Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi/ Shpërthen ish-ministrja greke: Më vjen turp nga ministri i Jashtëm
Sa i takon deklaratave dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, ka dalë kundër ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Bakojanis është shprehur se prej vitesh, Shqipëria dhe Greqia kanë patur marrëdhënie të shkëlqyera. Ajo thekson se Shqipëria është një vend me perspektivë europiane dhe një retorikë e tillë greke ndaj vendit tonë, nuk ndihmon në raportin mes dy vendeve.
“Shqipëria është një vend me të cilin kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer. Një vend që këtu ka më shumë se 800 mijë emigrantë, është një vend që ka interes për të pasur marrëdhënie të mira me Greqinë, sepse ajo ka një perspektivë evropiane, dhe një retorikë e tillë është një shqetësim për vendin”, thotë Bakojanis.
Ish-ministrja e Jashtme greke përmend edhe vizitën e fundit të Kotzias në Tiranë dhe deklaratat e “qarqeve në Ministrinë e Jashtme të Greqisë”.
“Më vjen shumë keq ta them këtë, por më vjen turp nga ministri i Jashtëm, i cili në prag të vizitës së tij në Tiranë, njoftoi për qarqe në Ministrinë e Jashtme greke.
Hera e parë në jetën time që dëgjoj se ka qarqe në Ministri. Është e pamendueshme, sidomos për gjëra të tilla në politikën e jashtme”, ka thënë ajo.