Albspirit

Media/News/Publishing

Afera e ministres me nxënësit me mesatare nën 6

Afera e Lindita Nikollës me nxënësit me mesatare nën 6/ Orientimi drejt privatit me kurse dy vjeçare

Afera e Lindita Nikollës me nxënësit me mesatare nën 6/ Orientimi drejt privatit me kurse dy vjeçare

Pas skandalit me akreditimet, Ministria e Arsimit vijon të favorizojë universitetet private që janë pranë saj. Me ligjin e ri për arsimin e lartë ra matura shtetërore dhe kushti kryesor është mesatarja. Por ditët e fundit ka dalë në dritë dhe arsyeja e këtij vendimi.

Qeveria vendosi që mesatarja për t’u pranuar në universitet të jetë 6. Por duket se Ministria e Arsimit ka një plan për nxënësit me mesatare nën 6 që duan të arsimohen dhe ata do të orientohen drejt arsimit profesional, shkruan “Sot”. Por si do të bëhet kjo?

Ministria e Arsimit planifikon që ata të ndjekin kurse dy vjeçare profesionale tek dy universitetet private, të cilat njihen tashmë për favorizimin që u është bërë vazhdimisht vitet e fundit duke filluar që nga hartimi dhe miratimi i ligjit për arsimin e lartë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit, do të ketë një bashkëpunim mes saj dhe privatit për pritjen e nxënësve me mesatare nën 6 dhe si duket universitetet më të favorizuar do të jenë ato pranë saj. Mësohet se universitetet do fusin programe dhe lëndë profesionale për të pritur ata që nuk ndjekin dot arsimin e lartë.

Në mungesë të alternativave të tjera studentët do të jenë të detyruar të zgjedhin njërin mes tyre, madje duke paguar edhe një faturë vjetorë, e cila edhe pse nuk është miratuar pritet të jetë e lartë. Edhe nëse është vetë shteti ai që do i mbulojë, sërish privati del i fituar. Ajo që bën përshtypje është se Ministria e Arsimit po e përgatit që tani terrenin për të kaluar edhe këtë aferë pa shumë bujë në opinionin publik. Mësohet se ministria i ka njoftuar që tani dy universitetet publike në fjalë për ekskluzivitetin që do t’u jepet, ndaj ata i kanë filluar që tani përgatitjet në mënyrë që në muajin tetor të kenë gjithçka gati.

Për të mbuluar “zullumin” Ministria e Arsimit pritet të hapë edhe një garë publike, ku mund të garojë çdo universitet tjetër, por dy universitetet pranë qeverisë do të jenë disa hapa para, pasi universitetet e tjera që mund të shprehin interesimin normalisht do të jenë mbrapa me përgatitjet, çka pritet të sjellë edhe skualifikimin e tyre nga gara. Një skemë e mirëmenduar e Ministrisë së Arsimit, që në dukje lë përshtypjen se nuk  ka bërë asgjë komprometuese.

Në fakt që në momentin që MAS njoftoi se studentët me mesatare më të ulët se gjashtë nuk do të pranoheshin për të konkurruar kjo kategori shprehu shqetësime dhe ankesa, të cilat nuk u morën parasysh. Sipas MAS, kjo bëhej për të nxitur të rinjtë që të zgjedhin arsimin profesional si rruga e vetme për të gjetur hapësira në tregun e punës.

Gjithsesi, problemi në këtë mes nuk qëndron tek fakto që studentëve me mesatare të ulët u privohet e drejta për të zgjedhur universitetin dhe degën që dëshirojnë të kryejnë studimet e tyre, por në faktin që ministria edhe në këtë rast qartësisht është duke punuar në interes të dy universiteteve private që i ka mbështetur gjatë gjithë kohës, si në procesin e akreditimit edhe atë të doktoraturave.

Please follow and like us: