Artistë të shumtë në Euro Kosova Art
Ka disa ditë që ka nis kolonia me artistë të ndryshëm shqiptarë dhe ndërkombëtarë të artit pamor.
Kjo koloni është formuar në kuadër të festivalit ‘International Euro Kosova Art’ i cili këtë vit shënon edicionin e pestë me radhë.
Gjithsej do të jenë 40 artistë të cilët janë të lirë të shprehin kreativitetin e tyre. Aktiviteti ka filluar me datën 11 qershor dhe po vazhdon ende, deri me datën 16 qershor, ditë kjo e cila do të shënojë edhe hapjen e ekspozitës.
“Çdo vit ndryshojnë edhe emrat e artistëve dhe vendet prej nga vijnë. Vitin e kaluar ka pasur emra nga vende të tjera, ndërsa këtë vit do të jenë nga vende të tjera. Qëllimi është edhe njoftimi i kulturave të ndryshme, njoftimi në mes artistëve dhe punës së tyre” tha për KultPlus, Adriana Marku.
Marku Sedaj, Afërdita Merovci, Agron Kastrati, Alma Idrizi, Blerta Surroi, Fehmi Hoxha, Genc Rezniqi, Merita Jaha, Mjellma Goranci Firzi, Muhamat Ahmeti, Nevzat Berisha, Pranvera Sylejmani, Refki Gallopeni, Saranda Xhemajli, Valbona Gashi Shala, Verona Ahmeti, Zymber Mulliqi, janë emrat e artistëve kosovarë që janë pjesë e këtij aktiviteti por nuk mungojnë edhe emrat e artistëve ndërkombëtarë nga vendet e ndryshme të Evropës si: Antonio Manfredi nga Italia,Brigitle Schuermans nga Belgjika, Michaela Knittelfelder nga Austria, Yimaz Guler nga Turqia e të tjerë.
Ekspozita do të hapet me datën 16 qershor, në ‘La Suisse Hotel’ në Fushë Kosovë. Organizatori i këtij festivali është Muhamet Ahmeti, ndërsa asistente Adriana Marku. Festivali organizohet në kuadër të komunës së Fushë Kosovës, në kalanë e Harilaqit.