Lamtumira e Napoleon Bonapartit
Një moment me të vërtetë dramatik në histori ndodhi më 20 prill, 1814, kur Napoleon Bonaparti, Perandor i Francës dhe në një farë mënyre sunduesi i Evropës i tha lamtumirë Gardës së Vjetër, pasi dështoi në pushtimin e Rusisë dhe humbjes nga aleatët.
Deri në atë kohë, Napoleoni kishte sunduar Francën dhe vendet përreth për 20 vjet. Nga një oficer në ushtrinë franceze, ai ishte rritur për t’u bërë perandor pas kaosit politik gjatë Revolucionit Francez kur rendi i vjetër i mbretërve francezë dhe fisnikërisë ishte shkatërruar.
Napoleoni ndërtoi një Ushtri të Madhe me 500 mijë ushtarë që përdorte taktika moderne luftimi në Europë. Ai arriti të ndërtonte një perandori në Francë.
Por në vitin 1812, në dukje i pamposhtur Napoleoni mori një vendim fatal për të pushtuar Rusinë. Ai avancoi thellë në Rusi, madje duke arritur dhe Moskën. Ai zbuloi se Moska ishte djegur nga rusët dhe nuk mundi të mbështeste ushtrinë franceze të uritur gjatë dimrit të acartë.
Napoleoni u detyrua të niste një tërheqje të gjatë, dhe pa që ushtria e tij të asgjësohej deri në 20 mijë ushtarë nga dimri i ashpër rus.
Britania, Austria dhe Prusia më pas formuan aleancë me Rusinë kundra Napoleonit. Edhe pse Napoeloni rindërtoi ushtrinë e tij dhe korri disa fitore të vogla, ai u mund në një betejë 3-ditore në Lajpcig. Më 30 mars 1814, Parisi u pushtua nga Aleatët. Më pas Napoleoni humbi mbështetjen e shumicës së aleatëve dhe më 6 prill 1814 ai u detyrua të hiqte dorë.
Ushtarë të Gardës sime të vjetër: Ju them lamtumirë!
Napoleon Bonaparti
Lamtumira, 20 prill, 1814
“Ushtarë të Gardës sime të vjetër: Ju them lamtumirë! Për njëzet vite ju kam shoqëruar vazhdimisht në rrugën e nderit dhe të lavdisë. Gjatë kohëve të fundit, ashtu siç në ditën e prosperitetit, keni qenë në mënyrë të pandryshueshme modeli i kurajës dhe besnikërisë.
Me burra si ju, kauza jonë nuk do të humbasë; por lufta do të ishte pa mbarim; mund të kishte qenë luftë civile, dhe kjo do t’i kishte shkaktuar fatkeqësi edhe më të rënda Francës.
Kam sakrifikuar të gjitha interesat e mia për ato të vendit. Unë po shkoj, por ju, miqtë e mi, do të vazhdoni t’i shërbeni Francës.
Lumturia e saj është mendimi im i vetëm. Ende do të jetë qëllimi i dëshirave të mia. Mos t’ju vijë keq për fatin tim; nëse kam preferuar të mbijetoj, ka qenë për t’i shërbyer lavdisë suaj.
Kam ndër mend të shkruaj historinë e arritjeve tona më të mëdha, që kemi realizuar së bashku.
Lamtumirë, miqtë e mi.
Sikur të mundja do t’ju shtrëngoja të gjithë në zemrën time”.