“Imoraliteti i femrave ka bërë që të shteret lumi”
Seyyed Youssef Tabatabi-nejad, i cili drejton lutjet e së premtes në Isfahan, Iran, ka inkurajuar policinë e moralit në vend për të frenuar ‘mbulimin e papërshtatshëm’ dhe ka theksuar se veshjet jo-modeste të femrave kanë ndikuar në ambient.
Gjatë një predikimi këtë javë, ai tha: “Zyra ime ka pranuar fotografi të femrave afër lumit të tharë Zayandeh-rud, ku femrat duken sikur të jenë në Evropë. Janë pikërisht këto veprime që shkaktojnë tharjen e lumit edhe më tej”, raporton agjencia e lajmeve ISNA.
“I them Ministrisë së Komunikimit të nis betejën kundër nxitësve të kësaj pamodestie. Nëse nuk e bëni këtë gjë, atëherë nuk e keni kryer punën tuaj si duhet. Ministria e Komunikimit mund t’i zbulojë këta individë dhe t’ua zë frymën”.
“Nëse shohim një mëkat, është e padobishme nëse vetëm flasim për të. Policia mund të shfrytëzojë edhe forcat paramilitare të Hezbollahit për t’i kryer këto operacione”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.
Komentet e tij erdhën në kohën kur policia e moralit në Iran është duke u rritur në numër të cilët po e luftojnë mbulimin e papërshtatshëm të femrave në vend, të cilat dëgjojnë muzikë me zë të lartë në makinat e tyre apo sillen në atë mënyrë që sipas autoriteteve në vend, cilësohet si jo-islamike.
Ndërkaq, komentet e imamit Tabatabi-nejad janë kritikuar nga Këshilli Kombëtar i rezistencës në Iran, duke i krahasuar deklaratat e tij me kulturën e ISIS-it.
Imami në fjalë më parë pati thënë se femrat duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa burrat e tyre punojnë, ndërsa ai pati përkrahur dhunën ndaj gruas në rast se ato nuk u përmbahen kodit të veshjes në vend.