të kenë në shtetin maqedon aq të drejta dhe qasje në pushtet, sa ç’ duhet që të fuqizohen për të mundur të ushtrojnë atëherë kur duhet rolin e dajakut.
6)Sipas këtij ligji të pashkruar gjeopolitik ndërkombëtar për Maqedoninë, Ali Ahmeti dhe BDI janë maksimumi i mundshëm i arritjeve politike që mund të kenë shqiptarët në Maqedoni, sipas modelit të sotëm të politikës së partive shqiptare që kërkojnë vota për të rregulluar cështjet e shqiptarëve në bashkëqeverisje me maqedonët sllavë. Dhe Ali Ahmeti dhe BDI janë kulmi i arritur edhe duke përdorur dajakun ndaj maqedonëve, si ndodhi me luftën e vitit 2001.
7)Kush ka mendim tjetër, e ka skenën e lirë në “Lagjen e Trimave” për të dhënë shfaqjen e vet me armë.
8)Lëvizja “Besa”, e cila flet me frazeologjinë e politikanëve turq të Qipros para ndërhyrjes ushtarake turke atje në 1974, nuk e ka pas vetes Armatën Turke, ashtu si politikanët turq të Qipros para vitit 1974. Këtë e di çdo shqiptar i Maqedonisë.
9)Shqiptarët e Maqedonisë duhet ta dinë se nuk mund të ketë federalizimin të Maqedonisë, në kuptimin klasik të fjalës, me heqje të vijës në hartë, pasi në çdo version të heqjes së vijës në hartë mes pjesës shqiptare dhe asaj maqedone, do të mbeten rreth 400 mijë maqedonë sllavë në pjesën shqiptare.
10)Por Maqedonia mund të federalizohet praktikisht, nëse jo gjeografikisht. Federalizim praktik do të thotë krijimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoni, sipas shembullit të asocimit të komunave serbe në Kosovë, duke pasur Asociacioni i Komunave Shqiptare organe të ngjashme me atë serb në Kosovë, me kompetencat përkatëse. Asociacioni gjen legjitimitet në Marrëveshjen e Ohrit dhe përshtatet me rolin e dajakut eventual që kanë shqiptarët në Maqedoni.
11)Nëse ata politikanë që akuzojnë Ali Ahmetin si tradhtar, nuk janë thjesht demagogë që kërkojnë pushtet për mirëqënien personale, duhet të shpallin si program të partive dhe lëvizjeve të tyre krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni. Sa për shqiptarët që mbeten jashtë Asociacionit për shkak se banojnë në komuna me shumicë popullsie maqedone, për ta mund të bëhen marrëveshje duke e kushtëzuar trajtimin e maqedonëve sllavë brenda Asociacionit, me atë të shqiptarëve jashtë tij.
12)Nëse duan ta kenë këtë arritje shqiptarët e Maqedonisë duhet të ulin profilin e tyre islamik, sepse SHBA dhe BE nuk mund të pranojnë një lloj shteti musliman brenda Maqedonisë, në trajtën e Asociacionit të Komunave Shqiptare.

Please follow and like us: