Albspirit

Media/News/Publishing

Dështimi si “vrimë” fitoreje

patrik sadikaj

Nga Patrik Sadikaj

Që pas grisjes së Shukriut dhe dorëheqjes nga dorëheqja e Elvisit, Edi Ramës I duhej patjetër një rrugë dalje. Me siguri që ky shteg shpëtimi nuk ishte kurrsesi vrima e kryebashkiakut të Dibrës. I duhej dika më e madhe dhe këtë e gjeti në hollin e madh të pallatit të Kongreseve.

Takimi për Reformën në Drejtësi ishte një zgjedhje e gjetur e kryeministrit për të lënë pas krahëve listën e problemeve që poi a fundosnin pak nga pak anijen e maxhorancës. Me një fjalim të parapërgatitur ishte treguar mese i qartë se zgjidhja nuk do të vinte në tavolinë me Bashën. Edhe studio televizive ishte kuruar mirë për të treguar një Top Story sipas versionit të tij të reformës së munguar në drejtësi.

Ai arriti që edhe me dështimin e uruar të ndërtonte përsëri një fasadë që të ushqente mbështetjen në ditë të vështira dhe ia përveshi gjithë fajin opozitës. Ai e zbukuroi me dorën e piktorit imazhin e pas takimit duke lënë bojën e zezë vetëm për mikun e ftuar në tryezë.

Fjalimi i lexuar pas tryezës ishte një qepje artistike e vrimës së zezë të grisur në maxhorancën e tij të vënë çdo ditë e më shumë në shënjestër të kritikave dhe më keq akoma. Gëzimi i dështimit të Reformës në Drejtësi nuk u frenua aspak nga shefi i qeverisë dhe këtë gëzim po e kap fort si kurthin më të mirë që mund të ngrinte rreth kundërshtarit politik që po fitonte gjithnjë e më shumë pikë nga skandalet e qeverisë.

Nëse hyjmë në thellësi të ngjarjes së një ditë më parë, dallojmë shumë elementë që qytetari i thjeshtë nuk i sheh dot. Militantët dhe ata që janë në hall për bukën e gojës e dëgjojnë në lajme kryeministrin dhe i turren opozitës duke e vënë me shpatulla për muri se pse nuk e firmos drejtësinë. Duke e njohur mjeshtërinë e kryeministrit për populizëm kjo gjë pritej. Le të ulërasë sa të dojë shefi i opozitës dhe të thotë se nuk pranon drejtësinë e Edi Ramës.

Ndoshta dhe Basha e dinte këtë gjë kur pranoi ftesën për takim. Megjithatë, mesa duket nuk e llogariti sa duhet efektin që do I jepte propaganda e kryeministrit popullit. Ndoshta jo vetëm qytetarëve të thjeshtë, për Bashën ka qenë e vështirë të ndryshojë imazhin e humbjes edhe tek deputetët e tij që me sa duket disa e përtypin pa përtesë këtë propagandë fitorjeje të Edi Ramës.

Rama në fasadën e ndërtuar me fjalimin e tij populist shkruajti me shkronja të mëdha se ai është i djegur për të arritur një reformë kompromisi në drejtësi, por nuk ia pranon rivali opozitar. Pra ai i mirë, Basha i keq. Me një gurë qëlloi në drejtim të dy zogjve: e para shpëtoi nga shtegu i Shukriut. E dyta: doli në publik burrë i mirë që do reformën në drejtësi duke goditur Bashën dhe Berishën.

Po sa do zgjasë kjo fasadë gëzimi dhe hareje mbetet për tu parë. E grisura e arnuar sado e qepur prej dore artisti diku do duket se ka qenë vrimë e zezë. Ne nuk mbushëm dot një gropë të madhe të zezë të lënë nga Berisha për 3 vjet, jo më të mbushim me një të shtënë të grisurën e pushtetit.

Please follow and like us: