Global Media Forum: Media. Liria. Vlerat
Global Media Forum: Roli i mediave në kohë krizash, në kohë të rritjes së censurës dhe dezinformimit. Edhe mosbesimi ndaj elitave po rritet. Këtu do të fokusohet konferenca ndërkombëtare e Deutsche Welles për median.
Rreth 2300 të ftuar nga e gjithë bota pret Deutsche Welle nga data 13-15 qershor në konferencën e 9-të ndërkombëtare të medias, Global Media Forum. Këtë vit forumi ndërkombëtar mban titullin „Media. Liria. Vlerat.“ Njerëz të mediave dhe studiues, politikanë e artistë, aktivistë dhe vizionarë nga më shumë se 100 vende mund të zgjedhin nga një ofertë e gjerë prej më shumë se 40 organizimesh. Të pranishëm o të jenë edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Alexander Graf Lambsdorff, zëvendëspresidentja e Bundestagut, Claudia Roth, ministrja gjermane e Punës, Andrea Nahles, drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger. Tek të ftuarit nga bota janë edhe Kasha Jacqueline Nabagesera nga Uganda, laureate e çmimit Nobel Alternativ, artisti egjiptian urban, Abo Bakr dhe pianisti palestinezo-sirian, Aehem Ahmad. Fjalimin përfundimtar e mban drejtuesja në largim e Sekretariatit të OKB-së për Klimën, Christiana Figueres.
Workshope, interaksion, dialog
Intendanti i Deutsche Welles, Peter Limbourg e përmbledh kështu pretendimin e konferencës: „Global Media Forum ofron workshope të orientuara nga zgjidhjet, formate interaktive dhe dialog inspirues. Do të flasim për rëndësinë e strategjive digjitale në të ardhmen e mediave ndërkombëtare, për të drejtat e njeriut dhe kufizimet e lirisë së mediave në botë, lirinë e kulturës e artit, për mirëqeverisjen dhe ndihmën për zhvillimin. Këtu do të debatohet edhe për rolin e medias dhe zhvillimin e gazetarisë.“
Deutsche Welle prezantohet në këtë forum jo vetëm si organizatore, por edhe me produkte mediatike. Të ftuarit mund të shohin live se si prodhohen formate televizive si emisioni „Shababtalk“, apo një format i ri intervistues me gazetaren kubaneze, Yoani Sanchez.
“Hapësirë për mendimin”
Për drejtuesin e Global Media Forum, Patrick Leusch, një gjë është shumë e rëndësishme – duke iu referuar logos së Deutsche Welles „made for minds“ – ai kërkon ta shndërrojë forumin në „një hapësirë të mendimit“. „Po qe se e merr seriozisht këtë, atëherë duhet t’u ofrosh njerëzve që sjellin diçka të veçantë, një forum, njerëzve që nga pozicioni i tyre përpiqen të ndryshojnë botën: Këta mund të jenë bloger, por edhe njerëz nga organizatat e shoqërisë civile, nga fshati, njerëz që duan të ndryshojnë diçka në komunitetin e tyre. Por mund të jenë edhe vendimmarrës politikë.”
Çmimi „Freedom of Speech“ dhe „Bobs”
Aktivitetet që Leusch nuk do t’i humbasë janë dhënia e çmimit „ Freedom of Speech – „Lirisë së Shprehjes“ gazetarit Sedat Ergin, kryeredaktor i gazetës „Hürriyet“. „Jam shumë i interesuar të ndjek kontributin e Sedat Ergin, por sidomos, laudatorin, Kai Diekmann, një njeri që nuk e mbyll gojën. Kujtoj se shtëpinë botuese Springer e kërcënon një akuzë e presidentit, Erdogan. Në ditën e dytë të konferencës nderohen edhe fituesit e çmimit të Deutsche Welles- The Bobs- Bes of Online Activism“. Çmimi që ka fituar reputacion ndërkombëtarë ndërkohë i jepet një projekti qytetar nga Bangladeshi, një programuesi të App-s nga Irani që paralajmëron për vendndodhjen e policisë së moralit, një organizate që bën fushatë kundër sulmeve me acid ndaj femrave në Indi, si edhe „Qendrës për Bukurinë Politike“ në Gjermani.