Turqia synon 20 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi shëndetësor në 2023
Objektivi i Turqisë për 2023 është të sigurojë 20 miliardë dollarë të ardhura nga 2 milionë turistë që do të vijnë për të marrë shërbime shëndetësore, shkruan e përditshmja turke “Star”.
Pas Amerikës dhe Gjermanisë, sot Turqia renditet e treta në botë në aspektin e pacientëve dhe të ardhurave në turizmin shëndetësor. Objektivi i Turqisë për vitin 2023 është që të mirëpresë 2 milionë turistë të tillë dhe të sigurojë 20 miliardë të ardhura.
Kryetarja e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Shëndetësor në Turqi (Türkiye Sağlık Turizmini Geliştirme Derneği) dhe Koordinatorja e Përgjithshme e rrjetit të spitaleve private “Liv Hospital”, Meri Istiroti thotë: “Sot Turqia nga sektori i turizmit fiton në total 20 miliardë dollarë. Me hapat që ka hedhur në drejtim e duhur Turqia ka ngritur në nivele të përparuara edhe turizmin shëndetësor. Që nga viti 2005 e këtej turizmi shëndetësor në Turqi po shënon një zhvillim jashtëzakonisht të madh”. Disa nga faktorët që kanë ndikuar që pacientët e huaj të preferojnë Turqinë Istiroti i rendit kështu: “doktorët turq janë të mirë, nëpër spitale përdoret teknologji e lartë, spitalet janë moderne dhe administrohen mirë, pa harruar këtu mikpritjen, sjelljen dashamirëse ndaj pacientit”.
Në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Turqia është 4 herë më e lirë për pacientët që paguajnë me para në dorë shërbimin e marrë. Ndërsa në krahasim me Evropën çmimet në Turqi janë 50% më të lira”, sqaron Meri Istiroti, e njohur ndryshe edhe si “zonja e hekurt” e shëndetësisë private në Turqi.