CNN Greek sjell një interpretim akademik të çështjes çame
CNN Greek sjell një interpretim akademik të çështjes çame: Krim lufte që nuk është njohur si vepër e organizatës joshtetërore EDES
Vizita e ministrit të Jashtëm, grek Nikos Kotzias në Tiranë por edhe shfaqja e banerit “me përmbajtje nacionaliste” në shkallët e stadiumit të Lens gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër ka nxitur CNN Greek të kërkojë një shpjegim më të specializuar lidhur me çështjen çame. Profesori i Departamentit të Ballkanit, Studimeve Sllave dhe Orientale në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, Konstantinos Tsitselikis, duke analizuar ngjarjet e asaj kohe, jep mendimin e tij shkencor për këtë çështje. Sipas tij “Historia fillon me integrimin e Epirit në shtetin grek në vitin 1913”. “Gjërat u tensionuan pas viteve 1925 -1926, pas ankesave të çamëve, të cilat në masë të madhe janë të justifikuara, siç thonë raportet e kryeministrit të atëhershëm Venizelos. Pronarët e vegjël humbën pasurinë e tyre dhe nuk u rimbursuan me një kompensim të saktë.
Kjo u shoqërua me një valë të dhunës nga ana e çamëve ndaj grekëve dhe anasjelltas”, thotë profesori që shton se: “Pika kulmore e këtij reagimi dhe konflikti ishte kur një pjesë e çamëve bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët. Megjithatë është artificiale ideja se të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo është faza e fundit e krizës në vitet 1943-1944, ku forcat e EDES përparuan ndjeshëm në spastrimin e të gjithë popullsisë çame (rreth 20,000-25,000 njerëzit) dhe dëbimin e tyre me forcë në Shqipëri”.
“Në këtë dëbim të dhunshëm u vranë rreth 3,000 persona dhe pjesa tjetër iku në Shqipëri. Kjo është padyshim një përvojë traumatike për çamët dhe pasardhësit e tyre, sepse ata humbën pronat e tyre dhe nënshtetësinë greke. Kjo çoi në krijimin e një gjendje të degraduar duke lënë pezull faktin se asnjë palë nuk ka njohur krimet e luftës të kryera në atë kohë nga EDES që nuk ishte një organizatë shtetërore greke”-shpjegon Tsitselikis.
Profesori jep edhe një qëndrim lidhur me mënyrën si po e trajton këtë çështje Ministria e Jashtme Greke. “Kjo është më tepër një çështje e të drejtës morale për të njohur atë çfarë ka ndodhur. Greqia nuk duhet të mbajë të fshehur atë nën rrogoz dhe duhet ta bëjë të qartë që në fillim se nuk mund të shtrohet çështja e rivendikimit të pronësisë. Ky duhet të jetë një diskutim i hapur që duhet të ecë përpara. Pala greke gabimisht po i jep të drejtën palës shqiptare të maksimizojë pretendimet e saj për këtë çështje”-thekson Tsitselikis.
http://www.cnn.gr/news/ellada/story/35489/o-k-tsitselikis-sto-cnn-greece…