Albspirit

Media/News/Publishing

“Lufta dhe Paqja” sjell turistët në Vilnius


qyteti Vilnius

Ngjarjet në romanin epik të Tolstoit, “Lufta dhe Paqja”, zhvillohen në pothuajse gjithë hapësirën e gjerë të Rusisë para revolucionit. BBC-ja e ka përshtatur librin për një film që u xhirua kryesisht në Lituani, gjë që solli për këtë vend një mënyrë të re marketingu: turizmin televiziv.

Kulla Gediminas vështron nga lart gjithë Vilniusin. Ajo është një pjesë e rrënojave të Kështjellës së Sipërme, ndërtuar mbi kodër, në shekullin e 14-të nga Duka i Madh Gediminas.

Ndërtesën mund ta shohësh edhe në ekranin e televizionit, pasi ajo shfaqet në episodin e parë të dramatizimit të “Luftës dhe Paqes” së Leon Tolstoit në BBC.

Kulla mesjetare luan rolin e një kulle vëzhgimi në Alpet e Austrisë, ku gjenerali Kutuzov dhe Andrey Bolkonsky diskutojnë për shanset e ushtrisë ruse kundër Napoleonit, pas dorëzimit të Austrisë.

Por, ky nuk është i vetmi objekt historik i qytetit që shafqet në filmin televiziv. Në fakt, Vilniusi është pak a shumë protagonisti i papërmendur i dramës.

Guida lokale, Lina Duseviciene shpjegon se Lituania u përzgjodh për xhirimet, duke eliminuar si alternativa Poloninë dhe Hugarinë.

“Seria televizive mbështetet tek romani epik i Tolstoit dhe rrëfen historinë e fushatës së Napoleonit në Moskë. Vetë Lituania dhe Vilniusi ishin dëshmitarë të të gjithë historisë dhe vuajtën pasojat e fushatës së Napoleonit dhe ushtrisë së tij dhe rrugën e tij për në Moskë dhe kthim, kështu që ato u zgjodhën si vendi kryesor i xhirimeve”.

Adaptimi i ri i romanit, kërkonte një mënyrë krijuese të menduari. Moska u shkatërrua pothuajse tërësisht gjatë pushtimit francez të Rusisë dhe kështu humbi një pjesë të madhe të arkitekturës së saj. Për të rikrijuar atmosferën, producentët duhet të gjenin një tjetër shesh xhirimi, dhe gjetën Vilniusin.

Një nga vendet e xhirimit ishte zona e vjetër e qytetit, që në film shërbeu si Moska, pasi nuk e ka humbur tërheqjen e dikurshme.

Rruga Dominikonu në Qytetin e Vjetër ishte rruga kryesore drejt Perëndimit dhe falë këtij fakti bie në sy si një radhë fasadash të mrekullueshme rezidencash të pasura të aristokratëve vendas, me dritare të zbukuruara dhe porta të mëdha.

Guida Duseviciene thotë se në serial ajo portretizohet si një rrugë kryesore plot jetë e Moskës, e mbushur me kuaj dhe karroca, ndërsa familjet marrin arratinë nga qyteti.

“Kjo rrugë ishte shumë popullore mes familjeve aristokrate dhe ju mund të shihni pas meje ndërtesat e mrekullueshme. Ato tërhoqën vëmendjen e producentëve, sepse përfaqësonte njerëzit e klasës së lartë dhe Moskën me familjet e saj të pasura”.

Vetëm disa metra më larg është Kisha e Shën Gjonit, e cila shihet në sfond kur Natasha Rostova largohet nga qyteti, dhe Universiteti i Vilniusit që shërben si oborri dhe zyra e Ministrit austriak të Luftës në Brunn, në episodin e dytë të serialit, ku Andrey Bolkonksy e informon për sulmin e suksesshëm kundër Ushtrisë së Madhe të Napoleonit në Schongrabern.

Është universiteti më i vjetër në shtetet balltike dhe një nga më të vjetrit në Evropën Veriore, i themeluar në vitin 1579.

Edita Gaigaliene, zyrtare për shtypin e Departamentit të Turizmit të Lituanisë shpreson që seriali “Lufta dhe Paqja” i BBC-së të ndihmojë në promovimin e turizmit në vend.

“Është hera e parë që Lituania përdor kinematografinë për të promovuar turizmin dhe meqenëse seria e suksesshme ‘Lufta dhe Paqja’ u xhirua pothuajse plotësisht në Lituani, ne nuk deshëm të humbnim një shans kështu që e kuptuam që mund ta përdornim këtë mundësi për të nxitur turizmin”, thotë zonja Gaigaliene.

Mbi 6 milionë shikues e panë episodin e pare të “Luftës dhe Paqes” në BBC në janar 2016 dhe popullariteti i tij pritet të rritet.

Lituania shpreson që turistë nga vendet që do të shohin serialin, ta vlerësojnë një shëtitje të organizuar nëpër vendet ku është xhiruar filmi.

Zonja Duseviciene thotë se manastiri françeskan në Vilnius është një nga ndalesat e saj të preferuara.

“Manastiri u kthye në një spital të mbushur me ushtarë francezë pas rrethimit të Moskës. Regjisori i filmit dhe bashkëpunëtorët e tij, vunë re se kjo ndërtesë ishte shumë e transformueshme dhe e përshtatshme për skena të ndryshme”, – shpjegon ajo.

Një tjetër vend interesant është Kisha Ortodokse e Shën Nikolait. Zonja Duseviciene thotë se në kishë u bë një pagëzim i vërtetë për t’u filmuar, pasi prifti nuk pranoi të bëjë një imitim të ceremonisë së shenjtë.

Ajo shërbeu si një kishë në Lysije Gory të Rusisës, ku Bolkonsky sjell djalin e tij të sapolindur për ta pagësuar me emrin Nikolai.

Në realitet, foshnja u soll nga një çift lituanez që ra dakord ta pagëzonte atë si ortodoks me emrin e vërtetë Nikolai.

“Ata donin që djali i tyre të ishte ylli i filmit dhe vërtet i vunë atij emrin ortodoks Nikolai”, shpjegon guida.

Përveç shëtitjes turistike në Vilnius, turistëve u vihet gjithashtu në dispozicion një shëtitje me makinë në të gjitha vendet në Lituani ku janë bërë xhirime të serialit “Lufta dhe Paqja”.

Please follow and like us: