PËRDHUNIMI NË GRUP I VALBONËS, SI KRIM QEVERITAR NË TENTATIVË
Dr. Islam LAUKA – ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë
Mendohet se përdhunimi në grup, si dukuri, ka hyrë, relativisht vonë, tek ne. Por në gjuhë e kultura të tjera, si dukuri dhe term, duket se ka ekzistuar me kohë. Në gjuhën arabe, përdhunimi në grup njihet me termin “taharrush”. Si praktikë ndeshet, jo rrallë, në Indi. Para pak kohësh, shtypi njoftoi që, në një fshat indian, kryeplaku i tij urdhëroi përdhunimin e një vajze 20 vjeçare nga 13 burra, si ndëshkim për faktin se ajo kishte “mëkatuar”, me një djalë të një tribuje tjetër.
Pavarësisht se hyri vonë tek ne, për fat të keq, krimi i përdhunimit në grup, gjithnjë e më shpesh, po haset në jetën e shoqërise shiptare. Të shoqërisë sonë të çoroditur, pa skrupuj moralë, pa frena, pa orientues vlerash morale.
Në ballë të çoroditjes e të bjerrjes morale qëndrojnë politikanët tanë. Këtë e thonë faktet. Në nivel qëndror, në parlamentin tonë, deputetë – lubi janë akuzuar për përdhunim në grup. Në nivel vendor, kryetarë komunash – përbindësha, gjithashtu po akuzohen për përdhunim në grup. Të çliruar dhe të nxitur prej modelit të ofrouar nga politikanët, gjithëfar xhindësh e shtrinë përdhunimin në grup në qendrat e zhvillimit social dhe shtëpitë e fëmijëve, në rradhët e më të pafajshmëve dhe më të pambrojturve, të të sëmurave mendore dhe të jetimëve. Perversitet ? Ndoshta kjo fjalë nuk e shpreh plotësisht degradimin moral të këtyrë demonëve të së keqes.
Në të gjitha rastet e lartpërmendura, togfjalëshi “përdhunim në grup” përdoret në kuptimin e marrëdhënieve seksuale me dhunë të dy a më shumë perversëve me viktimën e tyre. Në këtë kuptim, kemi sinonimet : çnderim me dhunë; çnjerëzim (çnjerëzoj); shtazërim (shtazëroj).
Por gjuha shqipe, fjalët “përdhunim”, “përdhunoj”, i përdor edhe në kuptime të tjera si: nëpërkëmb, shkel (ligijn, të drejtat); prish, shëmtoj, çnatyroj (dicka të bukur, të pastër a të mirë). Në anglisht (rape) përdoret edhe në kuptimin : me plackitë, me grabitë.
Në këtë shkrim, fjala “përdhunim” përdoret jo në kuptimin e saj të parë e të drejtpërdrejtë, por në kuptimet e tjera. Edhe togfjalëshi “përdhunim në grup”, ndjek këto kuptime. Megjithëse, edhe përdorimi i kuptimit të drejtpërdrejtë, nuk do të ishte krejt pa vend. Në përfytyrimet e njerëzve, në këngët popullore, në poezitë lirike, vajza lozonjare, nusja e bukur dhe Valbona janë shkrirë në një. Ndaj dhe vajza me emrin Valbonë ka kudo, ku flitet shqip.
Lakmia e qeveritarëve tanë, nuk njeh kufij. Siç nuk njeh kufij syri i tyre i shqyer dhe i pangopur. Vendimin për përdhunimin në grup të Valbonës e mori “ish kryeplaku”, i Shqipërisë, Sali Berisha, në mandatin e tij të dytë, kur miratoi projektin e ndërtimit të një rrjeti hidrocentralesh mbi shtratin e saj. Berisha e preu në besë Valbonën, sepse në vitin 1996, ai e pati marrë në mbrojtje atë, duke e shpallur “Park kombëtar”. Ekzekutimi i vendimit iu besua çakallit Edi Rama dhe kopesë së tij. Është po ai Edi Rama, të cilin, këto ditë, Berisha kërkon “ta çojë në spitalin e psikiatrisë si skizofren paranojak”.
Vendimi për përdhunimin në grup të Valbonës, nuk u mor si ndëshkim për “mëkatet e saj” (si në rastin indian), sepse ajo nuk ka bërë asnjë mëkat. Megjithatë, krimi i kryeplakut indian dhe ai i kryepleqëve tanë kanë të përbashkët faktin se lidhen me motive të dobëta, të ushqyera nga mentalitete mesjetare. Midis tyre, me ndikim përcaktues në vendimmarrjen e qeverive tona, duket se është mentaliteti i mujsharit, sipas të cilit, nëse diçka të pëlqen, çfarëdo që të jetë, tokë, shtëpi, a vajzë e bukur, pavarësisht se nuk është e jotja, mund të bëhët e jotja, mjafton që t’i vihet një tabelë me shënimin “e zanun”. Kultura e mosndëshkimit të të fortëve që ekziston në Shqipëri përbën shtratin e ngrohtë për zhvillimin e këtij mentalitetiti barbar. Pikërisht në rolin e mujsharit, qeveritë tona ia vunë syrin e tyre të pangopur Valbonës sonë të bukur, pa pyetur të zotët e saj, banorët që me shekuj jetojnë aty, duke vendosur, ditën për diell, tabelën “e zanun”. Qëllimi i tyre nuk është zhvillimi, por vetëm bërja e parave në favor të një grushti qeveritarësh dhe biznesmenësh.
Mentaliteti tjetër që ushqen përdhunuesit qeveritarë, është ai, sipas të cilit, natyra është krijuar për njeriun dhe nevojat e tij, i njohur si qëndrim antropologjik. Bota e civilizuar e ka braktisur me kohë këtë mentalitet dhe, në vend të tij, po zhvillon konceptin, në bazë të të cilit, njeriu nuk është pronar i natyrës, por vetëm një pjesë e saj. Fundi i shekullit të 20-të dhe fillimi i shekullit të 21-të, solli qasje të reja ndaj natyrës, përfshirë atë ekocentrike. Fatkeqësisht, Shqipëria e shekullit të 21-të vazhdon të mbetet e kapluar nga mentalitetet mesjetare.
Së fundi, veç mentaliteteve të mykura, duket se vendimi për përdhunimin në grup të Valbonës, është diktuar nga situata e tanishme krizë, kur ndarja e plaçkës në qendër ka përfunduar, në kuptimin që nuk ka mbetur gjë tjetër për t’u zhvatur. Tani lufta për para është zhvendosur në periferi, në zona më të thella, si Valbona, Vjosa, bregdeti i Jugut, etj.
Për të gjithë është e qartë se të dy qeveritë tona e kanë konsumuar krimin e përdhunimit në grup, deri tani, të mbetur në tentativë: të dyja qeveritë kanë nëpërkëmbur të drejtën mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, e cila ndalon realizimin e projekteve të përmasave dhe natyrës së hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, siç është Valbona, për shkak të pasojave të tyre të rënda, shpesh të pariparueshme, në ekosistem, në florën dhe faunën endemike, si dhe në jetën e njerëzve që banojnë në to. Nga ana tjetër, realizimi i projekteve të miratuara prej tyre, me pritat, kullat metalike, kanalet prej betoni apo tunelet, do ta përçudnonin, shëmtonin, shkretonin dhe, në fund të fundit, do ta çnatyronin Valbonën tonë të bukur dhe të virgjër.
A do ta lëmë ne Valbonën në gojën e pangopshme të kopesë së çakejve qeveritarë? A do të lejojmë ne që vendimi barbar i qeverive tona për përdhunimin në grup të Valbonës të shndërrohet në akt kriminal? Apo veprimi i tyre pervers, në sajë të reagimit tonë të fuqishëm dhe të vendosur, do të mbetet një krim në tentativë?
Pozitiv është fakti që, pavarësisht masave të të dy qeverive tona për ta mbajtur të fshehur krimin e tyre kundër Valbonës, fatmirësisht, ai u zbulua.
Nëse bashkohemi, siç kemi ditur e dijmë të bashkohemi ne, për mbrojtjen e trojeve tona, për nderin e dinjitetin tonë, krimi qeveritar, do të mbetet në tentativë dhe Valbona jonë, Valbona nuse, Valbona lule mos më prek, do vazhdojë të mbetet, ashtu siç e kemi njohur gjithmonë – e trentë, lozonjare, e lirë. Siç e ka falur Zoti a natyra.