Albspirit

Media/News/Publishing

Situata paradoksale dhe reforma në drejtësi

Situata paradoksale dhe reforma në drejtësi… – Nga Kastriot Islami

 

kastriot islami - kuvendi

Nga Kastriot Islami

Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe dekriminalizimijane tri proceset fuqimisht të ndërlidhura mes tyre, të cilat presin përgjigjen dhe miratimin e zbatimin nga Kuvendi i Shqipërisë. Paradoksalisht ky kuvend ka për detyrë të nxjerrë vendin nga kjo situatë ndërkohë që shumicës së qytetarëve por edhe partnerëve kryesorë kuvendi i duket jonormal dhe situata pa zgjidhje. Një situatë që përkeqësohet me shpejtësi çdo ditë. Ndërkohë që shumica kuvendore duket e paaftë për të nxjerrë vendin nga kjo gjendje, partnerët ndërkombëtarë kryesorë, BE dhe SHBA “nxisin” fuqimisht aktorët politikë në kuvend të miratojnë reformat integruese, më konkretisht atë në drejtësi, me synimin për ta futur Shqipërinë në BE ndërkohë që publiku europian është tmerrësisht i shqetësuar nga lajmet që dërgohen nga Shqipëria.

  1. Situata në vend është katastrofike…

Situata në vend është shumë e rëndë, katastrofike.  Ekonomia po rrënohet cdo ditë, kryesisht nga rënia e konsumit, nga papunësia,, varfëria, nga bizneset që mbyllen dhe investitorët e huaj që largohen; propaganda qeveritare është acaruese dhe vetëm nxit përkeqësimin.  Situata sociale pa asnjë dyshim është e rëndë e po vijon çdo ditë të përkeqësohet. Gjëndja psikologjike e qytetarëve është tmerrësisht e rëndë po ashtu, duke ndikuar negativisht në përkeqësimin e gjendjes ekonomiko-sociale .Qeveria duket e papërgjegjshme dhe e paaftë për të dalë nga kjo gjëndje. Qeveria naivisht e gabimisht gjykon se mund të dilet nga gjendja katastrofike me mashtrime, me dizinfomim, me shou, me kërcënime, me ofendime, me nënshtrim policor, madje duke “vrare” të gjithë kundërshtarët  që ndriçojnë modestisht gjendjen.

  1. Shumica e qytetarëve janë pa shpresë…

Kudo ku bashkohen qytetarët për të biseduar, shqetësimet fokusohen në një pikë. Të largohemi nga ky vend. Ti bindim fëmijtë të qëndrojnë aty ku janë dhe të mos kthehen. Kemi bërë shumë gabim që kemi qëndruar këtu dhe nuk jemi larguar kur ishim më të rinj. Sepse ky vend nuk bëhet. Sigurisht diku më agresive e diku më pak, këto qëndrime tmerrësisht të rënda orientohen kundër qeverisjes, kundër kuvendit, kundër politikës në tërësi. Natyrisht që e gjithë klasa politike ka përgjegjësinë e saj, por nuk do të ishte e drejtë të njolloseshin të gjithë njëlloj sepse përgjegjësia e profesorëve dhe socialistëve nuk është e njëjtë me atë të kriminelëve, kusarëve, apo të paaftëve. Po ashtu siç nuk është e njëjtë përgjegjësia mes drejtuesit të qeverisë dhe deputetëve të thjeshtë, aq më pak me ata që nuk kanë rreshtur me mendimet e tyre alternative. Po në fund të fundit duhet patur parasysh shprehja e Anshtajnit se e keqja kësaj bote do ti vijë jo vetëm nga ata që bëjnë të këqija por edhe nga ata që qëndrojnë indiferentë dhe nuk angazhohen për ti parandaluar ato.

  1. Kuvendi s’është funksional dhe ka humbur rolin e tij…

Kuvendi i Shqipërisë është vendi ku s’diskutohen demokratikisht dhe miratimi i ligjeve kryhet me urdhër nga Kryeministri. Është institucioni që s’përfillet nga qeveria, madje qe e konsideron atë “bishtin” e saj. Është vendi që s’kryen dot hetime parlamentare sepse maxhoranca me të gjitha mënyrat i minon ato. Është vendi ku është e pamundur të kontrollohet veprimtaria e qeverisë sepse grupi kuvendor i maxhorancës ngre dorën pa reflektuar për të gjitha ligjet që sjell qeveria në kuvend,Edhe fjala jo vetëm nuk ështëe lirë në kuvend por rezulton edhe pa vlerë. Madje nuk kanë munguar rastet e kërcënimeve kriminale të disa deputetëve të orkestruara nga Kryeministri. Për rrjedhojë, ky kuvend shqiptar s’është dhe s’do tëmund  të jetë parlament demokratik normal.

  1. Qeveria në konflikt institucional me të gjithë institucionet kushtetuese

Kryeministri drejton vendi përmes një menaxhimi karakterial që s’ka asnjë lidhje me menaxhimin politik apo ekonomik, juridik apo administrativ.  Rrethanat aktuale, të tilla i) si ajo e përgjimeve përmes një pajisje të paligjshme dhe të futur në mënyre klandestine në vend, që s’ka ndodhur asnjëherë, aq me tepër duke implikuar edhe një shtet mik e fqinj për të përgjuar ilegalisht eventualisht zyrtarët më të lartë, kundërshtarët politike dhe ambasadoret; ii) ajo e dorëheqjeve të kryetarëve të bashkive me rekorde kriminale dhe rikthimit të tyre të detyruar më tej nga kryeministri përmes tërheqjes së dorëheqjes dhe bllokimin e zgjedhjeve në ato bashki ku kërkohet pastrimi i figurës së drejtuesit të bashkisë;

iii) ajo e vendosjes së përgjuesit në zyrën e ministrit të brendshëm, ku dyshimet shkojnë të sherret e brendshme mes aleateve të koalicionit; iv) ajo e sjelljes arrogante e të rrezikshme të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm ndaj prokurorisë dhe KLD, për shkak të veprimit të tyre kundër drejtorit të policisë apo ministrit; v) ajo e sulmit të paprecedentë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndaj presidentit; vi) ajo e demonstrimeve antiligjore e të dënueshme të administratës të Bashkisë së Tiranë kundër gjykatave; e tjerë e tjerë janë shprehje e qartë të konfliktit të qeverisë me institucionet kushtetuese. Këto konflikte e rëndojnë më shumë situatën paradoksale dhe e komplikojnë më tej atë duke bllokuar zgjidhjet.

  1. Situata paradoksale për reforma të standardeve perëndimore

Është hera e parë në25 vjet që vendi ndodhet në një situatë paradoksale që lidhet me përbërjen, rolin, funksionet dhe detyrat e kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht me ato të lidhura me reformat integruese dhe më konkretisht me reformën e drejtësisë. Sepse, nga njëra anë kuvendi shqiptar perceptohet i) çdo ditë e më shume si një parlament ku dominojnë paaftësia, medikokriteti, individët me rekorde kriminale që janë bërë deputetë nga Rama sepse dinë të blejnë votat e të kërcënojnë votuesit;  ii) si një parlament ku pjesëtarët e klientelës së Ramës dhunojnë Kushtetutën për të rrjepur fondet publike dhe s’flasin asnjëherë në parlament por dinë vetëm të veprojnë për interesat e tyre e të mbështesin në mënyrë klienteliste Ramën; iii) si një parlament ku disa “manekinë” si pjesë e klientelës së Ramës orkestrohen jo thjesht si jesmenë apo për të ngritur dorën por edhe për të ofenduar, denigruar çdo bartes të një mendimi alternativ apo kundërshtar të kryeministrit; iv) si një parlament të cilin një nga pjesëtarët e grupit socialist me shumë të drejtë e përcaktoi se dominohet e diktohet nga sjelljet një Vëllazërie të Vesit, gjë që është tmerrësisht e rëndë, pavarësisht se të jesh pjesëtarë i Vëllazërisë së Vesit mund të pasurohesh apo ndjehesh i qetë për momentin; v) si një parlament ku e keqja është kthyer në model suksesi, ku i paafti servil promovohet, ku arroganca dhe mashtrimi janë kriteret themelore të promovimit dhe meritokracisë, dhe i afti ndjehet në minorance përbuzëse e i ndershmi specie në zhdukje; vi) si një parlament ku sulmohet gjithkush që ka integritet, dhe ku profesorët, akademikët, profesionistët, janë specie në eliminim duke u konsideruar matufë, jashtë realitet dhe të paaftë për tu përshtatur me modelin e suksesit të së keqes, arrogantin, kriminelin, vjedhësin, kurse nga ana tjetër Shqipërisë, një anëtare e NATO dhe kandidate për në BE, e përfaqësuar nga një parlament i tillë i kërkohen të kryejë reforma të standardeve demokratike perëndimore.  Reforma që duhet ti kryejë pikërisht ky parlament që perceptohet negativisht jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga partnerët.

  1. Zgjidhjet “radikale” in ekstremis…

Dy rrugë ka për të dalë nga situata paradoksale: a) ose të mblidhen të gjithë individët,nga të gjithë forcat politike, me eksperiencë, aftësi, kontribute, por mbi të gjitha me vullnet të qartë pozitiv, me integritet e moral dhe të vendosin së bashku për rregullat e qarta të zgjedhjeve të ardhshme pa kriminelë, pa kusarë, pa individë me diploma të blera, pa individë që s’kanë asnjë lidhje me institucionin e nderuar të deputetit, pajesmenë  dhe të vendosin se s’do të fusin duart në zgjedhje, s’do të blejnë votat apo kërcënojnë votuesit, që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, që s’do ta konsiderojnë njëri tjetrin më armiq por kundërshtarë e për rrjedhojë do të pranojnë rezultatin në mënyre që kuvendi të kthehet në një institucion me dinjitet dhe që kryen rolin e funksionin që i takon;kjo është një zgjidhje që në pamje të parë duket utopike por në kushtet e “katastrofe” politike, ekonomike e sociale mund të rezultojë një zgjidhje e mundshme; b) se përndryshe të shpërndahet me urgjence ky kuvend që do të mbetej në histori si Kuvendi i Turpit, para se vetë shqiptarët ta shpërndanin përmes protestave masive.  Sigurisht që zgjidhja do të mbetej në duart e votuesve dhe parashikimi për cilësinë e kuvendit do të lidhej ngushtësisht me ndërgjegjësimin e votuesve. Natyrisht përvec këtyre zgjidhjeve “radikale”mundet të ketë edhe zgjidhje të tjera prandaj “pjesa e shëndoshë” e kuvendit aktual duhet të reflektojë e reagojë më shpejtësi. Përndryshe përgjegjshmëria kolektive e kapur peng nga modeli i së keqes do të çonte jo vetëm në “fundosjen” e këtij kuvendi por edhe të të gjithë vendit. Propaganda për të maskuar gjendjen dhe mashtruar qytetarët nuk e shmang “katastrofën” madje mund ta sjellë atë më shpejt dhe më një intensitet shumë të lartë.

  1. Shqipëria në udhëkryq…

Pa lejuar kapjen politike të gjyqësorit, reforma në drejtësi duhet kryer. Qoftë edhe nga një kuvend paradoksal. Sepse Shqipëria, një regjim hibrid me prirje oligarkike është në udhëkryq. Nëse reforma në drejtësi s’arrin të pengojë kapjen politike nga qeverisja aktuale, vendi do të futet në rrugën e rrënimit të demokracisë dhe të konsolidimit të një regjimi qartësisht oligarkik. Nëse reforma në drejtësi do të çonte në ngritjen e një drejtësie të standardeve perëndimore atëherë janë të gjitha shanset që vendi të çrrënjosë korrupsionin, krimin dhe oligarkinë nga kapja që i kanë bërë qeverisjes, maxhorancës dhe administratës publike përmes rrugës së butë.

SHPËRNDAJE NË:
Please follow and like us: