Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në Drejtësi, PD: Ka vetëm një arbitër, Komisioni i Venecias

Kryetari i Partisë Demokratike ka dalë me një deklaratë për shtyp pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Ndërkohë që ky i fundit ka përsëritur se i kishte dhënë garanci Bashës për një “reformë legjitime”, vetë kryetari i PD-së ka sqaruar nëpër rreshta edhe qëndrimin ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Tha Basha ndër të tjera, duke iu referuar raportit final të Komisionit të Venecias: “Paragrafi 88. Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme: – Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes. E zezë mbi të bardhë. Ky është arbitri. Për këtë kemi rënë dakord. Ky është autoriteti suprem mbi çdo autoritet tjetër europian apo global për ndryshimet kushtetuese në çdo vend anëtar të Këshillit të Europës. Arbitri ka folur. Partia Demokratike ka zgjedhur, e ka pranuar”.

Duke e theksuar rolin e Komisionit të Venecias si arbitër suprem…në çdo vend anëtar të Këshillit të Europës, Basha ka hedhur poshtë kritikën për mungesë fleksibiliteti nga ambasada amerikane në Tiranë, ndaj së cilës ka apeluar tërthorazi që të riformulojë rolin e vet në përcaktimin e përmbajtjes së draftit. Ndoshta opozita ka aktualisht një garanci nga LSI-ja se reforma nuk do të kalojë me mekanizmin e trafikimit të votës së deputetëve, të cilën Basha preferoi ta cilësonte si “trafikim mandatesh”.

“Si mund të shkohet në Europë, kush mendon se Europa mund ti hapë dyert një vendi nga parlamenti i të cilit së pari përjashtohet opozita dhe pastaj trafikohen mandatet”, tha ai.

Duket se diçka po luhet poshtë asaj që duket në Parlament dhe një thyerje në radhët e PD-së është një çështje kohe. Gjithësesi mbetet për t’u parë qëndrimi i ambasadës së ShBA-së e cila mbështeti opsionin e votimit në Kuvend.

Please follow and like us: