Albspirit

Media/News/Publishing

36 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportën italiane gjatë 2015-tës

Edhe pse ligji mbi shtetësinë është akoma një garë me pengesa për imigrantët e bijtë e tyre, shtohen ndjeshëm nga viti në vit italianët e rinj. Gjatë vitit 2015 kanë marrë shtetësinë rreth 178 mijë të huaj, 37% më shumë se një vit më parë. E nga këta 20,4% kanë lindur shqiptarë, çka do të thotë se gjatë 2015-tës janë betuar para trengjyrëshit mëse 36 mijë shqiptarë, 66% më shumë se gjatë vitit 2014 kur u betuan para flamurit italian 21 mijë vetë.

Të dhënat janë të ISTAT-it që të premten publikoi Bilancin Demografik Kombëtar. Thotë që më 31 dhjetor 2015 popullsia e Italisë është 60.665.551 persona, nga të cilët mëse 5 milionë janë të huaj (8,3% e popullsisë).

Konfirmohet rritja e vazhdueshme e numrit të qytetarëve të rinj, në vitin 2015 janë rreth 178 mijë kundrejt 130 mijë të vitit 2014.

“Italianët e rinj – shkruhet në raport – janë kryesisht persona nga komunitetet “e vjetra” në Itali”. Në fakt, 20,4% të tyre, pra mbi 36 mijë vetë, janë nga komuniteti shqiptar, 18,4% nga ai maroken, dhe vetëm 7,6% janë nga komuniteti rumun.

“Marrja e shtetësisë italiane sjell, natyrisht, zvogëlimin e popullsisë së huaj rezidente në Itali” kujton ISTAT. E rasti i shqiptarëve e tregon më së miri: më 31 dhjetor 2015, numri i qytetarëve shqiptarë rezidentë në Itali ka rënë në 467.687 ose 4,6% më pak se një vit më parë, dhe arsyeja kryesore e kësaj rënieje, theksohet në raport, duhet kërkuar te fakti që janë bërë italianë, por edhe te rënia e fortë e ardhjeve të reja nga Shqipëria. Nga 1990, rënia e numrit të shqiptarëve rezidentë në Itali (në masë shumë më të vogël se kjo e fundit), u vërejt për të parën herë vitin e shkuar, kur u kalua nga 502.546 të 31 dhjetorit 2013 në 498.419 më 31 dhjetorit 2014.

Please follow and like us: