Sherri Rama-Meta alarmon FMN-në: “Tensionet brenda mazhorancës kërcënojnë ekonominë”
Kriza politike brenda mazhorancës dhe tensionet mes Partisë Socialiste e LSI-së kanë shqetësuar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në raportin e fundit mbi Shqipërinë FMN e cilëson krisjen e koalicionit qeverisës si një nga dy rreziqet më të mëdha për ekonominë.
“Me tensionet brenda maxhorancës qeverisëse dhe zërat për zgjedhje të parakohshme, tensionet politike dhe sociale mund të pengojnë zbatimin e reformave strukturore,” thotë FMN.
Sipas Fondit, kjo do të shkaktonte përkeqësimin e administrimit tatimor duke çuar në rënien e të ardhurave, uljen e investimeve dhe akumulimin e borxheve të papaguara ndaj biznesit.
Paqëndrueshmëria e maxhorancës është një nga dy rreziqet për të cilat FMN mendon se do të kishin impakt të madh në ekonominë shqiptare. Rreziku i dytë është ai i rritjes së dobët në Eurozonë, veçanërisht në dy partnerët kryesor ekonomik të Shqipërisë, që janë Greqia dhe Italia.
“Rritja e dobët ekonomike në Itali dhe Greqi do të vazhdonte të ndikonte negativisht rritjen ekonomike të Shqipërisë. Nga ana tjetër rritja stanjative e ekonomisë do të testonte vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar me reformat dhe uljen e borxhit,” – thotë FMN.
Ja risqet e tjera për ekonominë
Ekspertët e FMN-së kanë identifikuar në total 9 rreziqe si potenciale për ekonominë shqiptare. Në një matricë të posaçme brenda raportit, ata i kanë renditur këto rreziqe sipas probabilitetit që kanë për t’u materializuar, por edhe sipas impaktit që do të kishin në ekonomi.
Në kollonën e parë, FMN identifikon 4 rreziqe që kanë probabilitet të lartë për t’u materializuar. Ato janë, vazhdimi për një kohë të gjatë i çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i vendeve në zhvillim, forcimi i dollarit, largimi i një banke të huaj nga Shqipëria dhe fluksi i emigrantëve.
Por nga këto 4 rreziqe me mundësi të lartë ndodhje, sipas FMN, vetëm njëra do të kishte impakt mesatar në ekonomi. Ajo e çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i ekonomive në zhvillim, që sipas Fondit do të ulte më tej të ardhurat nga renta dhe do të dekurajonte më tej investimet në këtë sektor. Ndërsa tre rreziqet e tjerë edhe nëse realizohen do të kishin impakt të vogël në ekonomi.
Në kollonën e dytë janë listuar rreziqet me mundësi mesatare dhe të lartë ndodhje. Këtu hyn; rritja e dobët në ekonomitë partnere të Eurozonës, destabiliteti i brendshëm politik, kushtet e këqija të motit, një shpërthim i ri i krizës greke.
Në këtë kollonë, FMN thotë se janë dy rreziqe, që do të kishin pasoja të mëdha për ekonominë. Ato janë kriza e ekonomive partnere dhe përplasjet brenda koalicionit qeverisës, ndërsa rreziqet e tjera do të kishin pasoja të vogla. Në fund të tabelës FMN indentifikon si rrezik edhe pamundësinë e qeverisë për të rinovuar borxhin publik. Por sipas ekspertëve të saj ky rrezik ka një probabilitet të ulët ndodhje pasoja potenciale të ulëta.