Superskandali me tenderin e OSHEE-së
Superskandali me tenderin e OSHEE-së/ Vëllai i Luan Bregasit merr 3.4 miliardë lekë
Një superskandal ka ndodhur në një nga tenderat e zhvilluar nga OSHEE. Bëhet fjalë për 3.4 miliardë lekë të cilat i janë dhënë kompanisë së Tajar Bregasit, vëllait të këshilltarit socialist bashkiak në Tiranë Luan Bregasi.
Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi publik të zhvilluar në muajin maj të këtij viti. Tenderi është zhvilluar për “Fuqizimin e N/stacionit elektrik 110/35/20 kV të Selitës”. Siç duket në dokumentat e mëposhtme shërbimi i kontraktuar ka një fond limit prej 349,769,585 lekë të reja, pra rreth 3 miliardë e 497 milionë lekë.
Ofertues i vetëm, fitues me 98% të vlerës
Skandali në këtë procedurë prokurimi publik qëndron edhe në faktin se fituesi rezulton të jetë edhe ofertuesi i vetëm. Siç duket më poshtë Shoqëria “En.Bi.Power” sh.p.k, e cila do të ketë një kontratë të lidhur me afat 12 muaj.
Subjekti është shpallur fitues me 98% të vlerës. “En.Bi.Power” sh.p.k ka paraqitur ofertën 3 miliardë e 433 milionë lekë.
Pronari i kompanisë, ish-Zv.Drejtor i KESH dhe lidhje me politikën
Pronari i kompanisë që ka fituar tenderin në fjalë është ish-Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Kjo faktohet edhe në biografinë e Tajar Bregasit, vendosur në faqen zyrtare të ENBI Power shpk.
Burimet thanë për citynews, se Tajar Bregasi është vëllai i Luan Bregasit, Këshilltar socialist në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Luan Bregasi gjithashtu është një nga socialistët më të “devotshëm”. Kjo pasi ai shihet pothuajse në çdo aktivitet të çdo ministrie, ose bën rolin e shoqëruesit të shpeshtë në vizitat e Ministrave jashtë vendit. Bregasi njihet gjithashtu si mik i ngushtë i kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë të njëjtat burime thanë se Agim Bregasi, një nga anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të OSHEE-së, është gjithashtu i afërm i Tajar dhe Luan Bregasit.
Përveç skandalit se një person i lidhur me pushtetin përfiton miliardat e buxhetit të shtetit përmes një proçedure të dyshimtë, në këtë rast mund të kemi edhe një konflikt interesi.
Por skandali nuk përfundon këtu. Sipas akuzave të disa qytetarëve, Drejtoresha Ekonomike e OSHEE-së është ish-Drejtoresha e “En.Bi.Power” sh.p.k, subjektit fitues të tenderit në fjalë.
187 milionë lekë vetëm për dy tendera
Sipas një kërkimi të bërë nga citynews, rezulton se ENBI Power ka përfituar nga Buxheti i Shtetit 18,777,092 lekë të reja për vitin 2015. Siç shihet në dokumentin e mëposhtëm të tranfertave nga Thesari, 187 milionë lekë janë marrë nga kompania e vëllait të Luan Bregasit për vetëm 2 tendera, njëri me vlerë 120 milionë lekë dhe tjetri me vlerë 67 milionë lekë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njihet si një nga institucionet që zhvillon tenderat me vlerat më të mëdhaja monetare. Po ashtu, ky operator njihet edhe për akuzat nga opozita dhe media lidhur me tendera korruptivë, favorizues dhe dyshues. /citynews